Piktori që ngre në art kontributin e Ushtrisë
Nga Xheladin Çelmeta
Nesë këto ditë ju ka rënë rruga të kaloni ndonjëherë në trotuarin përpara shtypshkronjës “Toena” afër “21 Dhjetorit” me siguri do keni parë të ekspozuara në fasadën e murit anësor një varg tabllosh, realizime në vaj të përmasave të ndryshme.Poaty, pranë një telajoje të ngritur në këmbalec, rrin edhe realizuesi i këtyre punimeve, piktori Faik Skopeci. Është ushtarak, me gradën major. I veshur civil dhe me një kapele në kokë për t’u mbrojtur nga dielli i fortë, ai ka parapëlqyer që ditët e lejes së zakonshme të mos i kalojë si shumë kolegë të tjerë të tij në ndonjë plazh në bregdet duke marrë rreze, por duke ekspozuar punimet e tij në pikturë, qoftë edhe për të shitur ndonjërën prej tyre, sipas një çmimi të arësyeshëm. “Më josh marketingu dhe jo vetëm kaq, por them gjithashtu se punimet që kam realizuar, kështu arrij që t’i testoj duke provuar ndërkaq konkurencën reale në treg. Kështu provoj vetven, ç’ka më jep edhe ndjesinë e vlerave që kam krijuar përmes penelit”, thotë ai me vetëbindje. Cili është zhanri i punimeve në pikturë të Faik Skopecit? Për këtë duhet t’i referohesh gjithë begraundit të këtij piktori, që nga viti 1997, moment kur ai për herë të parë provoi penelin dhe nisi të pikturonte. “Rrëmbeva penelin, kur të tjerët morën kallashin”, thoshte ai në një intervistë të tijën disa vite më parë, botuar në një të përditshme shqiptare. Drama e hidhur e vitit të mbrapshtë ’97, kur kudo shpërthenin depot dhe armët, dukej se ishte dhe shtysa që e nxiti atë të kthente kokën tek pejsazhi i bukur shqiptar. Ky pejsazh, po tronditej, po zhbëhej nën krismat pa kuptim të armëve që shkrepnin lart, në çdo cep e në çdo skaj, si të ishim të nëmur nga vetë djalli. Ngacmimi i vinte nga thellësia e shpirtit. Delikatesa e piktorit ishte zgjuar sakaq. Dhe kjo s’e linte të qetë. Deri në ato çaste, ai as që e kishte marrë me mend se mund të pikturonte ndonjëherë. Kurrë. Por ja që… Në atë kohë Faiku shërbente në një repart të Laçit. Pasi kaloi marrëzia e ’97-tës, përgjatë dy-tre vjetëve, peneli i tij nuk kishte pushuar për asnjë çast.
Gjithsesi, punimet e tij në fillim ishin të kursyera: ato numëroheshin me gishtat e dorës. Më pas, ato kaluan në renditje dy shifrore, ndërsa tani inventari i gjithë punimeve të tij është mbi 150 piktura. Një arsenal i mjaftueshëm për të merituar emrin “piktor”. Faiku duket se është ndjerë fatlum që po shërbente në një repart xhenier. Xhenio, sipas tij, është arma më domethënëse, pasi vetë misioni i saj në realitetin e ri të Ushtrisë në demokraci është ndërtimi i rrugëve dhe urave në shërbim të komunitetit. Përsëri pejsazhi… Ai “idelpërpara” kudo. Nga veriu në jug, xhenierët do ngrinin ura e do shtronin rrugë. “Vite më parë, as që ma merrte mendja se vendin më të madh të punimeve do ta zinin tematika të tilla si urat “Bejli” dhe rrugët e rikonstruktuara”, thota ai. Të gjitha këto vepra u realizuan nga djersa e ushtarëve dhe oficerëve të mrekullueshëm shqiptarë.
Ushtria shqiptare në këto vite ndërhyri me kontributin e saj në dhjetra fshatra të Shqipërisë; si në ato të Shkodrës, Skraparit, Tiranës, Librazhdit, Vlorës, etj. Ajo do të hapte rrugë të reja në Qafë-Morinë të Tropojës, në Llogara, në Bogovë, në Kutalli, etj, etj. Xhenierët rikonstruktuan deri edhe urën e famshme të Bunës, në vitin 2002. Kishte vite të tëra që ajo priste dorën e shtetit dhe xhenierët ja rikthyen asaj famën e dikurshme. Të gjitha këto aspekte peneli i Faik Skopecit i ka rrokur një për një. Kurrë s’i pëlqen të rrijë i lidhur mbas një ideje fikse, të vetme. Ndaj dhe i ruhet kurthit të skematizmit, dhe asnjëherë nuk ja lejon vetes të bjerë nën “skllavërinë” e monotonisë. Herë pas here, ai “delnga tema”. Në bredhjet e tij nëpër Shqipëri me detyrën si specialist i medias në Shtabin e Përgjithshëm (ky është funksioni aktual i tij) ai nuk e ndan nga vetja aparatin fotografik. Një shtëpi e veçuar majë një shkrepi, rrënojat e një ure të vjetër, një shkëmb i thepisur, një fragment kalaje, etj, etj, për të s’janë gjë tjetër, veçse pikënisje e një pikture të re. “Befasia” e tij si “piktor i ushtrisë” natyrisht ishte hapja e ekspozitës së parë të pikturës në mjediset e Qendrës Kulturore të Ushtrisë, në vitin 2000. Që nga ajo kohë, kanë kaluar vite. Tani shtëpia e Faikut (ai jeton me qira në Tiranë) është e tejmbushur me piktura. Bashkëshortja e tij Mira ndjehet paksa në hall, por nuk ja prish të shoqit. Shumë prej këtyre pikturave kanë patur rrugëtime të çuditshme: Faiku ka çelur disa herë ekspozita pikture jashtë vendit: Fillimisht kur ishte me studime jashtë vendit në Turqi, dhe një herë tjetër në Itali. Kurse në Tiranë ai ka hapur disa herë ekspozita me pikturat e tij, ku dhe ka marrë vlerësime nga ushtarët, kolegët, si dhe nga eprorët. I dhënë pas studimeve, sidomos në gjuhën italiane, ai ka krijuar rrjetin e tij të dashamirësve në “facebook”; jo vetëm atyre italianë por dhe nga vende të tjerë të Europës.
Mundësitë që të jep teknologjia e sotme është një thesar i çmuar për të. Rrëfen: “Pak kohë më parë më rastisi diçka e çuditshme. Teksa po lexoja një revistë italian, rashë në gjurmë të një piktori Italian të kohës së Luftës së Dytë Botërore. Ai kish qenë në Shqipëri me formacionet e ushtrisë italiane, si ushtar. Më duket se në Korçë, ai kish realizuar edhe një pikturë shumë të bukur. Më e çuditshmja qe se unë arrita të gjej adresën e djalit të tij, që jetoka sot në Romë. I shkrova në internet. Më ktheu përgjigje, dhe më tha se kish arritur që të “zbulonte” pikturat e mia, t’i sodiste ato, pasi të tëra i kam të hedhura në internet. E kemi lënë që kur të vijë ndonjëherë në Tiranë të takohemi dhe të pijmë një kafe së bashku”. Major Skopeci dëshiron që shërbimit të Xhenios, aty ku ai punoi për vite me radhë, t’i lerë dy historikë; njërin të shkruar, dhe tjetrin të pasqyruar me foto dhe piktura. Ndaj dhe libri i tij “Dimensioni njerëzor i xhenierëve”, botuar në vitin 2005 ka zënë vend në bibliotekat e njsive të Ushtrisë shqiptare, tani anëtare e NATO-s, qysh prej tre vjetësh….
I madhi Fatmir Haxhiu, si dhe të tjerë piktorë si Dulejman Topallaji, Skënder Sulku, etj, njihen prej kohësh si piktorë që i kanë lënë vepra e punime dinjitoze historikut të Ushtrisë Shqiptare. Ka më pas edhe emra të tjerë si; mjeshtri i portretit Ndini Bardhi, apo edhe Robert Përmeti e Kosta Raka, sot ende në aktivitet, etj. Në këtë vazhdë të njerëzve të penelit Faiku ndjehet mirë që edhe ai ka kontributin e tij, sado modest. Ai mendon se përtej detyrës rutinë, përtej rrogës së shtetit, mund të kontrobuohet edhe kështu: Duke vënë talentin e tij për të respektur edhe më shumë djersën e njerëzve me uniformë, djersën e ushtarëve profesionistë, të oficerëve të ushtrisë Shqiptare. “Kështu misioni i ushtarakut bëhet më sublim dhe talenti “furnizohet” edhe më shumë me energji nga energjia e këtyre njerëzve të mrekullueshëm”, shprehet ai.















