Gushti ul interesat e bonove të thesarit

Muaji Gusht ka sjellë një relaksim të ndjeshëm të tregut të bonove të thesarit. Në dy ankandet e fundit, pas shumë muajsh interesat kanë lëvizur në rënie. Bonot me afat maturimi 12 mujor u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 7.2%, nga 7.34% që ishin një muaj më parë. Në ankand u emetuan bono me vlerë 4.3 miliardë lekë, ndërkohë që oferta për financim ishte pothuajse dy herë më e lartë. Rënie të interesave regjistruan edhe bonot me afat maturimi 6-mujor, që u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi 6.22%, nga 6.24% që ishte interesi në ankandin e mëparshëm. Në rënien e interesave në ankandet e fundit ka ndikuar kombinimi i faktorëve të ofertës dhe të kërkesës. Kërkesa e qeverisë për borxh ka qenë në vlera më të përmbajtura krahasuar me muajt e mëparshëm dhe në tre ankandet e zhvilluara vlera totale e borxhit ka qenë pak më shumë se 13 miliardë lekë. Por sigurisht që ndikim ka pasur edhe oferta e në rritje. Në çdo rast, ulja e interesit të bonove është një zhvillim pozitiv në tregjet financiare. Interesat më të ulëta të borxhit publik ndikojnë ndjeshëm edhe në kreditim më të lirë të sektorit privat të ekonomisë, në një moment kur ekonomia ka nevojë për nxitje përmes stimujve monetarë. Vetë Banka e Shqipërisë ka pranuar se hallka problematike e transmetimit të uljes së normës bazë në interesat e kredive kishte qenë pikërisht tregu i bonove të thesarit.

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in