Arsimi parauniversitar, Vejsiu: Shpërndarje e re në shkolla

Publikuar më: 12/08/2012 8:43

Mbipopullimi i shkollave, mësim me turne he këtë vit. Faza e regjistrimit të nxënëseve

Edhe këtë vit të ri shkollor pritet të ketë një fluks regjistrimesh në shkollat e Tiranës, në veçanti në ato të mesme. Ky informacion bëhet me dije nga vetë drejtori i arsimit parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu. Ai shpjegon se tashmë pjesa më e madhe e nxënësve kërkojnë të regjistrohen në shkollat që kanë më emër në Tiranë, duke lënë në shkolla të tjera një numër të konsiderueshëm klasash bosh. Këtij fenomeni duhet t’i jepet fund, thotë Vejsiu. “Fillimi i regjistrimeve është data një shtator. Shqetësimi që ju ngrini do të jetë edhe sivjet, kryesisht në qytete e mëdha siç është Tirana, madje jo në të gjitha shkollat e Tiranës, por në shkollat e mëdha. Kemi dy pamje të ndryshme. Shkolla të cilat kanë klasa që nuk i hapin fare për 24 orë dhe shkolla që punojnë edhe me dy turne. Pra, shkollat që punojnë me dy turne janë pesë shkollat e mëdha e 7-8 të tjerat kanë mjedise të lira dhe nuk i përdorin, jo më dy turne, por as një turn”,-tha ai. Rishpërndarja e drejtë e nxënësve, sipas zonave ku ata banojnë, thotë drejtori në MASH, do t’i japë fund edhe mësimit me dy turne. “Nëqoftëse do të bëhet një shpërndarje më korrekte në këtë drejtim, atëherë do të kishim patjetër një zbutje të mbingarkesës së shkollave të mëdha dhe do të bëja thirrje për regjistrim në shkollat profesionale”,-theksoi Vejsiu. Këtë vit regjistrimet pritet të zgjasin deri në datën 9 shtator, pra një ditë para se të fillojë edhe viti i ri shkollor. Gjatë kësaj periudhe pritet të përfundojë edhe shpërndarja e teksteve në shkolla.

Kur nisin regjistrimet

Cikli parauniversitar nis regjistrimet në datën 29 gusht. Kështu, të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve do të vijojnë regjistrimet deri më 9 shtator. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nxjerrë dhe udhëzimin përkatës për këtë kategori, sipas së cilës më 30 shtator mbyllen regjistrimet për arsimin profesional me kohë të plotë dhe më 15 tetor për arsimin profesional me kohë të pjesshme. Ndryshimet janë të mëdha, për shkak dhe të hyrjes në fuqi të ligjit të ri për arsimin parauniversitar. MASH-i udhëzon, gjithashtu, drejtoritë rajonale arsimore, në bashkëpunim dhe me njësitë vendore duhet të sigurohen që nxënësit të shkollohen në vendbanimet e tyre, çka do të thotë se nuk do të pranohen “të huaj” në shkolla. Sipas MASH-it, për arsimin me kohë të pjesshëm në gjimnazet ekzistuese do të hapet vetëm një klasë e 10-të që do të ketë jo më shumë se 40 nxënës, ndërsa në shkollat profesionale numri është i pakufizuar. Ndërsa për gjuhën e huaj, sipas ligjit të ri duhet të planifikohet mësimi i tre gjuhëve në klasën e tretë të ciklit të ulët.

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.