Pranimet në universitet, datat e konkursit për disa degë

Publikuar më: 16/08/2012 10:11

EKSKLUZIVE/ Cikli i parë i studimeve, tarifat e regjistrimit për konkurrim në disa programe studimi

Udhëzimi i MASH: Afatet dhe procedura e regjistrimit në provimet e pranimit për disa programe studimi për vitin 2012-2013. Kur nisi regjistrimet e kandidatëve. Lista e plotë me tarifat për secilin fakultet

Shumë maturantë që kanë zgjedhur të ndjekin studimet për Arkitekturë, apo në Universitetin e Artit, apo të Sporteve, duhet ti nënshtrohen një konkursi pranimi, kundrejt një tarife të caktuar. Kështu, dega e Arkitekturës ka tarifën më të shtrenjtë të regjistrimit për konkursin, 8 mijë lekë. Sipas një udhëzimi të ministrisë së Arsimit për të konkurruar në ndonjë nga degët e Universitetit të Sporteve të Tiranës, apo dhe në degë të tjera të Akademisë së Arteve, tarifa është 5 mijë lekë. Ndërsa më lirë është programi i edukimit fizik në universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, vetëm 4 mijë lekë. Regjistrimet nisin në 16 gusht tek arkitektura ndërsa konkurset do të jenë në data 3, 4 dhe  pesë shtator. Pesha e konkursit do të zërë rreth 70 për qind të vlerësimit dhe 30 për qind do e zënë provimet e maturës dhe mesatarja e kandidatit. Fillimisht bëhet regjistrimi sipas afateve të caktuara, ku dorëzohet dosja me dokumentet e kërkuara.

Udhëzimi:

Programet e studimit me konkurs

Pranimet në programet e ciklit të parë të studimeve me kohë të plotë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, për vitin akademik 2012-2013, në:

- Universitetin e Arteve të Tiranës (të gjitha programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë);

Akademinë e Arteve Shkodër (të gjitha programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë);

- Universitetin e Sporteve të Tiranës (të gjitha programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë);

- Universitetin Politeknik të Tiranës (programet e integruara të studimit të ciklit të dytë “Arkitekturë” dhe “Arkitekturë-Urbanist”);

-  Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër (programi i studimit të ciklit të parë me kohë të plotë “Edukim Fizik dhe Sporte”);

- Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan (programi i studimit të ciklit të parë me kohë të plotë “Edukim Fizik dhe Sporte”);

- Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës (programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë, të Fakultetit të Studimeve të integruara me Praktikën FASTIP), të bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe të rezultateve të fituara nga konkursi i pranimit, i organizuar nga këto institucione Publike të Arsimit të Lartë.

- Në Universitetin e Arteve të Tiranës dhe në Akademinë e Arteve në Shkodër, rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore), të llogariten në masën 30% dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 70%. Konkurrimi për kandidatët e Akademisë së Arteve të Shkodrës do të kryhet në bashkëpunim me Universitetin e Arteve të Tiranës, në ambientet e këtij të fundit. Ndërkohë, kandidati që nuk kalon pragun e pikëve minimale të konkursit të pranimit, në programin ku ka konkurruar, sipas përcaktimit për program studimi, nuk fiton të drejtën e studimit.

- Në Universitetin e Sporteve të Tiranës rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore), të llogariten në masën 50%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit në masën 50%.

-  Në Universitetin Politeknik të Tiranës, në programet e studimit “Arkitekturë” dhe “Arkitekturë-Urbanist”, rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore), të llogariten në masën 40% kurse rezultatet e konkursit të pranimit në masën 60%,

- Në universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër dhe universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, në programin e studimit “Edukim Fizik dhe Sporte” rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore), të llogariten në masën 50%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit në masën 50%.

- Në programet e studimit të FASTIP të universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, rezultatet e shkollës së mesme (nota mesatare e viteve të shkollimit dhe gjithë provimet e Maturës Shtetërore), të llogariten në masën 40%, kurse rezultatet e konkursit të pranimit (gjuha angleze dhe intervista e punësimit) në masën 60%.

Pikët minimale dhe maksimale për konkursin

Për të gjitha programet e studimit, pikët minimale dhe maksimale të konkurseve përcaktohen në tabelën nr. 2, bashkëngjitur këtij udhëzimi. Kandidatët që kanë kërkuar në formularin A2, si edhe kandidatët shqiptarë që do të marrin pjesë në konkurset e pranimit për këto programe studimi nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Malit të Zi dhe nga Lugina e Preshevës të regjistrohen për zhvillimin e konkursit pranë sekretarive mësimore të fakultetit përkatës.

Periudha e regjistrimit

Periudha e regjistrimit do të jetë nga data 16 gusht 2012 deri në orën 12:00 të datës 27 gusht 2012. 10. Agjencia Kombëtare e Provimeve AKP, deri në datën 14 gusht 2012, të përgatisë listën e konkurrentëve për konkurset e pranimit në programet e studimit sipas pikës 1, të këtij udhëzimi, sipas preferencës së kërkuar prej tyre në formularin A2. Listat e konkurrentëve për secilin konkurs pranimi, në formë të shkruar dhe elektronike, t’u dorëzohen institucioneve publike të arsimit të lartë, sipas programit të studimit, në datën 15 gusht 2012 nga AKP për të gjithë kandidatët që kanë plotësuar formularin A2 dhe nga MASH-i për kandidatët shqiptarë që do të marrin pjesë në konkurset e pranimit për këto programe studimi nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Malit të Zi dhe nga Lugina e Preshevës. Rektoratet dhe dekanatet eIAL-të Publike do të shpallin në mjedise të dukshme të institucioneve të tyre deri në datën 10 gusht 2012: datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për të siguruar një ecuri normale të procesit të regjistrimeve në konkursin e pranimit në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë.

Datat e konkursit për secilën degë

Sekretaritë mësimore të fakulteteve përkatëse, me listën e dorëzuar nga AKP dhe nga MASH, në datën 17 gusht 2012, ora 12:00 do të shpallin listat e konkurrentëve të regjistruar dhe do t’i afishojnë ato në vende të dukshme, në mjediset e fakulteteve të tyre.

Datat e konkursit të pranimit në këto institucione publike të arsimit të lartë, të jenë sipas këtij kalendari:

Universiteti i Arteve, Tiranë, për të gjitha programet e studimit në:

a) Fakultetin e Muzikës 27 gusht-1 shtator 2012;

b) Fakultetin e Artit Skenik 27 gusht-1 shtator 2012;

c) Fakultetin e Arteve Figurative 27 gusht-1 shtator 2012.

Universiteti i Sporteve të Tiranës, për programet e studimit:

a) Shkenca e lëvizjes 29-31 gusht 2012;

b) Fushat e veprimtarisë fizike, të shëndetit dhe të rekreacionit 29-31 gusht 2012.

14.3 Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, për programin e studimit:

a) Edukim Fizik dhe Sporte 27-29 gusht 2012.

Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan për programin e studimit:

a) Edukim Fizik dhe Sporte 27-29 gusht 2012.

Universiteti Politeknik i Tiranës, për programet e studimit:

a ) Arkitekturë 3-5 shtator 2012;

b) Arkitekturë (Urbanist) 3-5 shtator 2012.

Universiteti “A. Moisiu” i Durrësit (FASTIP) për programet e studimit (programe në gjuhën angleze):

a) Menaxhim i bankave 27-29 gusht 2012;

b) Menaxhim Hoteleri Turizëm 27-29 gusht 2012;

c) Menaxhim i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme 27-29 gusht 2012;

d) Multimedia dhe Teknologji informacioni 27-29 gusht 2012.

Akademia e Arteve Shkodër, për të gjitha programet e studimit në:

a) Fakultetin e Muzikës 27 gusht-1 shtator 2012;

b) Fakultetin e Arteve Figurative 27 gusht-1 shtator 2012.

Tarifat

Tarifat e regjistrimit të kandidatëve pjesëmarrës në konkurset e pranimit në këto institucione publike të arsimit të lartë të jenë si më poshtë:

a) Në të gjitha programet e studimit në Universitetin e Sporteve të Tiranës: 5,000 (pesë mijë) lekë.

b) Në të gjitha programet e studimit në Universitetin e Arteve, Tiranë: 5,000 (pesë mijë) lekë;

c) Në programet e studimit në universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër: “Edukim fizik dhe sporte”, 5.000 (pesë mijë) lekë dhe “Pikturë-Grafikë”, 5,000 (pesë mijë) lekë.

d) Në programin e studimit “Edukim Fizik dhe Sporte” në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan: 4,000 (katër mijë) lekë;

e) Në programin e studimit “Arkitekturë” dhe “Arkitekturë-Urbanist” në Universitetin Politeknik të Tiranës: 8,000 (tetë mijë) lekë.

f) Në të gjitha programet e studimit në Akademinë e Arteve, Shkodër: 5,000 (pesë mijë) lekë.

Të gjitha tarifat e regjistrimit për konkurrim në programet e ndryshme të studimit të ciklit të parë me kohë të plotë të arkëtohen nëpërmjet sistemit bankar ose zyrave të postës shqiptare, për llogari tëIAL-së Publike përkatëse. Konkurset e pranimit në këto institucione Publike të Arsimit të Lartë do të monitorohen nga përfaqësues të MASH-it. Rezultatet e konkurseve të pranimit të dërgohen në MASH e në AKP, në letër dhe CD, brenda 3 ditëve nga përfundimi i tyre. Për konkurrentët nga Republika e Kosovës, vetë IAL-të publike përkatëse, do të shpallin kandidatët fitues, sipas kuotave të miratuara për çdo program studimi.

Edlira MEMA

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.