METE riaktivizon Task-Force për sektorin minerar
Ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto në një takim të zhvilluar me përfaqësues nga disa prefektura të vendit, ka urdhëruar riaktivizimin e task-forcave në të gjitha qarqet ku ushtrohet sektori minerar për monitorimin e rreptë ndaj çdo operatori sa i përket, lejes për ushtrim aktiviteti, sigurisë dhe standardeve të kushteve të punës si dhe ruajtjen e standardit mjedisor.
Këto masa janë marrë nga METE pas aksidenteve të ndodhura në minierë, ku kanë mbetur të vdekur disa minatorë. Duke u ndaluar tek masat e mësipërme, ministri Haxhinasto shprehu domosdoshmërinë e kordinimit dhe bashkëpunimit të gjitha institucioneve për rritjen e efikasitetit të punës dhe relizimin e një standardi të ri në këtë sektor, siç e cilësoi, ndër më të rëndësishmit në vend. Po kështu Haxhinasto tha se do të vëzhgohen në mënyrë të prerë edhe investimet e bëra nga operatorët, për rritjen e kapaciteteve me qëllim rritjen e prodhimit.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto më tej ka bërë dhe një panoramë të ecurisë së sektorit minerar gjatë 2011, ku ka numëruar 7.8 milionë ton prodhim dhe rreth 340 milionë euro fitime nga eksporti.















