Lejet e drejtimit të mjetit, së shpejti patenta e re me pikë

Publikuar më: 09/08/2012 9:22

EKSKLUZIVE/ Flet Arben Pinari, drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor

Ndryshon procedura e pajisjes me patenta. Siguracioni për automjetet, formula e re për pagesat. Masa ndëshkuese ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit. Procedura për derdhjen e taksës vjetore të automjeteve

Gjatë vitit 2013, pritet që të aplikohet metoda e re e patentës me pikë. Kështu, tashmë të gjitha ata që duan të drejtojnë një mjet, procedura e marrjes së kësaj lejeje do të ndryshojë. Tashmë, për të gjithë ata që duan të pajisen me një leje drejtimi të mjetit, disponojnë një automjet, do të aplikohet. Ndërkohë, një tjetër risi është dhe formula e re për pagesat e siguracioneve të mjetit. Të gjithë personat që janë problematikë në timon do të paguajnë një siguracion të detyrueshëm më të lartë se sa ata që nuk kanë asnjë regjistrim në raportet e Policisë Rrugore për shkaqe aksidentesh. Për ta shpjeguar më hollësisht, si fillim do të përdoret patenta me pikë, që do të thotë se çdo shofer do të ketë në llogari të tij një sasi pikësh të caktuara, të cilat do t’i zbriten më pas në raste aksidentesh apo shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor. “Së shpejti, pritet që të implementohet dhe të hyjë në fuqi një rregullore e re për pajisjen me leje drejtimi për të gjithë ata që duan të drejtojnë një automjet. Këto ndryshime kanë konsistuar më shumë në përmirësimin e rregullave që kemi, natyrisht, dhe në implementimin e standardeve të normave të Bashkimit Europian. Konkretisht ndryshimi i këtyre që kemi aktualisht konsiston tek pyetjet e provimit të kursantëve. Ne kemi 856 pyetje dhe çdo pyetje ka nga katër alternative.” Kështu shprehet gjatë një interviste për “Republikën”, Arben Pinari, drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor. Ndërkohë, pas kësaj faze të parë, do të ketë edhe një fazë të dytë. Në varësi të pikëve do të bëhet edhe pagesa e siguracionit. Kështu, në rast se një shofer bën aksident, do të paguajë më shtrenjtë, pasi konsiderohet një person me risk, ndërsa nëse një shofer, i cili për shumë kohë nuk ka bërë as edhe një gërvishtje të makinës, duhet të paguajë një siguracion më të ulët. Pra, drejtoria, në bashkëpunim edhe me shoqëritë e sigurimit, mbi bazën e të dhënave të marra nga sistemi, do të nxjerrin koeficientin e rrezikut në varësi të pikëve që shoferit i kanë mbetur në patentë. Por agjencitë do t’u referohen edhe treguesve të tjerë për të llogaritur këtë koeficient, siç është kohëzgjatja e përdorimit të automjetit nga shoferi apo rrethi ku është regjistruar. Kjo do të thotë se nëse një makinë është regjistruar në Tiranë, ka më shumë mundësi për aksident, për shkak të fluksit të madh të automjeteve. Qëllimi kryesor i kësaj forme të re të pagesave të siguracionit lidhet kryesisht me ndërgjegjësimin e përdoruesve të automjetit, uljes së numrit të aksidenteve, si dhe reduktimit të kostove për kompanitë e sigurimeve.

 

- Cila është procedura e re për pajisjen e drejtuesve të mjeteve me leje drejtimi të mjetit?

Së shpejti, pritet që të implementohet dhe të hyjë në fuqi një rregullore e re për pajisjen me leje drejtimi për të gjithë ata që duan të drejtojnë një automjet. Këto ndryshime kanë konsistuar më shumë në përmirësimin e rregullave që kemi, natyrisht dhe në implementimin e standardeve të normave të Bashkimit Europian. Konkretisht, ndryshimi i këtyre që kemi aktualisht, konsiston tek pyetjet e provimit të kursantëve. Ne kemi 856 pyetje dhe çdo pyetje ka nga katër alternativa. Pra, janë katër nënpyetje. Pra, një test ka një numër prej 10 pyetjesh me katër nënpyetje, gjithsej bëhen 40 pyetje. Në një testim të bien 10 pyetje dhe numri minimal për të qenë kalues është 30 pikë dhe numri maksimal është 40 pikë, që korrespondon me 25 për qind numër gabimesh. Ne, në bashkëpunim me shoqatën kombëtare të autoshkollave, kemi pasur kontakte të vazhdueshme dhe kemi rënë dakord për rishikimin e këtyre testeve dhe specialistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor kanë bërë përpunimin e të gjithë pyetjeve që ne i kemi në përdorim dhe i kemi arrit në një reduktim prej afro 11 pyetje. Këto pyetje të reduktuara u janë dhënë shoqatës së shkollave dhe brenda muajit korrik do të fusnin variantin e përfunduar. Sipas kontakteve që kemi do të ulen specialistë të dy grupeve dhe do të bëhet çekimi një për një i pyetjeve. Kjo do të bëhet pa cenuar standardet europiane. Në nga problemet është dhe terminologjia e re, sepse shumë terma janë në gjuhë të huaj.

- Mund të na përmendni disa arsye që çuan në përmirësim dhe rishikim të testit të marrjes së lejes së drejtimit?

Duke nisur që nga muaji nëntor në vendin tonë ka hyrë rregullorja e re për testimin për marrjen e lejes së drejtimit, për të gjitha kategoritë e lejeve. Duhet thënë se gjithçka bëhet përmes testeve në kompjuter. Këto teste i kanë të gjithë autoshkollat të instaluara në kompjuterët e tyre dhe gjatë mësimit, natyrisht që u bëjnë kursantëve teste stimuluese për të parë ku është niveli i përgatitjes. Shoqata e autoshkollave në kërkesën e saj parashtronte reduktimin e disa pyetjeve që kishin përsëritje nga një kategori në tjetrën. Pra, pyetjet që binin në Kategorinë B, përsëriteshin në Kategorinë C apo edhe CE dhe DE. Pra, shkurtimi i këtyre përsëritjeve të pyetjeve ishte kërkesa e parë. Në teste, gjithashtu, kishte pyetje që pretendohej se nuk i përkitnin kategorisë ku po kërkohej leja e drejtimit, pra një pyetje e Kategorisë C binte edhe te Kategoria B. Duhej një ndarje sipas kategorive. Kërkesa e tretë që hasej më shumë lidhej sidomos me terminologjinë e pyetjeve. Duke qenë se janë pyetje specifikisht teknike, gjuha e përdorur duhet të jetë shqipja standarde, pasi krijohet konfuzion te kursantët. Për shembull, në autoshkollë ata hasin fjalën “kambio”, por te testi ynë kjo fjalë është “kutia e shpejtësisë”. Me të marrë kontakt me Shoqatën e Autoshkollave, ne filluam të ndërtojmë procedurat e punës për ndryshimin e testit. Duhet thënë se brenda muajit shtator ne do ta kemi përfunduar qoftë rishikimin e pyetjeve, qoftë implementimin në programet kompjuterike, por edhe botimin në libër dhe në faqen e uebsajtit. Pra, janë mëse transparente.

- Mund të na veçoni disa detaje nga patenta e re me pikë?

Patenta me pikë është hapi i parë që qytetari do ta aksesojë vetë faqen e tij nëpërmjet internetit, pra do të jetë një shërbim i hapur. Çdo person do të ketë pasuordin e tij dhe faqen e çdo qytetari do ta kontrollojnë institucionet përkatëse. Qëllimi i këtij ndryshimi është që në rast se një qytetar ndëshkohet herë pas here, atij do t’i reflektohen këto shkelje me uljen e pikëve për çdo shkelje që bëhet. Normalisht, nuk është caktuar akoma se sa do të jetë sasia maksimale e pikëve dhe për çdo lloj shkelje nuk dihet se sa do të jetë numri i pikëve që do të ulen. Në muajin dhjetor të vitit që shkoi u bënë disa ndryshime të kodit rrugor, të cilat konsistonin jo vetëm në marrjen e masave ndaj shkelësve të qarkullimit, por u futën edhe disa koncepte të reja. Një nga këto ishte edhe futja e patentës me pikë. Patenta me pikë mund të themi që jemi të vonuar, por është një nga standardet që përdoret nga Bashkimi Europian, dhe nuk është thjesht marrja e masave ndëshkuese ndaj atyre që shkelin rregullat e qarkullimit, por po fillohet që të shtrëngohen masat ndaj atyre personave që shkelin rregullat e qarkullimit.

 

- Kur pritet të nisë aplikimi i patentës me pikë?

Patenta me pikë pritet të aplikohet brenda tetëmbëdhjetë muajsh, sipas afatit ligjor të përcaktuar. Ligji ka hyrë në fuqi në datë 27.12.2011 dhe brenda muajit qershor që vjen ne duhet të kemi filluar implementimin e këtij vendimi dhe ajo do të zbatohet sepse është afat ligjor dhe do të zbatohet patjetër. Por para se të shkojmë tej implementimi i patentës me pikë ne duhet të bëjmë një sërë gjërash të tjera. Ne sot nuk kemi një regjistër online të drejtuesve të mjeteve. Ne kemi regjistrat e drejtuesve të mjeteve në 13 drejtori rajonale, kemi dhe një unik, i cili azhornohet me bekape(back up), pra nuk e kemi online dhe të qendërzuar. Në jemi prag të tenderimit të këtij projekti për qendërzimin e të gjithë të dhënave, ngritjen e regjistrit kombëtar të drejtuesve të jetëve. Me të përfunduar ky qendërzim i cili do të ketë tre module, janë arkivat, janë regjistrat, janë personat që janë pajisur me leje drejtimi, ato që janë në proces për t’u pajisur me leje drejtimi, por janë dhe të gjithë ato që janë pajisur me leje drejtimi që nga viti 2009, kur ka filluar për herë të parë testimi elektronik. Aty, pra, janë të tëra testet e të tërë qytetarëve që janë pajisur me leje drejtimi. Por ky proces, natyrisht që do të kalojë dhe një proces tjetër që është çekimi i të tërë qytetarëve që janë pajisë me leje drejtimi me regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Pasi mund të kemi shumë raste që për një germë i ndryshojnë të dhënat qytetarit. Ajo ndodh për gabime njerëzore dhe për një germë ndryshojnë të tëra të dhënat. Natyrisht që duhet të hapen arkiva të tëra për t’i kërkuar. Po ashtu, ka edhe mjaft persona që kanë ndryshuar mjaft herë emrat.

 

- A do të ketë ndëshkim deri në heqje të patentës për personat që i shkelin rregullat për arsye të caktuara?

Në kod është e përcaktuar që për rastet ekstreme të aksidenteve që ka me pasojë jetën e njerëzve, natyrisht, ka masa me heqje të përkohshme, por ka dhe masa me heqje të përhershme. Natyrisht për personat që pinë alkool dhe persona të droguar pasojat janë të rënda për shumë njerëz. Por, nga ana e Policisë së Shtetit, ka filluar zbatimi në mënyrë rigoroze i këtyre rasteve, sidomos për personat problematik. Shkaku aksidenteve janë të ndryshme, si nga përdorimi i alkoolit apo edhe nga shkaqe të tjera. Pra, ka raste që i hiqet leja e drejtimit dhe personi pas një periudhe tranzitore duhet të fillojë nga e para.

 

- Në momentin e hyrjes në pikat e kalimit kufitar, a i nënshtrohen ndonjë takse emigrantët që kthehen me mjetet e tyre, gjatë qëndrimit në Shqipëri?

Me ndryshimet ligjore që u bënë në vitin 2011 me heqjen e taksës së mjeteve të përdorura ose heqja e doganës. Njëkohësisht, u hoq edhe taksa në momentin e shitblerjes së mjetit, ose taksa e tatimit për të ardhurat. Nëse një qytetar shiste mjetin ai për të ardhurat që realizonte ai duhet të paguante një tatim mbi të ardhurat. Pra, sot qytetarët janë të lirë të shesin apo të blejnë mjete pa paguar asnjë taksë. Ato do të paguajnë vetëm për tarifat e shërbimit pranë noterëve. Pra, ne, si shtet, nuk marrim asnjë të ardhur, as për shitjet, as për blerjet që mund të bëjnë qytetarët. Kjo ka sjellë një reflektim edhe në statistikat tonë. Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2011, kemi pasur 902 ndryshime pronësie mjetesh, në gjashtë mujorin e parë të 2012 ne kemi pasi 16 380 ndryshime pronësie, pra afro 15500 ndryshime pronësie, kjo do të thotë që ky treg është liruar, sepse natyrisht, qytetarët për të hezituar për të paguar atë taksën për të ardhurat personale ato e shisnin mjetin dhe nuk e regjistronin në emër të atij që e blinte.

 

- Zoti Pinari, cilat janë disa nga procedurat që duhet të ndjekin emigrantët që kërkojnë ta lënë automjetin e tyre në vendin tonë?

Natyrisht, ato mund ta lënë. Por unë e ftoj këtë kategori që duhet ta regjistrojnë mjetin e tyre në Shqipëri. Nëse ato nuk duan që ta marrin mjetin më në vendin në të cilin ato punojnë ato patjetër që duhet ta regjistrojnë atë. Pastaj, nëse do ta dhurojnë apo do ta mbajnë në pronësi ajo është çështje që do e vendosin vetë. Ato mund ta dhurojnë, apo mund ta lënë për përdorim të afërme të tij në Shqipëri është tjetër çështje pastaj. Në momentin që automjeti nuk ka asnjë pengesë për të qarkulluar edhe jashtë shtetit madje, nëse është me dokumente jo shqiptare ai do të ketë një sërë problemesh.

 

- Si procedohet me taksën vjetore për automjetet?

Duhet thënë se vetë termi “taksë vjetore” do të thotë që ajo llogaritet si taksë vjetore, ku në ligj thuhet se ajo duhet të paguhet para kontrollit teknik të automjetit. Pra, kemi një datë ose një afat brenda së cilës ajo duhet paguar, sepse lidhet me një procedurë administrative dhe teknike. Por dua të theksoj këtu, që taksa është vjetore dhe jo kalendarike, sepse i tillë është siguracioni dhe jo taksa vjetore. Taksa vjetore paguhet në çdo ditë të vitit dhe paguhet për vitin që qytetari është aktualisht. Nuk ka rëndësi se në cilin nga muajt e vitit është paguar taksa, sepse ajo është e lidhur vetëm me kontrollin teknik, qytetari mund të mos e kryej kontrollin teknik, por kjo nuk e përjashton nga taksa vjetore. Pra, qytetari mund të jetë shmangur nga mos kryerja e kontrollit teknik por kjo nuk e përjashton nga taksa, pasi taksa nga tatimi këtu ndryshon. Ka shumë qytetarë që shprehen se nuk e përdorin mjetin e tyre, por kjo nuk ka lidhje me taksën vjetore. Kur paguan taksën merr një pullë, e cila e ka të përcaktuar qartë vitin që bëhet pagesa e saj. Siguracioni i mjetit është kalendarik, ndërsa taksa është vjetore, që do të thotë edhe po të kalojë afati i pagesës, qytetari nuk paguan asnjë gjobë. Nëse flasim për një automjet, i cili sapo është regjistruar dhe vjen të paguaj taksën vjetore p.sh në dhjetor të 2011-ës, atëherë ky qytetar paguan vetëm një muaj taksë vjetore dhe i hiqet detyrimi i muajve të tjerë, sepse mjeti sapo është regjistruar, ai nuk është debitor dhe nuk ka shkel asnjë ligj. Taksa vjetore është e vetmja nga taksat që nuk shoqërohet me gjobë. Pra kjo është paqartësia e shumë qytetareve, ndaj citoj edhe njëherë se nuk ka rëndësi se në çfarë dite e bënë pagesën e saj, por pagesa bëhet për vitin që qytetari paguan taksën vjetore.

 

Edlira MEMA

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.