Arratiset nga burgu në Greqi një shqiptar i dënuar me 20 vjet
Si një skenë filmash të Holliëoodit ngjan ngjarja e sotme në Nafplios të Greqisë, ku një i dënuar shqiptar i ka shpëtuar burgut. Arratisja e të burgosurit ka ndodhur në mëngjes, me ndihmën e dy personave të tjerë, ndërkohë që ai dërgohej në spitalin e Nafplios. 40-vjeçari shqiptar i burgosur, po transportohej në spital për të ndërruar disa plagë. Me sa duket kjo lëvizje e tij ishte e njohur dhe pikërisht në orën 11:00, dy persona me armë sulmuan katër rojet dhe shoqëruesit gjyqësorë të të burgosurit. Ata qëlluan në ajër për t’i frikësuar dhe duke përfituar nga kaosi dhe paniku që u krijua, arritën të rrëmbejnë të burgosurin duke e futur në një makinë, tip AUDI me të cilën u larguan. Identiteti i të arratisurit nuk bëhet i ditur nga policia, por mësohet se ai vuante dënimin me 20 vjet burg, për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe grabitje me armë. Policia ka nisur ndjekjen edhe në qarqet fqinje.















