Njerëz të ditur në themelet e miqësisë me Suedinë

(Përjetime nga leximi u dy librave të shkrimtarit Viron Kona: ”Bukuri suedeze” dhe ”Për Ju, miqtë e mi !”)

Shkruar nga Prof.Dr.Hektor Veshi

Nxitja për të hedhur këto radhë shkrimi, më erdhi nga një rast i pazakontë: lexova librin me një frymë të thellë miqësore ”Për Ju miqtë e mi ”  të shkrimtarit të njohur Viron Kona, i dyti pas atij me titull “Bukuri suedeze”. Të dy këta libra, autori i shkroi si falënderim, mirënjohjeje e dëshirë për shtimin e ngritjen  lartë të miqësisë shqiptare-suedeze. Nuk i numëroj dot, por edhe nuk mundem, sa emra njerëzish suedezë e shqiptarë të sjellin parasysh të dy librat e z. Kona.

Bukuria e tyre, dashuritë njerëzore, përpjekjet për ngritjen e  vlerave njerëzore nga të dy krahët, sidomos nga shqiptarët, do të dëshiroja t`ua tregoja lexuesve në dy-tri fraza, por nuk mundem…

Ato mund të kuptohen thellë realisht, të të gëzojnë e të të frymëzojnë, vetëm duke i lexuar vetë çdo njeri, madje siç i themi ne në Shqipëri të lexohen me laps në dorë.

Por mua që mora lapsin të shkruaj diçka, si mbresa, jo veçse për veprat, po ju sjell në mendje lexues të dashur pak fakte, mbase më të rëndësishmet nga ato të njohurat në të dy librat e Vironit, por që  mua më kanë detyruar të formoj mendimin se vlerat e miqësisë ndërmjet popujve i hedhin dhe i forcojnë shumë njerëz, tregojnë male dashurie e besnikërie së bashku me dete diturie në bashkëveprim. Shtimi i atyre njerëzve dhe i kontributeve të pakursyera mund të themi se ka mundësi të shndërrojnë botën, ta bëjnë atë më të mirë. Teknika e sotme lehtëson e shpejton këto synime.

Nga informacioni i dy librave miqësorë të Viron Konës për Suedinë, e quaj me vend të nënvizoj disa nga ngjashmëritë dhe ndryshimet që, gjithsesi, meritojnë ëndërrime  e përpjekje për t`u përafruar me shqiptarët e mbarëshqipërisë, me miqtë drejt arritjeve të standardeve më të larta në shumë apo çdo aspekt.

Ndër ngjashmëritë, do të përmendja personalitetet e njohura botërisht, madje të rendit të parë. Suedezë janë botanisti i madh dhe realizuesi i sistematikës së botës bimore Karl Linne dhe shpikësi termometrit Celcius. Kurse, nga Shqipëria, do të përmendja humanisten e pashoqe në botë Nënë Tereza dhe mjekun nobelist Ferid Murati ( me gjak shqiptari ).

Si përfaqësues të gjallë dhe nga më aktivët  për njohjen dhe afirmimin e dy popujve tanë do të përmendja suedezin Ulmar Kvik dhe shqiptarin nga Kosova Sadulla Zendeli – Daja. Të dy këta personalitete të botës së dijes me banim në Suedi, po thuaj në një kohë, para afro 35 – 40 vjetëve, pa u lidhur me njëri – tjetrin, secili më vete, ia filluan me pasion një rruge të mundimshme për njohjen dhe hedhjen e  bazave sa më të forta për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy popujve tanë. Zoti Sadulla për përpjekjet që bëri e bën për akomodimin në Suedi në kuptimin e gjerë të kësaj fjale të shqiptarëve kosovarë, me doket, zakonet, vuajtjet e brengat e tyre. Ai u mbiquajt nga bashkëkombësit ”Daja” !

Dhe ky emër cilësues nderi, është bërë shtojcë e emrit të tij. Ndjeshmërinë e dashurisë dhe keqardhjen ndaj çdo shqiptari, sidomos kur ndodhej nën regjimin serb ose luftërat me të ( bashkë me mbarë botën ) ai i përmblodhi në librin me titull “Ditari i dhimbjeve” e botime ose veprimtari të tjera.

Dhe shihni paralelen me kahje tjetër, por me qëllim të njëjtë: Suedezi Ulmar Kvik, pas njohjes përmes shqipes së mësuar në radio, njohjes së shumë shqiptarëve, miqësimit me ta, bëmat dhe ëndrrat e tyre për jetën në liri si suedezët, shkroi librin titull – real e dramatik ”Më shumë heroizma se sa grurë” ! (Për bukurinë, realizmin dhe “prekjen në telat” e zemrave të shqiptarëve përmes këtij libri shkruhet ose citohet recenca shumë e bukur dhe e plotë e shkrimtarit Viron Kona, e botuar në gazetën “Republika” dhe e pasuar si flakë magjike të ndezura nga 19 kolegë, miq, shkrimtarë, gazetarë e mësues në Shqipëri, të cilëve, natyrisht do të doja t`u bashkëngjitesha edhe unë, sidomos edhe pas leximit të librit). Por fjalën nuk e kam vetëm këtu.

Njohja më sistematike dhe  e letërsisë, hapi horizonte të reja vlerësimi e bashkëpunimi që tashmë mund të themi, ka krijuar një ”bum”. Në këtë kuadër, na është krijuar mundësia, edhe nëpërmjet librave të  Viron Konës, të dimë pothuaj të gjithë titujt e letërsisë suedeze të përkthyer në shqip, por edhe ato të shqipes në suedisht. Në shqip letërsia suedeze është bërë e njohur përmes pak veprave të yllit suedez August Strindberg, autor i mbi pesëdhjetë veprave të gjinive të ndryshme. Por specifikisht, të vegjlit kanë shijuar dhe kanë mësuar shumë nga kryevepra me famë botërore shkruar për ta, siç janë “Pipi Çorapegjata”, e autores Astrid Lindgren e, sidomos, “Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Holgersonit’ (Gishtoja), i autores Selma Lagerlof. Sa shumë janë mësimet dobiprurëse e të këndshme për formimin qytetar të fëmijëve që transmetojnë vetëm këta dy libra ( Mësimi themelor është njohja dhe forcimi i dashurisë deri në admirimi i vendit të vetë, Suedisë ! Mesazh ky  nga më të mëdhenjtë për çdo qytetar të botës, i cili ka mbi 100 vjet që jepet apo rrezatohet te kushdo që i lexon e dëshiron të mësojë prej tyre).

Suedezët janë gjithashtu sqimtarë në përzgjedhjen e përkthimin e letërsisë në gjuhën e tyre. Vëmendje parësore tregojnë për letërsinë për fëmijë, që ajo t`i përgjigjet nivelit shkencor të jetës së atij vendi nga më të përparuarit  e botës.

Në Shqipëri, 5 – 6 vite më parë, zuri vend të parë dhe u vlerësua me çmime nga UNICEF, AMC dhe u cilësua  libri më i mirë i vitit libri i Viron Konës me titull “Eh, more Bubulino !” Bëhej fjalë për atë vogëlushin që u ngjet fëmijëve suedezë, mendjehapur, kureshtarë e ëndërrimtarë për shumë  e më shumë hapësirë diturie e arritje shkencore. Madje, me ëndrrat e tij për të shkuar në planetin Mars, ia kalon edhe “Nils Holgersonit” suedez etj., prandaj fëmijët suedezë, në biseda, e pyesin autorin Viron Kona, se si do të mund t`i kalojë Bubulinoja vështirësitë në nivelin e  sotëm të shkencës, që të arrijë brenda një kohe të arsyeshme në Marsin, aq shumë  larg nga Toka!

Pyetjet e  fëmijëve suedezë  e kanë vënë në provë bindjeje për ta e zgjidhjeje  autorin Viron Kona për ta përcjellë Bubulinon atje ! Pyetjet e menduara mirë, siç shkruan shkrimtari ynë, i bëjnë fëmijët e një populli që shoqëron brez pas brezi me logjikë e zgjidhje shkencore, dobiprurëse të përgjithshme,  gjithçka, që nga tabelat e mjetet mësimore të klasave, ndërtimi i rrugëve, vendosja e simboleve monumental artistik në qytetet e vendit si (diku Pinoku, diku gërshërët e rrobaqepësit ! ) Ose, le të përmendim, lëvizjen  e trageteve me anë të energjisë eolike ( energji që prodhohet me anë të erës ) etj. etj;

Janë ata, që nuk lejojnë të bëhet asgjë formale ose shkel e shko dhe arrijnë të mbrojnë pasuritë, natyrën; t`u gëzohen edhe shpendëve e kafshëve të egra të pyjeve, të cilat i mjekojnë kur pësojnë aksidente, shqetësohen kur ndonjë syresh braktis pyjet e vendit, duke kaluar në ndonjë vend fqinj !

U bënë disa dhjetëra vite, kur disa dhjetëra mijëra shqiptarë, për shkaqe  historike, politike, kanë lënë vendlindjen e tyre ( Kosovë ) ish Jugosllavi, dhe janë bërë qytetarë  me të drejta të plotë të Suedisë.

Është e pamundur të përmblidhen  e të përshkruhen  përpjekjet  e brengat e shqiptarëve kosovarë ( por edhe të të tjerëve pas 1992) për t`u “njësuar” me vendasit ose për afrimin e tyre, përveç ekonomik, edhe kulturor në tërësi, me tërë doket e zakonet që kanë gjetur e mbartin.

Shkolla ku arsimohen, klube kulturore, organe shtypi që publikohen, veprimtari të gjalla  e të pareshtura të përbashkëta etj., janë bërë “rutinë” e jetës për t`u ndjerë të dy palët pjesë e pandarë e popullit afro 10 milionësh suedez. Binjakëzimi i disa shkollave të të dy vendeve, Suedisë e Shqipërisë, dhe vizitat e ndërsjella të mësuesve, drejtuesve e grup-nxënësve, si dhe personaliteteve të letërsisë e publicistikës shqiptare Viron Kona e prof. Murat Gecaj, i kanë dhënë shtytje e ngjyrim të ri, miqësisë së re, të  madhe që ka lindur. Këtij bashkëpunimi dhe forcimit të kësaj miqësie, me Suedinë, po i shërbejnë edhe shumë  krijues e publicistë shqiptarë, përmes botimeve përmbledhëse, njohës të librave si ai i z. Sokol Demaku ”Mbrëmja në mërgim”, nga i cili s`mund të mos citohen vargjet tronditës si tërmet i thellësive të zemrës e tokës: ”Vendi im, o vendi im”/Një zë i lartë/Një fjalë e shtrenjtë…”( Për këtë personazh të jetës kulturore – arsimore e pedagogjike e politike të shqiptarëve të Suedisë, ka vend të shkruhet më vete! )

Me teh të ngjashëm krijimtarie, mund të thuhet se punojnë edhe krijues të tjerë të suksesshëm. Por mua m`u duk shumë i respektueshëm publicisti dhe krijuesi me moshë të re Bahtir Latifi, lindur më 1978 në Vushtri ( Kosovë), që krijimeve të veta me librin “As i gjallë e as i vdekur”, me idenë qenësore ”Guri rëndon në vend të vetë”, iu shton edhe “nektarin”’ e krijuesve të tjerë shqiptarë në Suedi dhe anë e mbanë botës, për t`ia servirur shqiptarit e qytetarit suedez ! Aty gjen informacione  e citime nga krijimtaria e  vyer e Sadulla Zendeli –Daja, portretizohet madhështori Ulmar Kvik, pasqyrohet artistikisht jeta e qytetares Qibrije Hoxha, flitet për profesorin Neki Babamusta, për autorin e poetin Limon Zogaj, që jeton në Gjermani, për poetin Ibrahim Abedini, që me preokupacion revokon vargjet e  të madhit Naim Frashëri për gjuhën shqipe dhe ruajtjen  e saj: ”Pa shihni ç`gjuhë e mirë/Sa shije ka e hije/Ç`e bukur dhe  e dëlirë/Si gjuhë perëndie!”, për poetin vlonjat Arqile Gjata që jeton e punon në Athinë, për Praq Radon, aktor shkodran që jeton në Amerikë, për Baki Ymerin, krijuesin e përkthyes që banon në Bukuresht ( Rumani ), për Bahrije Zogaj – Krasniqi, e cila jeton në Suedi me moton: “E pajisur mirë me dituri këtu në Suedi dhe pastaj…diku në Kosovë, duke punuar me të ardhmen tonë, rininë…”

Libri ndalet  edhe në shkrimin e prof. Murat Gecaj ”Me bashkatdhetarët e kolegët tanë Sokol Demaku e Bahtir Latifi…”; mbyllet me shkrimin”Ndjenjë e prekshme dhe  paharruar me miq nga Tirana”, që i kushtohet kujtimeve, mbresave nga vizita  e tij e parë në Tiranë, kryeqytet i Shqipërisë dhe i shqiptarëve kudo”.

Tingëllojnë si një refren dashurie dhe  përfundim artistik fjalët urim – zemre, të autorit Viron Kona: ”Qofshi gjithnjë të lumtur vëllezër dhe motra, ju dhe familjet tuaja; ju dhe miqtë tuaj, kudo dhe kurdoherë ! Ne jemi nga mesi i Dheut, aty ku qëndrojnë më gjatë dallëndyshet, aty, ku shqiponjat e shikojnë diellin drejt e në sy”, e pasohen nga fjalët poetike të Bahtir Latifit: “aty ku ngjallet gjithçka e zgjatet jeta.” Këtyre fjalive mbyllëse, të poetëve Viron Kona e Bahtir Latifi, s`mund t`u shtosh asgjë, pasi u kushtohen mbarë shqiptarëve për trojet shqiptare bashkë. Mbështetur në librat e shkrimtarit Viron Kona, që e kemi në analizë, nuk mund të mos përmendim dhe krijimtarinë e begatë të Hamit Gurgurit, Riza Sheqirit, Fetah Bahtirit e dhjetëra poetëve e shkrimtarëve shqiptarë nga Kosova, sot qytetarë të nderuar në Suedi.

I shërbejnë  fuqishëm miqësisë me Suedinë krijime të tilla, sigurisht edhe shumë e shumë të tjera,  sepse, i larti, të afron dhe të do, kur je i përafërt në të gjithë cilësitë ose, bën përpjekje të lavdërueshme për t`ia arritur të të vlerësojë, pastaj të të dojë.

Shkruar në Tiranë, Korrik – Gusht 2012

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in