Deklarimi i të ardhurave personale, nis më 1 shtator
Ndonëse ishte planifikuar të niste në muajin prill, deklarimi i të ardhurave personale në vend për të gjithë qytetarët do të nis më 1 shtator dhe do të përfundojë në fund të po këtij muaji, pra më 30 shtator. Shtyrja e afatit për këtë lloj deklarimi erdhi si pasojë e shtyrjes së amnistisë fiskale edhe për tre muaj të tjerë, ligj i cili do të ndihmojë qytetarët të legalizojnë kapitalin e tyre. Harmonizimi i të dy ligjeve, atij të amnistisë dhe atij të deklarimit të të ardhurave, argumentohet nga Financat me arsyen e lënies së hapësirave të nevojshme qytetarëve që kanë ende kapital për të legalizuar dhe më pas të kenë mundësi te bëjnë deklarim të saktë. Për sa i përket ligjit për deklarimin e të ardhurave personale, i cili praktikohet për herë të parë në Shqipëri këtë vit, ka pësuar disa ndryshime të tjera duke u bërë më i lehtë për qytetarët. Ekspertët e financave kanë ndryshuar tavanin e deklarimit të detyruar të të ardhurave vjetore duke e rritur atë në 2 milionë lekë të reja nga 200 mijë lekë që ishte përcaktuar më parë. Në bazë të deklaratave zyrtare nga ministria e Financave ndryshimi i tavanit u bë për shkak të përvojës së amnistisë fiskale dhe u vendos të zvogëlohej numri i atyre që e kanë të detyrueshëm deklarimin e të ardhurave. Kështu të gjithë ata persona që kanë si të ardhura të tyre vetëm pagën e deklaruar, e cila i është tatuar në burim, nuk kanë më asnjë detyrim të deklarojnë të ardhurat, përveç atyre që kërkojnë të bëjnë deklarim vullnetar dhe kjo është një pikë e ligjit. Deklarimi vullnetar i të ardhurave bëhet edhe për arsye të përfitimit nga shpenzimet e zbritshme, që përcaktohen në ligj. Niveli minimal i të ardhurave për ata që përfitojnë shpenzime të zbritshme është rritur nga 800 mijë lekë në 1 milionë lekë. Tatimpaguesit, të cilët nuk janë subjekt i deklarimit, por duan të plotësojnë deklaratën për të përfituar nga shpenzimet e zbritshme, duhet të deklarojnë kontributet për pension për jetën dhe shëndetin, të derdhura nga vetë individi. Ndër të tjera në shpenzimet, për të cilat përfitohet janë: interesat e kredive të marrë për shkollë, blerjet e barnave e shpenzimet shëndetësore.















