Nishani niset në SHBA, do marrë pjesë në Asamblenë e OKB-së
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga Zonja e Pare, Odeta Nishani, dhe delegacioni zyrtar, u nis dje, për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në debatin e përgjithshëm të Sesionit të 67-të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-Moon. Kryetari i shtetit shqiptar gjatë kësaj vizite pritet të ketë një sërë takimesh të nivelit të lartë me personalitete botërore, në kuadër të Sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me krerë shtetesh të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e të vendeve aziatike, përfaqësues të organizatave të rëndësishme ndërkombëtare; etj. Gjithashtu, kreu i shtetit shqiptar do të zhvillojë disa veprimtari të tjera të rëndësishme në kuadër të kësaj vizite, të parashikuara në agjende si pjesëmarrje në takimin e 16-të vjetor të NAAC-ut (Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan), ndërsa në datën 22 shtator 2012, Presidenti Nishani do të zhvillojë një vizitë në Klivlend, Ohajo, ku do të përurohet Kopshti Kulturor “Nënë Tereza”. Në kuadër të kësaj vizite, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dhe Zonja e Parë do të jenë të pranishëm në pritjen e organizuar nga Presidenti amerikan, Barak Obama, me krerët e shteteve pjesëmarrëse në Sesionin e 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe në pritjen e ish-Presidentit amerikan, Bill Klinton. Gjate qëndrimit në Nju-Jork dhe pjesëmarrjes në punimet e sesionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, pritet të zhvillojë edhe takime dypalëshe me krerë shtetesh dhe qeverish të vendeve të Bashkimit Evropian dhe nga bota, ku qëllimi i këtyre bisedimeve dypalëshe është lobimi për çështjen e Kosovës dhe për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat.















