Komiteti Ndërministror i Integrimit, Berisha: Opozita të votojë ligjet me 3/5
Komiteti Ndërministror i Integrimit, nën drejtimin e kryeministrit Berisha shqyrtoi në mbledhjen e radhës ecurinë e realizimit dhe zbatimit të Planit të Veprimit për integrim. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shprehu besimin në vullnetin edhe të opozitës për miratimin më tej të një sërë ligjesh të tjera që kërkojnë 3/5 në votimin në Parlament, si ligjin e Gjykatës së Lartë, Ligjin e Shërbimit Civil, por edhe ligje të tjera, që pavarësisht se kërkojnë shumicë të thjeshtë, do të ishte shumë mirë që ato të kishin konsensusin e të gjitha palëve. “Dua të theksoj se qeveria ka në përmbushje e sipër një seri obligimesh, të cilat duhet që me shpejtësi t’i votojë e t’i zbatojë. Ndërkohë, janë sërish ligje që kërkojnë 3/5 dhe kjo varet nga vullneti i opozitës. Por ne shpresojmë se, siç dëshmoi vullnet për reformën zgjedhore, siç dëshmoi vullnet për kufizimin e imunitetit, opozita të dëshmojë vullnet dhe për ligjin e Gjykatës së Lartë, Ligjit të Shërbimit Civil, por edhe ligje të tjera që, pavarësisht se kërkojnë shumicë të thjeshtë, do të ishte shumë mirë që ato të kishin konsensusin e të gjitha palëve, miratimin e të gjitha palëve”, u shpreh kryeministri.
Berisha vlerësoi se këto 6 muaj, që nga miratimi i Planit të Veprimit në datën 21 mars të vitit 2012, është bërë një punë intensive dhe janë realizuar reforma të thella e të mëdha, ndër të cilat, më kryesorja është reforma e imuniteteve, si dhe reforma zgjedhore. “Këto 6 muaj, në tërësi, është bërë një punë intensive dhe janë realizuar reforma të thella të mëdha, ndër të cilat, pa dyshim, më kryesorja është reforma e imuniteteve. Me këtë votim në Parlament, Shqipëria renditet ndër vendet me standard të përparuar për sa i përket imuniteteve të zyrtarëve të saj, pra kufizimit të tij. Kushtetuta e vendit është bërë një Kushtetutë më e drejtë, më demokratike, më qytetare. Është miratuar reforma zgjedhore, në të cilën janë adresuar të gjitha sugjerimet e misioneve të ODIHR-it për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale. Kjo reformë u miratua tërësisht me konsensus, çka përbën edhe kjo një arritje të vërtetë për bazën ligjore të zgjedhjeve të ardhshme. Opozita kishte iniciativën e të gjitha propozimeve dhe u shpreh shumë e kënaqur kur përfundoi kjo reformë, bëri vlerësim pozitiv. Unë e ndjej detyrë të qeverisë që gjithnjë t’i japë garancitë më maksimale opozitës për zhvillimin e zgjedhjeve, pasi nëse ka një fushë në të cilën ajo ka interesa jetike, këto janë zgjedhjet”, vijoi fjalën e tij kreu i qeverisë. Duke iu referuar vizitës zyrtare të suksesshme të Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani në Bruksel dhe takimeve të tij atje me personalitetet më të larta të BE-së, Kryeministri Berisha tha se në këto takime është diskutuar gjerësisht mbi reformat e realizuara në Shqipëri, progresin e tyre dhe perspektivën evropiane të vendit, janë parashtruar të gjitha arritjet në zbatimin e Plantit të Veprimit, sikundër edhe çështje të tjera që duhet të realizohen më tej në këtë proces. “Presidenti i Republikës ka zhvilluar dy ditët e fundit një vizitë të suksesshme në Bruksel, ku është pritur nga Presidenti i Këshillit Evropian, z. Herman Van Rompuy, Presidenti i Komisionit Evropian, z. Jose Manuel Barroso, Komisionerin për Zgjerimin z. Stefan Fyle dhe personalitete të tjera. Në të gjitha këto takime, Presidenti i Republikës ka diskutuar gjerësisht mbi reformat e realizuara në Shqipëri, progresin e tyre dhe perspektivën evropiane të vendit. Në këto takime, janë parashtruar të gjitha arritjet në zbatimin e Plantit të Veprimit, sikundër edhe probleme të tjera në këtë progres”, nënvizoi Berisha. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se qeveria ka në përmbushje e sipër një seri obligimesh, të cilat po punon që, me shpejtësi t’i votojë e t’i zbatojë.















