Universitetet, kuotat dhe tarifat e studimit

Publikuar më: 11/08/2012 8:21

Lista e plotë me numrin e pranimeve në institucionet e Arsimit të Lartë Publik në vend për ciklin e parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë. Kuotat për kandidatët nga trojet. Kostoja e studimeve

Rritet numri i kuotave të pranimit në universitetet publike për vitin akademik 2012-2013. Kështu, në mbështetje të ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr. 8098, datë 9.4.1996, përfitojnë të gjithë ata studentë, të cilët kanë statusin e të verbrit, fëmijët që kanë statusin e invalidit para dhe tetraplegjikë, fëmijët e invalidëve të punës, fëmijët e ish të dënuarve gjatë regjimit komunistë, fëmijët e policëve të vrarë gjatë detyrës, jetimët.

Vendimi:

Në vendim përcaktohen kuotat e përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2012-2013, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, janë 27 647, të ndara, si më poshtë vijon:

a) Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë, si dhe për programet e integruara të studimit të ciklit të dytë 27 047;

b) Kuota për program të dytë studimi 200;

c) Kuota për transferim studimesh 300;

ç) Kuota për shtetasit e huaj 100.

Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë përbëhet nga:

a) Kuotat e pranimit për kandidatët brenda territorit të vendit 26 307;

b) Kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit 700;

c) Kuotat për të verbrit (të veçanta) 20;

ç) Kuotat për romët dhe ballkano-egjiptianët 20.

Kuotat e pranimit në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, sipas shkronjës “a” të pikës 2 të këtij vendimi, të ndara sipas programeve të studimit të institucioneve publike të arsimit të lartë, pasqyrohen në tabelën nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Kuotat e pranimit për programet e studimit të ciklit të parë, të përcaktuara në shkronjën “b” të pikës 2 të këtij vendimi, ndahen ndërmjet kandidatëve shqiptarë, të trojeve jashtë kufijve të vendit: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Preshevë, Bujanovc e Medvegjë dhe pasqyrohen në tabelën nr. 2, bashkëlidhur këtij vendimi.

Rishpërndarja e kuotave

Rishpërndarja e këtyre kuotave kryhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Shqipërisë, sipas propozimeve nga ministritë e arsimit dhe autoritetet përgjegjëse respektive. Në bazë të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shkencës, kandidatët nga Republika e Kosovës aplikojnë direkt në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, në programe të studimit të ciklit të parë me kohë të plotë. E njëjta procedurë ndiqet edhe për kandidatët nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Malit të Zi dhe nga Prefektura e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Kriteret e vlerësimit dhe të pranimit të tyre në këto programe studimi përcaktohen nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë dhe bëhen të njohura në median e shkruar e elektronike për të gjithë kandidatët e interesuar.

Kuotat e përcaktuara për statusin e të verbrit

Kuotat e pranimit për të verbrit, ndahen për kandidatët më statusin e të verbrit, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas propozimit të Shoqatës Kombëtare të të Verbërve.

Kuotat për romët dhe egjiptianët

Kuotat e pranimit për romët dhe ballkano-egjiptianët, ndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas propozimeve të Shoqatës Kombëtare të Romëve dhe asaj të ballkano-egjiptianëve.

Kuotat për të huajt

Kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ato shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe, si dhe në bazë të kërkesave individuale, të paraqitura në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nga persona të interesuar.

Tarifa e shkollimit

Tarifat vjetore të shkollimit për studentët që regjistrohen në vitin e parë, në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të plotë, si dhe në programet e integruara të studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë, për vitin akademik 2012-2013, pasqyrohen në tabelën nr. 1, bashkëlidhur këtij vendimi. Kandidatët, që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi të ciklit të parë në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin e ri akademik 2012-2013, dhe që vijnë nga këto shtresa sociale, si: personat që nuk shikojnë/personat që nuk dëgjojnë, invalidët e punës dhe fëmijët e tyre, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe fëmijët e tyre, jetimët, fëmijët romë, ballkano-egjiptianë, fëmijët nga prindër të dënuar politikë me heqje lirie, fëmijë të policëve e të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të rënë ose të plagosur për shkak të detyrës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit.

 

Studentët përsëritës

 

Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës, i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik, në të cilin vazhdon studimet.

Studentët me rezultate të larta

Në çdo program studimi në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në vitin akademik 2012-2013, 3 (tre) studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë-preferencë), në programin e studimit përkatës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit.

Kuotat për transferim

Kuotat e pranimeve për një program të dytë studimi, si edhe kuotat për transferim studimesh, shpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, mbështetur dhe në kërkesat e institucioneve publike të arsimit të lartë. Transferimet e studentëve në numrin përkatës të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bëhen nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë, sipas kritereve të përcaktuara në aktet nënligjore dhe në statutin e rregulloret e tyre. Studentët, që transferojnë studimet nga një program studimi apo nga programe të mëparshme studimi të ciklit të parë, në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet. Ndërkohë, të gjithë kandidatët, që kanë përfunduar me sukses provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të “Maturës Shtetërore”, si dhe programin e parë të studimeve me rezultate të shkëlqyera, gëzojnë të drejtën të vijojnë studimet në një program të dytë studimi, brenda numrit të kuotës së përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë për pranimet në një program të dytë studimi.

 

Kandidatët që kërkojnë një program të dytë studimi

Kandidatët, që kërkojnë të studiojnë në program të dytë studimi në Universitetin e Arteve, në Universitetin e Sporteve të Tiranës, në programin e studimit të ciklit të parë “Edukim fizik dhe sporte” të universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, e të universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan, Akademinë e Arteve të Shkodrës, si dhe në programet e studimit “Arkitekturë (Arkitekt)” dhe “Arkitekturë (Urbanist)” të Universitetit Politeknik të Tiranës, përveç përcaktimeve të pikës 15 të këtij vendimi, duhet të plotësojnë edhe kriteret e veçanta (përfshirë këtu konkurset e pranimit), të vendosura nga vetë këto institucione të arsimit të lartë. Studentët që vijojnë një program të dytë studimi, i nënshtrohen tarifës vjetore të shkollimit të njëjtë me koston e plotë të studimeve, të përcaktuar në tabelën nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Sa u takon shtetasve të huaj, që vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen së njëjtës tarifë shkollimi, si shtetasit shqiptarë që vazhdojnë studimet në një program të dytë studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje zyrtare shtetërore janë vendosur mënyra të tjera të përcaktimit të tarifave të shkollimit.

Si bëhet pranimi i studentëve

Pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë bëhet nëpërmjet parimit meritë-preferencë dhe kryhet në dy raunde (me dy formularët A2 dhe A3). Shpërndarja e maturantëve kandidatë në programe të ndryshme studimi, të ofruara nga institucionet publike të arsimit të lartë, bëhet në mënyrë të informatizuar, duke u mbështetur në rezultatet e shkollës së mesme, të Maturës Shtetërore (merita), si dhe të përzgjedhjes së programeve të studimit (preferenca), të bërë nga vetë kandidati/ja. Raundi i parë (aplikimi me formularin A2) zhvillohet në dy faza: faza paraprake dhe ajo përfundimtare. Kuotat, që mbeten të parealizuara, rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të propozimeve të institucioneve publike të arsimit të lartë, vetëm për ato programe studimi ku nuk cenohet parimi i “meritës”. Shpërndarja e kuotave realizohet nëpërmjet plotësimit të formularit të ri të aplikimit A3 (raundi i dytë), sipas preferencave të kandidatëve. Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët kanë aplikuar me formularin A2 dhe nuk figurojnë të regjistruar në asnjë program studimi edhe pas mbylljes së fazës përfundimtare të regjistrimeve. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe institucionet publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.