Kontributet e sigurimeve shoqërore, procedura dhe afatet për pagesën

Publikuar më: 04/08/2012 7:25

Kontributet e sigurimeve shoqërore, procedura dhe afatet për pagesën

Paga mbi të cilën llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për çdo punëmarrës, si bëhet llogaritja. Dokumentet që nevojiten për pagesat e kontributeve

Përcaktohen kriteret që duhet të ndjekin të gjithë punëdhënësit dhe punëmarrësit për sa i takon sigurimeve shoqërore. Kështu, sipas përcaktimeve që jep ISSH-ja, punëdhënës quhen të gjithë personat fizikë e juridikë, që punësojnë persona të tjerë me ose pa kontratë.

Cilat janë detyrimet si punëdhënës:

Në mbështetje të Kodit të Punës punëdhënësi është i detyruar të nënshkruajë një kontratë pune me punëmarrësit, me kohë të plotë ose të pjesshme. Ndërkohë, punëdhënësi duhet të mbajë regjistra për periudhën e marrëdhënieve të punës dhe shumat e paguara për çdo punëmarrës, me kohë të plotë ose të pjesshme. Një tjetër detyrim që i lind, sipas ligjit, duhet të bëjë sigurimin e çdo punëmarrësi, me kohë të plotë ose të pjesshme, duke filluar nga data e fillimit të punës, sipas përcaktimit në kontratën e punës ose në aktin e emërimit. Gjithashtu, punëdhënësit duhet të bëjë llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, brenda afateve të përcaktuara për çdo punëmarrës.

 

Paga mbi të cilën llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për çdo punëmarrës:

Paga bruto e punonjësve bëhet në mbështetje të VKM nr. 285, datë 04.05.2007 “Mbi pagat referuese”. Pagat referuese janë përcaktuar në këtë VKM sipas:

a) Rrethit ku zhvillohet veprimtaria ekonomike;

b) Llojeve të veprimtarive ekonomike;

c) Pozicionit të punës;

d) Llogaritja e kontributeve për çdo punëmarrës individual mbështetet në pagën bruto mbi kufirin e pagës minimale mujore, deri në kufirin e pagës maksimale mujore. Paga bruto evidentohet në listë-pagesën tip, e cila është dokumenti bazë për evidentimin e kontributeve individuale.

e) Paga bazë minimale mujore për punonjësit për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në shkallë vendi është 20 000 lekë, ndërsa paga maksimale është 87 700 lekë.

 

Ku dhe si mund të regjistrohesh për të filluar një veprimtari ekonomike:

Përpara fillimit të veprimtarisë ekonomike dhe për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, së pari, bëhet regjistrimi në Qendrën Kombëtare te Regjistrimit. Dy ditë pune pas regjistrimit në QKR, dorëzohet pranë organit tatimor lista e të punësuarve, me pagën përkatëse, sipas formularit E-SIG 027/a “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe të larguarve nga puna”

 

 

Procedura dhe afatet për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore:

a) Pagesa e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kryhet nga punëdhënësi sipas afateve të përcaktuara me ligj.

b) Punëdhënësi ka detyrim ligjor për llogaritjen, deklarimin dhe pagesën e kontributeve në kohën dhe masën e duhur. Listë-pagesa është një deklaratë e subjektit, në të cilën evidentohen kontributet individuale, dhe si e tillë, në mbështetje të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” tatimpaguesi që nuk lëshon deklaratën tatimore në afat dënohet me gjobë me 10 000 lekë, për çdo deklaratë tatimore të padorëzuar;

c) Punëdhënësi, i cili nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën 48 orë përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së kontributeve të papaguara, detyrohet të paguajë edhe një gjobë 10 000 – 20 000 lekë për çdo rast;

d) Punëdhënësi duhet të dorëzojë rregullisht sipas afatit të caktuar listë-pagesat, të cilat janë i vetmi dokument, që vërteton pagesën e kontributeve për çdo punonjës;

e) Listë-pagesa është dokumenti bazë për dhënien dhe llogaritjen e përfitimeve për çdo punonjës, si dhe vërtetimeve të kërkuara prej tyre.

 

Si bëhet pajisja e punëmarrësve me librezat e kontributeve:

a) Instituti i Sigurimeve Shoqërore pajis punëdhënësit me librezat e kontributeve të sigurimeve, shoqërore dhe shëndetësore, sipas kërkesave që bëhen pranë këtyre organeve;

b) Punëdhënësi i pajis të punësuarit me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe e plotëson çdo muaj, në datën e pagesës së pagës mujore.

Si duhen trajtuar përfitimet afatshkurtra:

a) Mbështetur në ligjin për sigurimet shoqërore, punëdhënësit duhet të llogarisin dhe të paguajnë për punëmarrësit e tyre përfitimet afatshkurtra, si për sëmundje ashtu edhe për barrëlindje;

Kur punëmarrësi është i sëmurë ose përkujdeset për fëmijën e sëmurë, që ka në ngarkim, të vërtetuar me raporte mjekësore, kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore deri në ditën e 14 me raport mjekësor deklarohen njëlloj sikur punëmarrësi të mos jetë i sëmurë dhe paguhen sipas përcaktimit në Kodin e Punës, ndërsa nga dita e 15 e raportit mjekësor punëmarrësi i siguruar ka të drejtë të marrë përfitime për paaftësi të përkohshme nga fondet e sigurimeve shoqërore.

 

Ç’duhet bërë për të filluar një biznes të ri

a) Përpara fillimit të veprimtarisë ekonomike dhe për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, fillimisht, ju duhet të regjistroheni në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Më pas, i interesuari duhet të paraqisni pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore kopjen e certifikatës së identifikimit të personit të tatueshëm. Agjencia e Sigurimeve Shoqërore, mbështetur në këtë dokument, realizon regjistrimin tuaj në organet e sigurimeve shoqërore.

b) I vetëpunësuari, dy ditë pas regjistrimit në QKR, duhet të dorëzojë në organin tatimor listën e punonjësve të papaguar të familjes, me të cilët punon e bashkëjeton, formularin E-SIG 027/a “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe e të larguarve nga puna”.

 

Si bëhet llogaritja e kontributeve

a) Të vetëpunësuarit dhe personat e papaguar të familjes që ushtrojnë veprimtari ekonomike, sigurohen në mënyrë të detyrueshme për barrëlindje, pensione dhe sigurim shëndetësor;

b) Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vete dhe për punonjësit e papaguar të familjes, mbi 16 vjeç, që punojnë e jetojnë ligjërisht, llogariten mbi bazën e pagës mujore minimale, e cila, duke filluar nga data 01.07.2011 e në vazhdim është 17 540 lekë në muaj;

c) Për kontributet e sigurimeve shoqërore ju paguani 23 për qind të pagës minimale mujore prej 17 540 lekësh, e barabartë kjo me 4 034 lekë në muaj;

d) Për kontributet e sigurimeve shëndetësore ju paguani 7 për qind të pagës minimale mujore prej 17 540 lekësh, pra 1 228 lekë në muaj.

 

Afatet e pagesës së kontributeve

a) Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore paguhen çdo tremujor, brenda datës 20 të muajit të parë, pas përfundimit të çdo tremujori kalendarik. Pra jo më vonë se datat: 20 prill, 20 Korrik, 20 tetor, 20 janar.

b) Kujdes, nëse kontributet nuk paguhen në kohë, zbatohen penalitete.

 

 

Ku dhe si mund të paguhen kontributet

a) Ju mund t’i paguani kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në filialet e bankave të nivelit të dytë ose të postës shqiptare sha;

b) Pas pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ju dhe pjesëtarët e familjes, me të cilët ju punoni do të pajiseni nga Agjencia e Sigurimeve Shoqërore me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

Baza ligjore, mbi të cilën paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punëmarrësit:

- Ligji nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;

- Ligji nr. 7870, datë 13.10.1994, “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;

- Ligji nr. 9136, datë 11.09.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, i ndryshuar;

- Ligji nr. 7961, datë 12.07.1995, “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar;

- VKM nr. 285, datë 04.05.2007;

- VKM nr. 1251, datë 10.09.2008;

- VKM nr. 1114, datë 30.07.2008 “Për disa çështje në zbatim të ligjeve nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, nr. 9136, datë 11.09.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nr. 7870, datë 13.10.1994, “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

I ndryshuar me:

- VKM nr. 1477, datë 12.11.2008;

- VKM nr. 376, datë 08.04.2009;

- VKM nr. 700, datë 18.06.2009;

- VKM nr. 1206, datë 11.12.2009;

- VKM nr. 477, datë 30.06.2010;

- VKM nr. 541, datë 27.07.20011.

- VKM nr. 527, datë 20.07.2011.

- Udhëzim i ministrit të Financave, nr. 26, datë 16.04.2009, i ndryshuar.

 

Dokumentet që nevojiten për pagesat e kontributeve:

Për të realizuar pagesën e kontributeve, fillimisht duhet të merrni dhe të plotësoni formularët tip, që janë:

1. “Listë-pagesa e sigurimeve shoqërore, shëndetësore, dhe tatimi mbi të ardhurat nga punësimi”,- E-SIG 025/a2, e cila vendoset vetëm në faqen e prapme të kopjes së tretë, të formularit të plotësuar të deklarimit dhe pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore.

2. “Formular i deklarimit dhe pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore”, – E-SIG 011-012/a, i plotësuar në tri kopje.

3. Këta formularë mund t’i tërhiqni, pas datës 5 të muajit që pason mbylljen e çdo tremujori kalendarik, në organin përkatës tatimor. Së bashku me formularët janë edhe udhëzimet për plotësimin e tyre (pra, udhëzimi për plotësimin e listë-pagesës dhe udhëzimi për plotësimin e formularit të deklarimit dhe të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore. Fillimisht do të plotësohet listë-pagesa dhe më pas mbështetur në të dhënat e saj do të plotësohen tre formularët e deklarimit. Për subjektet e biznesit te madh:- Formulari E-Sig 025/a.1 – “Listë-pagesa e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore dhe Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi”, i cili dorëzohet në organin tatimor, jo më vonë se data 20 e muajit pasardhës.

- Formulari E-Sig 027/a – “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë e atyre rishtazi, si dhe të larguarve nga puna”, i cili dorëzohet në organin tatimor, të paktën 48 orë përpara fillimit të punës së të punësuarve, që fillojnë punë për herë të parë, apo janë të punësuar rishtazi, si dhe brenda 10 ditëve për të larguarit nga puna.

- Formulari E-SIG 011-012/a “Formuar i deklarimit të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore” i plotësuar në dy kopje dorëzohet në bankë ose në postën shqiptare sha, pasi konfirmohet shuma e paguar, një kopje banka ia dorëzon tatimpaguesit dhe kopjen tjetër ia dërgon organit tatimor.

 

Për subjektet e biznesit të vogël

- Formulari E-Sig 025/a.2 – “Listë-pagesa e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore dhe Tatimi mbi të Ardhurat nga Punësimi” e vendosur në faqen e prapme të kopjes së tretë të formularit të deklarimit, dorëzohet në bankë ose në postën shqiptare sha, jo më vonë se data 20 e muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori kalendarik. Pra jo më vonë se datat 20 prill, 20 korrik, 20 tetor, 20 janar.

- Formulari E-Sig 027/a – “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë e atyre rishtazi, si dhe të larguarve nga puna”, i cili dorëzohet në organin tatimor të paktën 48 orë përpara fillimit të punës të të punësuarve, që fillojnë punë për herë të parë, apo janë të punësuar rishtazi, si dhe brenda 10 ditëve për të larguarit nga puna.

- Formulari E-SIG 011-012/a – “Formuar i deklarimit të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, i plotësuar në tri kopje dorëzohet në bankë ose në postën shqiptare sh.a. Në kopjen e tretë të formularit të deklarimit, në faqen e prapme të tij, vendoset dhe plotësohet listë-pagesa E-SIG 025/a2. – Formulari E-SIG 046/a – “Pasqyrë deklarimi me të dhënat për pagesën e kontributeve të Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi”, – dorëzohet vetëm nga subjektet që bëjnë dorëzimin e deklarimeve në format elektronik. Formulari i deklarimit dhe pagesës së kontributeve, si dhe listë-pagesa e pasqyrat e tjera duhet të plotësohen në përputhje me shënimet përkatëse tek secila prej tyre. Kopja e formularit të deklarimit tërhiqet nga subjekti pranë organeve tatimore, ose shkarkohet nga faqja zyrtare e internetit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve www.tatime.gov.al, për çdo periudhë tatimore, përpara datës së deklarimit. Por këta formularë mund t’i gjeni duke i shkarkuar nga faqja zyrtare e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve www.tatime.gov.al.

Edlira MEMA

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.