Futbollistët francezë rrezikojnë 3 vite burg, akuzohen për shfrytëzim prostiticioni
Futbollistët francezë, Franck Ribery dhe Karim Benzema rrezikojnë deri në tre vjet burg dhe gjoba prej 45 mijë euro secili, pasi gjykata e Parisit ka vendosur të rihapë çështjen për të cilën futbollisti i Bayern Munich dhe ai i Realit të Madridit u akuzuan në vitin 2010 për shfrytëzim prostitucioni të një të miture. Skandali shpërtheu në pranverën e dy viteve më parë, kur Zahia Dehar e famshme për pjesëmarrjet e saj në disa programe televizive deklaroi publikisht se kishte patur marrëdhënie seksuale me Ribery e Benzema në këmbim të parave. Në atë kohë prokuroria nisi hetimet, por gjykata mbylli çështjen, pas pohimit të Dehar se dy të akuzuarit nuk ishin në dijeni të moshës së saj. Kur gjithçka dukej se ishte arshivuar, mes një komunikate për shtyp, gjykata e Parisit ka bërë të ditur se me kërkesë të prokurorisë franceze ka rihapur çështjen, ku të akuzuar janë dy prej futbollistëve më të rëndësishëm të kombëtares franceze. Avokatët e të akuzuarve e kanë cilësuar si të paligjshëm këtë vendim, por sipas mediave franceze Ribery dhe Benzema rrezikojnë seriozisht të dënohen. Për akuzat që bien mbi dy lojtarët, ligji francez parashikon deri në 3 vjet burg, çka do të thoshte fundi i karrierës për dy futbollistët.















