Festa e Fiter Bajramit, kryetari i Komunitetit Mysliman uron të gjithë besimtarët

Me rastin e festës së Bajramit të Madh, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë, duke uruar gëzim, harmoni dhe begati.

“Nesër është Bajram dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo qofshin, gëzuar Fitër Bajramin. Paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë në familjet tuaja. Bajrami është festa më e dobishme dhe më e bekuar për myslimanët. Festimi i ditëve të Bajramit i inkurajon myslimanët për angazhime të mëtejshme dhe krijimin e një të ardhme më të mirë e më të lumtur. Kremtimi i kësaj feste i jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në punët e tyre fetare dhe të kësaj bote”, u shpreh Muça.

Gjithashtu kreu i Komunitetit Mysliman shqiptar theksoi se urimet dhe vizitat e Bajramit janë tradita të vyera të popullit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme.

Nisur nga kjo ai nënvizoi se këto ditë feste le të shërbejnë për më shumë mirësi, afrimitet, paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit.

“I uroj edhe njëherë besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve, ta jetojnë gëzuar këtë festë. Paçin mirësi e begati dhe Zoti ua pranoftë agjërimin dhe adhurimet që kanë kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Zoti e bekoftë kombin dhe atdheun tonë”, përfundoi urimin e tij, Muça.

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in