Akademia e Rendit, certifikohen 193 punonjës të rinj të Policisë së Shtetit

Publikuar më: 12/09/2012 12:00

Noka: Lufta me tolerancë zero ndaj krimit dhe aseteve kriminale e ka bërë Shqipërinë një vend të sigurt, faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon dhe më gjerë

Ministri i Brendshëm, z. Flamur Noka, mori pjesë në ceremoninë e betimit dhe të certifikimit të Kursit  VII, të Patrullës së Përgjithshme, së bashku me zv/ambasadorin e SHBA-ve, në Tiranë, z. Henry V. Jardine, dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Hysni Burgaj. Në fjalën e tij përshëndetëse, para 193 kursantëve të sapodiplomuar, 95 prej të cilëve ishin vajza, ministri Noka nënvizoi se kjo ditë përbën për një ditë të shënuar në fillimin e karrierës si punonjës të Policisë së Shtetit. Duke iu referuar numrit të lartë të vajzave në këtë kurs, z. Noka u shpreh se gratë dhe vajzat që do të kenë mundësinë për të qenë punonjëse të policisë, përbën “një tjetër arritje për të gjithë trupën e policisë, por edhe për rolin që po merr dita-ditës gruaja në shoqërinë tonë”. Në vijim të fjalës së tij, ministri i Brendshëm, Noka, nënvizoi se sprova e fundme, mbetet programi i trajnimit në terren për një periudhë 22-javore, kohë kur kursantët do të fitojnë të drejtën për të qenë punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Policisë.

Ndër të tjera, ministri Noka nënvizoi: “Të jeni të bindur se zbatimi në praktikë i njohurive të marra deri më tani, do ketë vështirësitë e veta. Praktika është forma më e lartë e konkretizimit të asaj çka ju keni përvetësuar me përkushtim gjatë gjithë kësaj kohe. Do të përballeni me vështirësi të natyrave të ndryshme, me aksione konkrete në dobi të rendit dhe sigurisë publike. Shqipëria është sot më afër se kurrë ëndrrës së saj për të qenë pjesë integrale e Bashkimit Europian. Është një fazë, e cila kërkon nga Policia e Shtetit forcimin e mëtejshëm të parametrave të rendit e sigurisë publike, rritjen e efiçensës edhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit. Në funksion të arritjes së këtyre parametrave, qeveria shqiptare, prej vitit 2005 e në vijim, është investuar në luftën pa kompromis ndaj krimit dhe paralelisht, në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Në funksion të këtyre objektivave, ne kemi ndërmarrë reforma të ndryshme, nëpërmjet të cilave kemi synuar dhe synojmë në ndërtimin e një shërbimi policor bashkëkohor, sipas standardeve më të përparuara të vendeve euroatlantike, duke i dhënë përparësi formimit profesional dhe karrierës, nëpërmjet një procesi konkurrues, transparent dhe të bazuar në meritokraci. Në këtë proces të vazhdueshëm të zhvillimit e të përmirësimit tonë, ne kemi gjetur mbështetjen e përhershme të partnerëve tanë. Përfitoj nga rasti për të falënderuar stafin dhe drejtuesit e Programit ICITAP, Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, për kontributin e madh që kanë dhënë dhe vijojnë të japin në këtë drejtim.

Lufta ndaj krimit, është një luftë që s’ka të ndalur. Policia e Shtetit është struktura kryesore për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, luftës kundër krimit, kontrollit e mbikëqyrjes së kufirit shtetëror dhe zbatimit të ligjit. Reformat e plota që janë kryer në këtë agjenci kanë bërë të mundur që sot të kemi një tufë profesionistësh, në shërbim të plotë ndaj komunitetit. Ju jeni anëtarët më të rinj të kësaj trupe. Ju do të jeni pjesë integrale e luftës kundër çdo krimi, personave të inkriminuar, luftës kundër korrupsionit, trafiqeve të paligjshme dhe lëndëve narkotike. Ju do jeni pjesë e pandashme e kësaj organizate e cila mbron pronën publike dhe atë private. Në këto vite të fundit janë shënuar rezultate shumë pozitive në luftën kundër krimit, narkotrafiqeve, terrorizmit, akteve korruptive. Kjo luftë me tolerancë zero ndaj krimit dhe aseteve kriminale e ka bërë Shqipërinë tashmë një vend të sigurt dhe faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon dhe më gjerë. Ju jeni gjenerata me e re, që po i bashkoheni kësaj trupe që dëshmon standardet dhe kapacitetet më të larta profesionale, konform parametrave të Bashkimit Europian, një tjetër shembull i qartë i hapave që ka bërë vendi ynë gjatë këtyre viteve të fundit. Por nuk duhet të harroni se, vetëm një efektiv policie, me ndërgjegje të lartë profesionale dhe mbi të gjitha, figurë të pastër morale, është garant ndaj kësaj lufte pa kompromis kundër krimit, garant për zbatimin e ligjit, goditës i paepur i korrupsionit, gjithmonë në shërbim të qytetarit”. Në përfundim të fjalës së tij, z. Noka i uroi kursantët për rezultatet e arritura dhe shprehu bindjen se si efektivët më të rinj të Policisë së Shtetit “ju do të dini të nderoni gjithmonë uniformën, familjen tuaj dhe vendin e tuaj”. Në këtë ceremoni merrnin pjesë znj. Anila Hoxha, zv/drejtore e Përgjithshme e Trajnimit, z. Hamdi Fjora, drejtor i Qendrës së Formimit Policor, ekspertë amerikane të ICITAP, si edhe drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit.

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.