Mësuesit, kriteret e reja për emërimet në punë

Publikuar më: 22/09/2012 7:47

EKSKLUZIVE/  Flet Dasara Mema, shefe e Burimeve Njerëzore në Drejtorinë Arsimore në Tiranë

Procedura që ndiqet për emërimin në punë të mësuesve të dispozicionit dhe mësuesit e rinj. Dokumentet që duhen dorëzuar, pasi zhvillohet intervista e punës dhe përzgjidhet CV-ja e kandidatit

Publikohen kriteret për emërimin e mësuesve të rinj në punë. Specialistë pranë Drejtorisë Arsimore në Tiranë kanë përcaktuar procedurën që ndiqet për përzgjedhjen e mësuesve, ku përveç CV-ve dhe dokumenteve që dorëzohen, kandidatët merren në një intervistë pune. Kështu, në një intervistë për gazetën “Republika”, shefja e Burimeve Njerëzore në DART, Dasara Mema, thotë se: Prioritetin për t’u punësuar dhe për të zënë vendet e lira të punës, qoftë edhe vendet që janë zëvendësime të përkohshme, e kanë gjithmonë mësuesit e dispozicionit, pasi ata i ka kapur një reformë në arsim. Ata prisnin gjithmonë këtu dhe shkonin nëpër shkollat ku kishte më shumë nevojë për zëvendësim. Tani, ata janë të papunë. Por ekziston një listë e dispozicionit, e cila lëviz vit pas viti dhe aty prioritetin fillestar për punësim e kanë këta mësues. Megjithatë, duhet thënë se ajo listë nuk shtohet më. Përveç mësuesve të dispozicionit, ne jemi të interesuar të rekrutojmë edhe mësues të rinj që janë diplomuar me rezultate shumë të mira dhe që kanë eksperienca të fituara në privat, edhe pse ndonjëherë mund të mos jenë aktivizuar asnjë ditë në shtet”. Sa i takon mënyrës se si kryhet përzgjedhja e mësuesve të rinj, Mema thotë se: “Ne nuk i kushtojmë rëndësi vetëm dispozicionit, por në interesin tonë është të thithim dhe të rekrutojmë edhe mësuesit e rinj. Ne, herë pas here, marrim CV-të dhe në çdo fillim shkolle e mbyllim përkohësisht procesin për marrjen e tyre. Shqyrtojmë listën e CV-ve, mblidhemi si komision pranë burimeve njerëzore. Në përbërje të këtij komisioni është stafi i burimeve njerëzore, ku përfshihet juristja, ekonomistja dhe shefja e burimeve njerëzore. Menjëherë pas mbledhjes, ne shohim se cila nga këto CV plotëson kriteret për punësim. Duke qenë se ne kemi shumë kërkesa dhe pak mundësi për të ofruar punë, pra për të përmbushur të gjitha kërkesat, ne shtojmë edhe kritere të tjera. Për shembull, kandidati për këtë vend pune mund të jetë një person, i cili është diplomuar shumë mirë, por ne duke dashur të rekrutojmë një staf të mirë nëpër shkolla, nuk mbetemi me kaq. Për ne ka rëndësi edhe eksperienca në arsim”,- thotë Mema. Ja se si është shprehur më tej ajo gjatë kësaj interviste.

- Cila është procedura që ndiqet për emërimin në punë për mësuesit që nuk i përfshin ligji i profesioneve të rregulluara?

Prioritetin për t’u punësuar dhe për të zënë vendet e lira të punës, qoftë edhe vendet që janë zëvendësime të përkohshme, e kanë gjithmonë mësuesit e dispozicionit, pasi ato i ka kapur një reformë në arsim. Ata prisnin gjithmonë këtu dhe shkonin nëpër shkollat ku kishte më shumë nevojë për zëvendësim. Tani ata janë të papunë. Por ekziston një listë e dispozicionit, e cila lëviz vit pas viti dhe ku prioritetin fillestar për punësim e kanë këta mësues. Megjithatë, duhet thënë se ajo listë nuk shtohet më. Përveç mësuesve të dispozicionit, ne jemi të interesuar të rekrutojmë edhe mësues të rinj, që janë diplomuar me rezultate shumë të mira dhe që kanë eksperienca të fituara në privat, edhe pse ndonjëherë mund të mos jenë aktivizuar asnjë ditë në shtet. Pra, siç e thashë, nuk i kushtojmë rëndësi vetëm dispozicionit, por në interesin tonë është të thithim dhe të rekrutojmë edhe mësuesit e rinj. Ne, herë pas here, marrim CV-të dhe në çdo fillim shkolle e mbyllim përkohësisht procesin për marrjen e tyre. Shqyrtojmë listën e CV-ve, mblidhemi si komision pranë burimeve njerëzore. Në përbërje të këtij komisioni është stafi i burimeve njerëzore, ku përfshihet juristja, ekonomistja dhe shefja e burimeve njerëzore. Menjëherë pas mbledhjes, ne shohim se cila nga këto CV plotëson kriteret për punësim. Duke qenë se ne kemi shumë kërkesa dhe pak mundësi për të ofruar punë, pra për të përmbushur të gjitha kërkesat, ne shtojmë edhe kritere të tjera. Për shembull, kandidati për këtë vend pune mund të jetë një person, i cili është diplomuar shumë mirë, por ne, duke dashur të rekrutojmë një staf të mirë nëpër shkolla, nuk mbetemi me kaq. Për ne ka rëndësi edhe eksperienca në arsim. Kjo gjë ndodh, pasi ne kemi shumë të diplomuar me mesatare të lartë, prandaj shtojmë edhe kriterin e eksperiencës ose kritere të tjera. Po e përsëris; kjo gjë bëhet sepse kërkesa është shumë më e madhe nga ajo që mund të ofrohet. Më tej, bëjmë një listë të CV-ve të përzgjedhura. Nga ana tjetër, janë edhe personat që kanë dosje të dorëzuara në drejtorinë arsimore, por që mund të mos jenë aktivizuar kurrë në punë nga një procedurë krejt absurd që ndodhte më parë, por ka disa vite që kanë gjetur zgjidhje. Më parë, fakultetet sillnin dosje dokumentesh në momentin që një person mbaronte studimet. Edhe pse studenti mund të mos ishte interesuar kurrë në zyrën e burimeve njerëzore për mësuesi, dosja e tij ishte prezente në Drejtorinë Arsimore, pasi dërgohej nga universiteti. Tani, kjo procedurë nuk ndiqet më. Për dosjet që janë dhe për personat që vijnë dhe interesohen, bëhet një shqyrtim i dosjes, shoqëruar kjo edhe me një intervistë pune. Edhe pse mund të ketë persona që vijnë dhe interesohen për nipërit, mbesat, bashkëshortët, kërkesat e tyre nuk mund të pranohen më. Pra, kemi CV dhe intervistë pune dhe pastaj do të shihet nëse do të kalojë apo jo në listën e CV-ve të përzgjedhura. Gjithashtu, kemi dosjet që janë të dorëzuara dhe që rishqyrtohen, edhe për këta zhvillohet një intervistë pune. Për të arritur tek listat e mësuesve që mund të shqyrtohen si mësues, të cilët plotësojnë kriteret për t’u pasur në dispozicion. Më pas, kalojmë në një etapë tjetër. Pas mbledhjeve të herëpashershme me drejtorët e shkollave dhe pas bërjes së rakordimeve se sa klasa të tjera hapen, se ku ka rënie apo rritje të orëve të mësimit, atëherë përcaktohen se ku janë vendet e lira për punësim. Më pas, në bazë të vendeve të lira që ne kemi shqyrtuar se ku janë, bëjmë përzgjedhjen e mësuesve që do të zënë vendet e lira, gjithmonë duke marrë parasysh edhe vlerësimet që kanë marrë këta mësues gjatë aktivizimeve të përkohshme. Vlerësimet për këta mësues janë marrë nga drejtuesit e shkollave dhe nga inspektorët që ne çojmë nëpër shkolla për të parë punën e tyre.

 

- Në momentin kur personit i përzgjidhet CV-ja, a ka një dosje dokumentesh që ai duhet të dorëzojë?

Në qoftë se CV-ja e këtij personi përzgjidhet dhe është bërë një intervistë pune, mundësia e parë që i jepet një të përzgjedhuri është aktivizimi i përkohshëm. Në momentin që ne e thërrasim për ta aktivizuar, kërkojmë dosjen e dokumenteve që janë dëshmia e penalitetit, CV, të gjitha letrat e referencës nga vendet ku ka punuar. Pra, eksperiencat e punës që i ka deklaruar në CV, por me referencë, pasi në disa raste ndodh që në CV të shënohen edhe eksperienca të paqena. Më pas, kërkohet vërtetimi i njësisë bashkiake ku personi banon, certifikata gjuhe, certifikatat e formimit në informatikë dhe dy fotografi. Por dua të them se dosja e dokumenteve të marra të reja kryhet vetëm për ata, të cilëve mund t’iu ofrojmë mundësi punësimi.

 

- Për mësuesit e dispozicionit, juve keni një listë të përcaktuar. Kështu që mësuesit dërgohen për të punuar nga një shkollë në një shkollë tjetër. Si e bëni përzgjedhjen e atyre që do të shkojnë për t’u punësuar në një shkollë?

 

Po të shikoni listën e dispozicionit, është nga fillimi i vitit kur një person ka nisur të jetë në dispozicion. Janë të parët në listë mësuesit që kanë qenë më të vjetër në dispozicion, deri tek ata mësues që i janë shtuar listës vitin kur është mbyllur lista e dispozicionit. Tani, nga kjo listë që ne kemi për mësuesit e dispozicionit, herë pas here hiqen mësues, pasi ata shkojnë dhe punësohen në privat. Ajo çfarë dua të them është se ne nuk kemi më detyrime, në rastet kur mësuesi nuk na është përgjigjur, si dhe në rastet kur ne kemi kontaktuar dhe na është shprehur se është punësuar. Pra, për këto raste, ne nuk kemi më detyrimin ta mbajmë në listë. Nga ana tjetër, në rastet kur ndodh që nga drejtuesi i shkollës për një mësues është shkruar se nuk plotëson kriteret e nevojshme për të drejtuar orën e mësimit dhe të tjera si këto, ne dërgojmë një inspektor në shkollë. E shikon dhe inspektori dhe në listën e dispozicionit, ai shoqërohet me një vlerësim negativ. Çdo vit ka një printim të ri të listës së dispozicionin, duke llogaritur mësuesit që emërohen apo që lëvizin nëpër shkolla private.

 

 

- Në redaksinë tonë kanë ardhur disa ankesa nga mësues që thonë: “Unë jam diplomuar në vitin 2004 dhe një që është diplomuar në vitin 2006, tashmë është i punësuar (i emëruar). Në të vërtetë, ky vend pune më takonte mua, pasi kam qëndruar për një kohë më të gjatë në dispozicion dhe kam qenë më lart në listën e dispozicionit”. Si i shpjegoni ju raste të tilla, pse ka ndodhur kjo gjë? A jeni ju transparentë me publikun?

 

Siç e thashë edhe më sipër, nëse ne do t’i mbetemi besnikë vetëm listës së dispozicionit dhe nuk do të merrnim në konsideratë edhe prurjet e reja, kjo është e padrejtë. Njëkohësisht, në listën e mësuesve të dispozicionit ka mësues që kanë qenë të punësuar në privat dhe nuk kanë pasur më dispozicionin për t’u aktivizuar me ne. Nëse kanë lënë punën në privat dhe janë rikthyer, kjo është tjetër gjë. Gjithashtu, ka edhe mësues që nuk janë interesuar më për një kohë të gjatë dhe në momentin kur vijnë nga emigracioni apo ngado tjetër, kërkojnë të punësohen. Sigurisht, siç e thashë edhe më sipër, janë edhe prurjet e reja, janë edhe studentët e rinj që diplomohen apo që janë diplomuar dhe kanë punuar në privat. Këta kandidatë kanë eksperiencën dhe janë vlerësuar shumë mirë. Në këto raste, ne kemi interesin t’i rekrutojmë. Në fund të fundit, zyra e burimeve njerëzore në Drejtorinë Arsimore ka si detyrë kryesore të çojë mësuesit më të mirë në shkolla, madje ndonjëherë kjo zyrë kthehet në një zyrë të punëve sociale, ku shprehen një mijë e një probleme që kandidatët kanë. Ajo që dua të them në përfundim është se gjithnjë punohet me listën e CV-ve të përzgjedhura, njëkohësisht rishqyrtojmë edhe dosjet e dorëzuara.

 

OSMAN DEDJA

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.