Ruli në, Vlorë: Eksportet bujqësore dhe blegtorale, më dinamiket

Publikuar më: 30/07/2012 10:58

Inspektohen pikat e prodhimit ushqimor nga Novosela në Karaburun

Rreth 100 mijë fidanë ullinj varietet i vendit janë prodhuar nga “Qendra e Transferimit të Teknologjive Vlorë” dhe janë të gatshme për ti mbjellë në fund të këtij viti. Në një vizitë të bërë në këtë qendër, që është një prej më moderneve në vend, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit vuri në dukje se bujqësia shqiptare dhe fermat janë modernizuar duke arritur të njëjtat standarde të vendeve të zhvilluara. Në vizitën e bërë në serën e QTTB Vlorë, ministri u informua se qindra fermerë kanë kërkuar që të furnizohen me fidanët që prodhohen në mënyrë shkencore dhe garantojnë cilësinë në prodhim. Sipas drejtuesve të QTTB-së në vitin 2011 janë prodhuar rreth 100 mijë fidanë të varietetit Kalinjot, të gatshëm për tu mbjellë, në fund të vitit 2012. Ndërsa për vitin 2013, do të jenë gati për mbjellje rreth 120 mijë fidanë ulliri. Me një investim prej 1 milion dollarë të bërë muajt e fundit. “Qendrat e Transferimit të Teknologjisë janë një nga hallkat e rëndësishme të sistemit shtetëror në fushën e bujqësisë. Kanë një rol të pa zëvendësueshëm. Së pari, janë qendra të shkencës agroteknike të aplikuar. Luajnë një rol të madh, sidomos në momentin që jemi, ku vihen re prirje të modernizimit të prodhimit bujqësor, ku këto qendra kanë rol të pazëvendësueshëm në ndihmë të drejtpërdrejtë të fermerit me qëllim që ai të kuptojë cilat janë ndihmat, teknologjitë e reja që do të përdorin në procesin agro-prodhues. Janë qendra të mirëfillta shkencore ndonëse nuk po bëjnë vetëm kërkime laboratorike, por kanë kërkime të aplikuara në funksion të drejtpërdrejtë të prirjeve të bujqësisë tonë. Ne po mundohemi të aplikojmë një dimension të ri në këto qendra, që është dimensioni i kthimit në aktivitete prodhuese, sidomos në prodhimin e farërave dhe fidanëve. Këto qendra janë ruajtëse të resurseve gjenetike, të varieteteve dhe kultivarëve. Duhet të bëjmë çmos që të bindim dhe fermerin që prodhimet dhe fidanët që nxjerrim nga këto qendra janë të cilësisë së lartë. Për këtë arsye ne kemi bërë një investim të konsiderueshëm publik, rreth 1 milion dollarë me të cilin është ngritur fidanishtja e Ullirit këtu në QTTB-në e Vlorës dhe ajo në Universitetin Bujqësor. Këto dy fidanishte do të kenë si orientim prodhimin për kultivarët vendas, të kultivarëve shumë cilësore por dhe të kultivarëve të tjerë që do të mund të realizohen nëpërmjet programit të ullirit. Qendra e Transferimit të Teknologjisë Bujqësore në Vlorë ka pasur një rol të veçantë në gjithë përgatitjen e Projektit Kombëtar të Ullirit. Në këtë fidanishte prodhohen në mënyrë shkencore, masive dhe të garantuar fidanë cilësore që i përshtaten zonave të vendit tonë”, – tha ministri Ruli. Gjatë vizitës në serën dhe ambientet e tjera të QTTB-së, drejtuesit e saj thanë se prodhimi i fidanëve ka ndihmuar ekonomikisht fermerët pasi atyre u plotësohet çdo kërkesë që kanë për të mbjellë tokat e tyre me ullinj, vreshta apo dhe dru frutorë, duke maksimizuar fitimet sipas kushteve të zonës ku ata operojnë. “Një nga aktivitetet kryesore të QTTB-së, Vlorë, është shtimi i varieteteve autoktone. Jo thjesht për të shijuar frutat e vendit, por dhe për të ndihmuar ekonomikisht të gjithë fermerët. Ne kemi një resurs shumë të madh të varieteteve autoktone, sidomos të rrushit për prodhimin e verërave. Besoj që ne këtë vit do të promovojmë 5 kultivarë autoktonë, që nga Kallmeti deri te Debinat e Përmetit. Në këto 5 kultivarë ne do të nxjerrim shishet e verës, që të gjitha ta shikojnë dhe kuptojnë që vera jonë ka vlerë të çmuar”,- tha Dhimitër Panajoti, drejtori QTTB, Vlorë. Në fshatrat e Vlorës, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka vizituar dhe disa fabrika të prodhimit të Vajit të Ullirit. Këta prodhues, lëndën e parë e marrin në kodrat përreth Vlorës dhe fshatrat e kësaj zone dhe arrijnë të prodhojnë vaj cilësor. Fabrikat kanë arritur që të certifikohen me standardet BIO dhe arrijnë të eksportojnë me sukses në vendet fqinjë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vaji i ullirit “Extra Vergine” është një prej prodhimeve shqiptare më të kërkuara si në tregjet vendase, ashtu dhe në ato të huaja.

 

Inspektimet në pikat e prodhimit ushqimor

Prodhimi vendas, cilësia dhe kushtet e prodhimit të tij, kryesisht peshku, vaj i ullirit, apo bretkosat, produkte tipike për qarkun e Vlorës kanë qenë gjithashtu në fokus të vizitës së ministrit të bujqësisë Genc Ruli, në Vlorë. Peshku dhe ulliri janë produkte që kanë dhe peshë specifike të lartë në nivelin e eksporteve, tha ministri Ruli, ndërsa theksoi se veçanërisht ato të prodhuara në Vlorë janë konkurruese edhe në tregjet evropiane. Vizita e Ministrit të Bujqësisë dhe ushqimit, në disa stabilimente të rëndësishme, nga Novosela në Karaburun, ishte në kuadër të nxitjes së biznesit vendas në rritjen e cilësisë së prodhimit, por edhe sasisë, duke pasur parasysh rezultatet e nxjerra dhe të ardhurat nga eksportet, por edhe prezantimin dinjitoz të prodhimeve ushqimore “Made in Albania”, në vendet ku ato eksportohen e më gjerë.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.