Rregullat e qarkullimit rrugor, shkelësit më të mëdhenj

Publikuar më: 13/08/2012 10:56

Këmbësorët dhe drejtuesit e automjeteve, kush janë shkelësit më të mëdhenj të rregullave të qarkullimit rrugor. Nga se shkaktohen aksidentet

Ndër shkelësit më të mëdhenj të rregullave të qarkullimit janë vetë këmbësorët, të cilët jo në pak raste bëhen edhe shkak i një sërë aksidenteve që ndodhin nëpër rrugë. Lidhur me këtë problem gazeta “Republika” ka bërë një vëzhgim për sa i takon problemit që lidhen me zbatimin e rregullave të qarkullimit, nëpër disa rrugë kryesore të kryeqytetit. Në shumë rrugë kryesore, mund të zërë syri grumbuj njerëzish që ecin me hapa të shpejtë në mes të rrugës, edhe kur nuk është radha e tyre, por e automjeteve. Asgjë dhe asnjë nuk mund ti ndalë këmbësorët e metropolit, të cilët enden nëpër të gjitha rrugët me shpejtësinë e erës, pa menduar për rrezikun që mund ti shkaktojnë vetës, apo të tjerëve, në rastet e ndodhjes së ndonjë aksidenti.

Mbipopullimi i Tiranës

Një ndër faktorët e mbingarkesave që vinë nëpër të gjitha asket rrugore të kryeqytetit është edhe fakti se vitet e fundit ai është mbipopulluar tej mase. Mbipopullimi sjell edhe fluks të madh nëpër të gjitha rrugët e Tiranës, gjë që vështirëson edhe kalimin lirshëm të automjeteve.

Shkelja e rregullave të qarkullimit nga ana e këmbësorëve, vesi i shqiptarëve!

Ndonëse për të mbarëvajtur të gjithë sistemin e qarkullimit rrugor, janë vendosur një sërë rregullash, të cilat duhet të zbatohen si nga drejtuesit e mjeteve, por edhe nga këmbësorët, shumica e tyre nuk respektohen nga të dyja palët. “Duhet thënë se në vendin tonë ndodh një fenomen i çuditshëm, pasi shkelësit më të mëdhenj të rregullave të qarkullimit rrugore, janë vetë këmbësorët, qytetarët. Më pas vinë vetë drejtuesit e mjeteve”-kështu shprehet për “Republika”, një polic i qarkullimit rrugor, pranë kryqëzimit të Rrugës së Elbasanit. Sipas tij, këmbësorët nuk presin deri sa shenja përkatëse e semaforët të tregojë se radha për të kaluar rrugën është e tyre, ata mjaftohen edhe nëse del ngjyra e kuqe, aq më tepër që disa kanë edhe guxim, duke ecur mes automjeteve.

Rastet e aksidenteve

Ndër shkaktarët kryesor që ndodhin edhe aksidente rrugore, disa prej tyre edhe me pasoja për jetën, vinë si mungesë e respektimit të rregullave të qarkullimin nga ana e këmbësorëve. Ata në shumicën e kohës renden të ecin me të shpejtë mes rrugëve plotë makina, apo të kalojnë anën tjetër të kryqëzimit pa marrë parasysh se çfarë ngjyre ka semafori. Fluksi i madh i njerëzve nëpër rrugët e Tiranës, bën që edhe lëvizja e tyre të  jetë më e vështirë. Ndonëse rregullat dhe ligjet vendosen, ato në shumë raste nuk respektohen, madje vetë qytetarët janë shkelësit e parë. Kjo ndoshta shpjegohet me vetë faktin pasi mosrespektimi i rregullave dhe devijimi nga linja e tyre e drejtë, mbetet vesi i përhershëm i shqiptarëve. Mungesa e qytetarisë, e sjelljes sipas normave dhe etikës qytetarë bën që në shumë raste të lindin probleme të tilla, siç janë problemet në rrugë, aksidentet, trafiku i rënduar, papastërtia e qytetit, etj. por duhet thënë, në lidhje me shkaktarët e aksidenteve janë edhe vetë drejtuesit e mjeteve, të cilët nuk ngelen pa faj. Ata, duke mos respektuar rregullat e qarkullimit dhe drejtimit të mjeteve bëhen shkak i një sërë aksidenteve, që u marrin jetën njerëzve të pafajshëm.

Mbikalimet

Ndërkohë që pothuajse në të gjithë zonën e autostradës Tiranë-Durrës janë vendosur mbikalime, të cilat shërbejnë më tu ardhur në ndihmë këmbësorëve për të kaluar rrugën. Por një ndër fenomenet më të çuditshme që ndodhin në vend, është edhe mosrespektimi i këtyre objekteve, të cilat janë ndërtuar enkas për qytetarët, që të mundësohet vajtja e tyre në destinacion, pa bërë të mundur ecjen e tyre përgjatë një rruge më të gjatë. Ndërkohë që vetë këmbësorët janë të parët që thyejnë këto rregulla, dhe në shumë raste preferojnë që të përballen me një sërë rreziqet, siç është ajo e shkaktimit të ndonjë aksidenti, sesa të kalojnë në mbikalime. Ata preferojnë rrugën më të shkurtër, e më të lehtë sipas tyre, që është ajo e kalimit nëpërmjet trarëve nderës të autostradave. Por kjo rrugë e shkurtër mund të ndodh që atyre tu kushtojë shumë, deri edhe në humbjen e jetës. Shumë herë është përfolur edhe nëpër media vizive, se kalimi i këmbësorëve përmes rrugëve, pra duke kaluar muret ndarëse të autostradës, janë kthyer në burim aksidentesh dhe përgjakjesh, kjo vetëm e vetëm se qytetarët nuk i kushtojnë rëndësi kalimit nëpër mbikalime.

Edlira MEMA

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.