Përse kjo padrejtësi ndaj basketbollit të femrave?

Publikuar më: 04/08/2012 7:39

Duke ndjekur turneun e basketbollit dhe volejbollit për femra në Olimpiadën e 30-të të Londrës)

Nga Skifter Këlliçi

Pas futbollit, sportet që dua më shumë janë basketbolli, të cilin e kam ushtruar deri në nivel kombëtar, por pa arritur të shquhem dhe volejbolli. Është kjo arsyeja që, qysh ditën e parë të Lojërave Olimpike, që po zhvillohen në Londër, ndoqa me interes ndeshjet e basketbollit SHBA-Kroaci për femra, SHBA-Francë për meshkuj, dhe ndeshjet e volejbollit Itali-Republika Domenikane dhe Poloni-Itali për meshkuj, që u fituan nga ekipet e para.

Ajo që më ka bërë dhe vazhdon të më bëjë përshtypje edhe tani, është ndryshimi i dukshëm i nivelit të basketbollit të femrave me atë të meshkujve, kryesisht në luftën nën tabelë. Në basketbollin e femrave nuk sheh kurrë që një basketbolliste të kërcejë aq lart, sa të shënojë kosh me një ose me dy duar, siç ndodh në ndeshjet e meshkujve. Kurse në volejbollin e femrave, me gjithë bllokun e ngritur nga kundërshtaret në rrjetë, sheh se ato arrijnë edhe të ngrihen mbi këtë bllok dhe të gjuajnë lirisht… Ashtu siç gjuajnë meshkujt. Pa më të voglin ndryshim. Dhe, mbi të gjitha, duke na dhuruar të njëjtin spektakël.

 Duke lexuar këto radhë, jam i bindur se sportdashësit tanë do të përfytyrojnë ndeshje volejbolli për femra, qoftë të nivelit botëror, evropian, ose edhe kombëtar, duke përfshirë veçanërisht ndeshjet e skuadrave tona legjendare, “Dinamos” dhe “Skënderbeut”, të viteve ’80-’90-të, të drejtuara nga Kreshnik Tartari dhe Pandi Gëllci. Atëherë, ata do të kujtojnë gjuajtjet e forta edhe mbi bllok, veçanërisht të Ela Tases legjendare, që përfundonin, jo rrallë, thuajse pingul mbi tapet, gjithashtu, blloqet e sakta që zmbrapsin këto gjuajte, përkuljet për t’i pritur ato, zhytjet për të mos lënë që të prekin parketin…

 Këto i pashë edhe në ndeshjet e mësipërme të volejbollit për femra që po zhvillohen në Lojërat Olimpike të Londrës. Pamje të njëllojta me ato të ndeshjeve të meshkujve. Por jo te ndeshjet e femrave në basketboll, ndonëse në ekipin amerikan bëjnë pjesë basketbolliste të NBA, pra ligës profesioniste amerikane dhe se përfaqësuesja e SHBA-ve ka fituar 8 herë kampionatet botërore që kanë nisur që nga viti 1953.

Cila është arsyeja? Tepër e thjeshtë. Sepse, sipas rregullores ndërkombëtare të volejbollit, lartësia e rrjetës për femra është 2.24 m, pra plot 19 cm më e ulët se lartësia e rrjetës në ndeshjet e volejbollit për meshkuj. Me këtë rast, po u kujtoj lexuesve se shpikësi a krijuesi i volejbollit më 1895, është Ulliam Morgani, (1870-1942), profesor i edukimit fizik në kolegjin e Holioku të Mesecjusetsit, qytet jo shumë larg Bostonit, ku jetoi prej rreth 14-vjetësh.

Sikur Ulliam Morgani dhe përpunuesit e mëpastajmë të rregullores së parë të volejbollit, të kishin vendosur që lartësia e rrjetës për femra të ishte 2.43, pra aq sa lartësia e rrjetës së volejbollit për meshkuj, atëherë as sot dhe asnjëherë, nuk do të kishim parë ato shfaqje me kërcime dhe gjuajte spektakolare që përmenda pak më sipër në volejbollin e femrave, duke përjashtuar ndoshta që ato mund t’i kryenin femra me gjatësi mbi 1. 90 deri 2.00, e ndoshta më shumë, dukuri fort e rrallë, po të marrim parasysh se femra të tilla duhej të ishin edhe shumë të shkathëta…

Mirëpo me Xhejms Naismithin nuk ndodhi kështu. Ai vendosi të shpikte lojën e basketbollit. Dhe u shty ngaqë, kur mbaronte sezoni i futbollit amerikan dhe bejsbollit. “… nxënësit ishin të detyruar që mësimin e edukimit fizik ta zhvillonin një sallë të vogël, ku ata bënin vetëm disa ushtrime, që ishin monotone dhe nuk ngjallnin shumë kënaqësi, ndaj drejtori i shkollës, Gulik, me qëllim që ata të vinin me dëshirë në mësim, që të argëtoheshin e të zbaviteshin, por edhe për t’i mbajtur në një kondicion të mirë fizik dhe agonistik, në periudhën e gjatë të dimrit, bisedoi me Naismithin, për të futur ndonjë gjë të re në këtë lëndë… (Feti Borova, ”Në gjurmë të historisë së basketbollit”, faqe 12-13, 2004).

 Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat e këtij libri të shkruar nga një prej specialistëve më të njohur të këtij sporti në Shqipëri, Naismithi krijoi këtë lojë.

Nuk është rasti të përshkruajë në këtë shkrim historinë e lindjes dhe zhvillimit të këtij sporti, por do të ndalem te problemi që na intereson: meqë ishte dimër, kjo lojë do të zhvillohej në një sallë nga dy skuadra kundërshtare, me nga pesë vetë secila, të cilët duhej të përpiqeshin që topin ta futnin përkatësisht në dy kosha, që ishin vendosur në dy anët e kundërta të një ballkoni të brendshëm, i cili rrethonte sallën, ku qëndronin shikuesit, pra edhe fushën. Dhe, meqë ky ballkon ishte 3.05 m lart nga dyshemeja, Naismithi vendosi që kjo do të ishte edhe… lartësia e koshave.

Pra, krejt rastësisht! Dhe të mendosh se kjo lartësi mbeti edhe pas përpunimit të mëtejshëm të kësaj rregulloreje, pa marrë parasysh se këtë lojë, që shpejt u bë shumë e dashur midis të rinjve amerikanë e pastaj të tërë botës, filluan ta luanin edhe vajzat edhe fëmijët.

Por është e çuditshme se si Sande Berensoni, (1866-1954), e cila konsiderohet si “nëna e basketbollit të femrave”, edhe ajo profesoreshë e edukimit fizik, por në kolegjin Smith në Northampton, në Mesecjusets, edhe ku qytet jo shumë larg Bostonit, ndonëse u mor, gjithashtu, me pasurimin e rregullores së basketbollit për femra, nuk e vrau mendjen si Morgani, që lartësia e koshit, pas të cilit u vendos pastaj një tabelë, pak a shumë e ngjashme me tabelën që njohim sot, të ishte më e vogël, që kështu të favorizonte vajzat me shtat më të shkurtër se djemtë, që të shënonin edhe ato sa më shumë kosha, pra sa më shumë pikë.

Këtë ndjesi kam pasur edhe unë dhe shokët dhe shoqet e mia që në vitet ’50-të të shekullit të kaluar, kur filluam të luanim këto dy sporte në Shtëpinë e Pionierit në Tiranë.

Kur luanim atje volejboll, rrjeta ishte fare e ulët. Kur fillova të luaja me shokë në Gjimnazin ”Qemal Stafa”, ajo tashmë ishte e lartë 2.24 si për të rinj, ashtu edhe për të reja. Dhe arrinim edhe të gjuanim mbi rrjetë, ndonëse vajzat – shumë rrallë. Por, kur zumë të luanim basketboll, lartësia e koshit, pikërisht 3.05 m, na dukej e tmerrshme, sidomos vajzave. Madje, kishte raste kur shoqet tona pyesnin: “Po pse rrjeta e volejbollit është për ne 2.24 dhe lartësia e koshit në basketboll është e njëjtë si për meshkuj, ashtu edhe për femra?

Dhe të mendosh se kjo pyetje bëhej në mesin e viteve ’50-të, pra thuajse 60 vjet më parë.

Rreth këtij problemi kam pas biseduar jo rrallë edhe me Feti Borovën, që citova pak më lart në këtë shkrim, së pari trajner i ekipit të “17 Nëntorit” të Tiranës në basketboll, në vitin 1957, kur unë luajta për një periudhë të shkurtër kohe, ndonëse, siç thashë më lart pa shkëlqim, dhe pastaj, kur u bëra gazetar në RTVSH dhe kur, siç e kam përmendur në një artikull me kujtime, botuar para disa ditësh në faqet e kësaj gazete, kemi komentuar së bashku edhe ndeshje ndërkombëtare basketbolli gjatë Lojërave të 20-ta Olimpike të Munihut, më 1972.

Dhe Fetiu, që më 2004-ën, u nda nga ne pas një aksidenti automobilistik, kur po kthehej nga Korça, pas një veprimtarie basketbolli, (nuk u shkëput nga ky sport deri në çastet e fundit të jetës së tij), më thoshte, si me të qeshur: ”FIBA, (Federata Ndërkombëtare e Basketbollit), është konservatore në këtë pikëpamje”.

Por, nga krahasimet që mund të bëjmë me sporte të tjera, do të vëmë re se federatat përkatëse janë treguar objektive dhe largpamëse në këtë drejtim.

Le të marrim atletikën e lehtë. Në garat e flakjeve të gjyles, shtizës dhe diskut, peshat e tyre janë të ndryshme për të dy sekset:

Pesha e gjyles për meshkuj: 7. 260 kg, për femra 4. 00 kg;

Pesha e diskut për meshkuj: 2 kg, për femra 1 kg;

Pesha e shtizës për meshkuj: 800 gr, për femra 600 gr;

Pesha e çekiçit për meshkuj: 7.260 kg, për femra 4 kg;

Në vrapimin 110, ose 400 m me pengesa, lartësia e tyre është 1. 06 m, për meshkuj dhe 84 cm në vrapimet 100 dhe 400 m, po me pengesa.

Përfytyroni ç’do të ndodhte sikur peshat e veglave të mësipërme dhe lartësitë e pengesave për meshkuj dhe femra të ishin të barabarta. Garat e tyre për femra nuk do të ishin aspak të bukura. Kurse ne shohim që gjylja e flakur nga femrat fluturon, mbi kufijtë e 20 metrave, e diskut mbi 60 metra, e shtizës edhe më larg, pra aq sa edhe largësitë që arrijnë meshkujt, dhe garat me pengesa ndiqen po me atë interesim si edhe garat e tilla për femra.

Arsyeja? Sepse përmasat në peshë ose lartësitë e mësipërme, janë të ndryshme, natyrisht, duke favorizuar për arsye objektive femrat.

Atëherë, përse nuk ndodh kështu edhe me lartësinë e koshave të basketbollit për femra që është, siç u përmend më lart 3.05, pra aq sa të meshkujve?

Dikush mund të thotë se ky problem është duke u kapërcyer, sepse me kalimin e viteve shtatlartësia e femrave që ushtrojnë në botë basketbollin, po rritet.

Është e vërtetë. Në librin e tij të mësipërm, Feti Borova paraqet një tabelë që pasqyron një rritje të tillë. Për shembull, në kampionatin botëror të basketbollit të zhvilluar në vitin 2002, në Kinë, shtatlartësia mesatare e disa skuadrave për femra paraqitej kështu:

Rusia: 1.86. 2 m, mbi 1. 90 m, 5 lojtare;

Kina: 1.86. 1, mbi 1. 90 m, 4 lojtare…

Koreja e Jugut: 1. 79. 5, mbi 1. 90, 2 lojtare;

Tunizia: 1. 78. 3 mbi 1. 90 m, asnjë lojtare… (“Në gjurmë të historisë së basketbollit”, 2004 faqe 83).

Sidoqoftë, kjo mesatare është shumë më e ulët se mesatarja e skuadrave më të mira të botës për meshkuj, që kalon rregullisht mbi 2 m dhe madje edhe mbi 2. 10 m.

Ja përse shumë rrallë, edhe këtu në SHBA, mund të shohim basketbolliste femra që të shënojnë duke zhytur topin në kosh, me kërcim në vend, dukuri që është bërë normale te ndeshjet e basketbollit për meshkuj, besoj edhe në vendin tonë, ndonëse siç më shpjegon Pandi Gëllci, trajneri i njohur i vajzave të “Skënderbeut” në volejboll në vitet ‘80, që banon së bashku më mua në afërsi të Bostonit, mesatarja e kërcyeshmërisë së femrave tona volejbolliste arrinte në fillim të viteve ’90-të në pak më shumë se 3 m dhe po kaq duhet të jetë edhe sot edhe në ekipet e basketbollit.

Për mendimin tim, ka ardhur koha që atë gabim të cilin pati bërë Naismithi dhe kolegia e tij, Besersoni, që në rregulloren e basketbollit lanë të njëjtën lartësi të koshit, (3. 05 m) edhe për basketbollin e femrave, FIBA duhet ta ndreqë.

Lartësia e koshit në basketbollin e femrave duhet të ulet të paktën 30 cm, pra të jetë jo më shumë se 2. 75-2. 80 m. Atëherë do të shohim në basketbollin e femrave po ato shfaqje që shohim në basketbollin e meshkujve. Dhe, sikur largësia e gjuajtjeve për tri pikë për femra të jetë jo 7. 24 m, sa ç’është për meshkuj, por 6. 24 m, dhe pesha e topit, (çuditërisht e barabartë si për meshkuj, ashtu edhe femra, 510- deri 753 gr), të jetë me pakët, p. sh. 500 gr, atëherë, gjithashtu, edhe përqindja e trepikëshave në ndeshjet e femrave, do të jetë edhe më e lartë.

Duke ndjekur Olimpiadën e Londrës, vazhdoj të shoh edhe ndeshjet e volejbollit dhe basketbollit për femra. Në të parat, midis të tjerash, si gjithnjë – gjuajtje mbi bllokun kundërshtar në rrjetë, sado i lartë të jetë ai. Arsyeja – rrjeta është 19 cm me ulët se e meshkujve.

Në të dytat – asnjë gjuajte me një dorë ose me dy duar të zhytura në kosh. Arsyeja – rrethi i tij i hekurt është 3. 05 m, pra i lartë sa koshi i meshkujve?

Çfarë padrejtësie!? Dhe FIBA, (Federata Ndërkombëtare e Basketbollit) ende nuk ka bërë atë që Federata Ndërkombëtare e Volejbollit e ka bërë për femra që në lindje të kësaj loje: Pra, të ulë të paktën 20 cm lartësinë e koshit në basketbollin e femrave.

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.