Ndeshja me Moldavinë, flasin protagonistët: Duhet të përmirësohemi

Lojtaret kuq e zinj janë shprehur të pakënaqur me rezultatin në ndeshjen miqësore me Moldavinë, e cila përfundoi në barazim 0-0 . Ata thotë se duhet të fitonin ndeshjen me Moldavinë dhe se kanë ende pune për t’u përmirësuar.”Po të kishim shfrytëzuar rastet e pastra që kishim ndeshjen do ta kishim fituar. Nuk është gjëja më kryesore për të parë, por duhet parë se kemi akoma shumë gjëra për të përmirësuar. Gjithashtu duhet të shfrytëzojmë rastet e në momentet që kemi topin e të shfrytëzojmë më mirë e t’i krijojmë vështirësi kundërshtarit në ndërtimin e ndeshjes. Edhe në pjesën tjetër me trajnerin jemi munduar që mos t’i lëmë hapësirë kundërshtarit në fazën e mbrojtjes”- tha  Lorik Cana, kapiteni i kombëtares.”Nuk ishte ndoshta dita jonë më e mirë ndoshta nga që ishte dhe një ekip në ndërtim e sipër, por duhet të them që rastet i kishim dhe në qoftë se do t’i shfrytëzonim i bie që loja merr tjetër rrjedhë”- tha sulmuesi Hamdi Salihi. “Ishte ndeshje e luftuar fort nga të dyja skuadrat. Mendoj që duhet të kishim bërë diçka më shumë me rastet që na u krijuan. Të kishim bërë të paktën një gol e loja do të merrte rrjedhë tjetër. Kjo ndeshje na shërben për të ardhmen pasi kemi ndeshjet eliminatore dhe besoj që na vlen”- tha mbrojtësi Andi Lila.

De Biasi: Me Qipron tjetër ndeshje

Në përfundim të ndeshjes miqësore me Moldavinë e cila u mbylli me barazim pa gola, trajneri i kombëtares Gianni de Biasi u shpreh se nuk është i kënaqur me formën e skuadrës. megjithatë ai premtoi se në ndeshjen e parë eliminatore të Botërorit 2014 kundër Qipros do jetë një Shqipëri ndryshe. “Ishte një ndeshje e veçantë dhe prisja që të ishte shumë e vështirë. Sigurisht, që nuk jam i kënaqur pasi kërkoja më shumë nga lojtarët, por kjo është e kuptueshme. Kam qenë vetë futbollist dhe e di që ndeshjet e gushtit janë të vështira për të gjithë lojtarët. Kjo u pa në aspektin fizik. Futbollistët i kishin këmbët e rënda, pasi ende nuk kanë arritur formën e tyre më të mirë. Megjithatë, kjo miqësore ishte shumë e vlefshme për të krijuar një ide të përgjithshme mbi skuadrën. Shpresoj që deri në nisjen e eliminatoreve lojtarët të gjejnë formën, por jam i bindur se në ndeshjen e parë kundër Qipros do të shihni një Shqipëri ndryshe”- tha De Biassi.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in