Leja e lindjes, si përfitohet shpërblimi

Publikuar më: 08/09/2012 8:11

Barrëlindja, si paguhet ajo? Kushtet dhe kriteret e përfitimit të pagesës. Si bëhet llogaritja e masës së shpërblimit. Nënat që birësojnë fëmijë, rastet kur lind e drejta e trajtimit me leje lindje

Ditët e lejes së lindjes quhen vjetërsi pune, për efekte të lejes së zakonshme, rritjes së pagës dhe për pension. Leja e lindjes në vendin tonë është 365 ditë kalendarike, kur nëna pret të lindë një fëmijë dhe 390 ditë kur lind më shumë se një fëmijë. Leja e paralindjes është 35 ditë kur lind një fëmijë dhe 60 ditë kur lind më shumë se një fëmijë, ndërsa leja e pas lindjes në të gjitha rastet është 330 ditë kalendarike.

Kushtet e përfitimit të pagesës

Kushtet për të përfituar me pagesë lejen e lindjes janë dy: para fillimit të lejes së paralindjes, gruaja duhet të ketë punuar e siguruar në sektor shtetëror, privat ose e vetëpunësuar në bujqësi, në vendin tonë, 12 muaj kalendarike me ose pa ndërprerje në një ose disa qendra pune. Gjatë shtatzënisë të ketë punuar të paktën një javë. Mbas mbarimit të lejes së parë të lindjes, për të përfituar me pagesë lejen e dytë të lindjes, duhet të kesh përsëri 12 muaj punë të siguruar, me përjashtim të rasteve kur shtatzënia e dytë ka filluar gjatë periudhës që gruaja ishte me lejen e lindjes të fëmijës së parë dhe kështu vazhdon për fëmijën e tretë e me radhë.

Kriteret që duhet të përmbushen

Për të përfituar shpërblimin për lindje, sipas udhëzimit të ISSH-ës, duhet të plotësohen një sërë kriteresh nga ana e të interesuarave. Kështu, përfituesja e lejes së lindjes, e punësuar, duhet të dorëzojë pranë subjektit ku punon këto dokumente:

a) Raportet e lindjes;

b) Certifikatën e lindjes së fëmijës;

c) Certifikatën familjare;

d) Librezën e punës;

e) Formularin e bazës së vlerësuar të vitit paraardhës (ky dokument plotësohet nga sektori i financës së subjektit);

Sektori i financës së subjektit, mbështetur në këto dokumente, plotëson formularin tip-Listë-pagesë e përfitimeve afatshkurtra, dhe e dërgon atë në ALSSH-në, ku ka aktivitetin subjekti. Më pas, ALSSH, pasi kontrollon dhe verifikon dokumentet, i kalon pagesat në llogarinë personale të përfitueses ose në llogarinë e subjektit. Ndërkohë, përfituesja e vetëpunësuar, dokumentet e plotësuara do t’i dorëzojë direkt pranë ALSSH-së, ku dhe bëhen llogaritjet. Pagesa kryhet nga Sigurimet Shoqërore.

Masa e përfitimit:

a) Për periudhën  e paralindjes dhe 150 ditë pas lindjes, për gruan e punësuar është 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik;

b) Për gruan e punësuar, për periudhën tjetër në vazhdim deri sa të plotësojë 12 muaj gjithsej sipas kushteve të përfitimit është 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik;

c) Në momentin e lindjes së të drejtës, e vetëpunësuara në qytet përfiton të ardhura të barabarta me pensionin minimal bazë të qytetit;

d) E vetëpunësuara në bujqësi, në momentin e lindjes së të drejtës, përfiton të ardhura të barabarta me pensionin minimal të fshatit.

Në degën e sigurimit për barrëlindje paguhen:

a) Të ardhurat për barrëlindje

b) Të ardhurat për kompensimin për barrëlindje, kur ndryshohet vendi i punës:

c) Shpërblimi për lindje fëmije.

E ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar është:

- 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësueshme të vitit të fundit kalendarik për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes;

- 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësueshme të vitit të fundit kalendarik për periudhën tjetër në vazhdim.

Si përfitohet leja e lindjes për nënat që birësojnë fëmijë

E ardhura për barrëlindje për gratë ekonomikisht

aktive është e barabartë me nivelin bazë të pensionit të pleqërisë. Nëna që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo më pak se 12 muaj, ka të drejtë për leje pas lindjes, e cila fillon ditën e birësimit, por jo më parë se mbas ditës së 42 të lindjes së fëmijës, dhe vazhdon jo më shumë se 330 ditë nga dita e lindjes së fëmijës. Minimumi i lejes për birësuesen është 28 ditë. Kur një fëmijë është birësuar gjatë lejes së lindjes, nëna që ka lindur, do të ketë një periudhë përfitimi deri në ditën e birësimit, por jo më pak se 42 ditë pas lindjes.

E ardhura për kompensimin për shtatzënisë

Gruaja e siguruar, që me vendim të komisionit mjekësor kompetent ndryshon vendin e punës për arsye shtatzënie, ka të drejtë të përfitojë kompensim të ardhurash për pakësimin që pëson nga ndryshimi i vendit të punës. Ky kompensim jepet në rast se është derdhur kontribut për një kohë jo më pak se 12 muaj. Shuma e të ardhurave që do të përfitohet për kompensim është e barabartë me diferencën ndërmjet pagesës së vendit të punës të mëparshëm dhe pagës së vendit të punës së re. Ky kompensim nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësueshme të vitit të fundit kalendarik.

Dokumentet e domosdoshme për barrëlindje:

- Vërtetim vjetërsie në punë jo më pak se 12 muaj

- Vërtetim i bazës së vlerësuar viti 2009

- Certifikatë e përbërjes familjare

- Certifikata e lindjes së fëmijës

- Modelarët (raportet të para dhe pas lindjes)

- Listë e Pagese e plotësuar me të dhënat përkatëse

Edlira MEMA

 

 

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.