Paraliza faciale, pse ndodh dhe si të ruhemi

Publikuar më: 25/09/2012 7:42

Paraliza faciale ose paraliza e fytyrës është një sëmundje që vjen nga prekja e nervit të shtatë të kokës, i cili inervon muskujt e fytyrës (të ballit, të kapakëve të syve, faqeve, buzëve etj.). Dëmtimi i tij bëhet nga të ftohtit (korrenti prej erës), infeksionet (gripale, otitet, borrelioza etj.), shtypjet e nervit përgjatë rrugës së tij nga shkaqe të ndryshme, manipulimet e stomatologëve etj. Në shumicën e rasteve dëmtimi i nervit të fytyrës, për pasojë edhe paraliza faciale, ndodh nga inflamacioni (mahisja) e këtij nervi dhe, në këto raste ne nuk arrijmë të gjejmë ndonjë shkak preciz. Në këtë rast, paraliza faciale emërtohet (Ex frigore) nga të ftohtit. Shkaqet e sipërpërmendura janë ato që japin të ashtuquajturën paralizë faciale periferike, sepse ka edhe një lloj tjetër paralize faciale, që quhet paraliza faciale centrale e që ka shkaqe të tjera. Kështu që mjeku, fillimisht, bën dallimin e paralizës centrale nga ajo periferike. Paraliza faciale periferike është patologji më e shpeshtë. Shenjat klinike të saj janë: vështirësi ose pamundësi për ta rrudhur ballin (nga ana e sëmurë), për të mbyllur syrin, për të fryrë faqet, për të fërshëllyer, si dhe vërehet tërheqje e këndit të gojës nga ana e shëndoshë. Mund të ketë edhe lotim të syrit, prishje të shijes në gjysmën e gjuhës, nga ana e sëmurë, si dhe dhimbje prapa veshit.

Muskujt

Lëvizjet e muskujve të fytyrës arrihen me anë të nervit të fytyrës që quhet nervi facial. Me urdhrat që vijnë nga truri, fytyra jonë merr pamje të ndryshme, duke formuar shprehje të ndryshme. Nëse disa sëmundje apo probleme të ndryshme bëhen shkak që kjo lidhje të ndërpritet atëherë edhe lëvizjet fytyrës humbasin plotësisht apo pjesërisht. Në mjekësi, kjo gjendje quhet paraliza faciale. Nervi facial fillon nga ponsi dhe pasi kalon nga veshi i brendshëm, pastaj i mesëm arrin te muskujt e fytyrës. Por ai, gjatë kësaj rruge, kalon edhe mes gjëndrave të pështymës. Përgjatë rrugës në veshin e mesëm ka pranë dhe nervin e dëgjimit. Gjithashtu, gjatë rrugës, nervi facial jep edhe disa degë që kanë detyra të ndryshme. Për shembull, një pjesë e shijes së ushqimeve, lotimi, pështyma realizohen me anë të degëve të nervit facial. Paraliza faciale mund të shkaktohet nga shumë sëmundje apo probleme që prekin zonën mes trurit dhe zonës pons apo mes kësaj zone dhe muskujve të fytyrës. Shkaktari kryesor në rrugën mes trurit dhe ponsit është hemorragjia cerebrale, e cila ndiqet në repartin e neurologjisë. Këto paraliza quhen paraliza faciale qendrore. Kurse dëmtimet, pas ponsit, deri tek muskujt e fytyrës krijojnë paralizën faciale periferike.

Shkaktarët

Shkaktarët e paralizës periferike janë të shumtë. Paraliza Bell është paraliza faciale më e shpeshtë. Shkaku nuk dihet plotësisht. Mendohet për një ënjtje në veshin e brendshëm. Dihet që ndikohet prej erës dhe të ftohtit. Nuk ka ndonjë shenjë tjetër veç humbjes së funksionit të nervit. Kjo dhe e bën të dallohet nga shkaqet e tjera. Në të shumtën e rasteve shërohet plotësisht. Sindromi Ramsay Hunt shkaktohet prej viruseve. Plus mosfunksionimit të mirë të nervit ka dhimbje dhe disa lezione (plagë) në rrugën e jashtme të veshit. Ka më pak mundësi të shërohet plotësisht në krahasim me paralizën Bell. Infeksionet e veshit të mesëm (otitis media) janë një tjetër rrezik për shfaqjen e paralizës faciale. Tek fëmijët otitis media akut, kurse tek të rriturit kroniku duke arritut tek nervi e dëmton atë. Sëmundjet sistemike si: tensioni i lartë, diabeti, neuritis, mungesa e vitaminave ndikojnë negativisht në paralizën faciale. Edhe tumoret që shkaktohen në zonat e rrugës ku kalon nervi facial mund të shkaktojnë paralizë. Mund të jenë të mirë (bening) ose të këqij (maling). Sidomos tumoret e gjëndrave të pështymës.

Goditjet nga jashtë që vijnë drejt veshit apo fytyrës janë rreziku i radhës për paralizën faciale. Së fundi, për sa u përket shkaktarëve të kësaj sëmundjeje tepër të rrezikshme, edhe operacionet e ndryshme që realizohen në kokë, vesh apo tek gjëndrat e pështymës mund të shkaktojnë pa dashje dëmtim të nervit.

Parandalimi

Paraliza faciale mund të parandalohet. Nëse e dimë se cilat janë shkaqet, paraliza faciale mund të parandalohet, duke evituar ekspozimin ndaj tyre, për shembull, duke u mbrojtur nga korrentet e erës, të ftohtit, kujdes gjatë manipulimeve dentare, ruajtje nga infeksionet sa të jetë e mundur më shumë. Paraliza faciale është më e shpeshtë në stinën e dimrit, pikërisht atëherë kur edhe mundësia për t’u ekspozuar ndaj të ftohtit dhe korrenteve të erës është më e madhe. Epidemitë dhe pandemitë virale, si dhe infeksionet janë më të shpeshta, duke ndikuar edhe në dobësimin e sistemit vetëmbrojtës (imunitar) të organizmit. Në këtë lloj dëmtimi të nervit të fytyrës, që është edhe më i shpeshti, ndikon një lloj predispozicioni natyral i vetë individit për t’u sëmurur nga kjo paralizë; në të kundërt, të gjithë do të pësonim një paralizë të tillë. Mjekët neurolog shpjegojnë se çfarë ndodh kur kemi paralizë faciale. Sipas tyre, së pari, vihet re se humbasin ose pakësohen lëvizjet dhe shprehjet e fytyrës. Për shembull: lëvizjet si të qeshurit, të ngresh vetullat, të frysh faqet, të tregosh dhëmbët. Ndodh pakësimi i lotëve, pakësimi i pështymës, humbje e shijes, rritet ndjeshmëria ndaj zhurmave.

Trajtimi i sëmundjes bëhet sipas shkakut

Nëse dyshohet për paralizën,Bellnuk ka nevojë për ndonjë ekzaminim. Por, duke qenë se ilaçet që do të përdoren mund të shkaktojnë rritje të sheqerit dhe të tensionit bëhen matjet e këtyre parametrave përpara se të shkruhen ilaçet. Tjetër ekzaminim që mund të bëhet, nëse nevojitet, është skaneri ose rezonanca magnetike, nëse dyshohet për një tumor në kokë apo tek gjëndrat e pështymës. Mund të bëhet një EMG (elektromielogram), një test dëgjimi, një test për lotët (schrimer). Apo teste para operacionit që testojnë përçimin e sinjaleve të nervit. Mjekët neorolog theksojnë se paraliza faciale është një sëmundje që duhet të kurohet sipas shkakut. Për shembull, tek paraliza Bell me ilaçe. Nëse nuk vuan nga ndonjë problem tjetër (stomaku, tensioni, diabeti) mund të përdoren kortikosteroidët dhe vitamina B. Përdoren krema me antibiotik, lot artificial. Edhe përdorimi i çamçakëzëve për muskujt, masazhi në fytyrë, apo uji i ngrohtë janë të dobishme. Madje, mund të themi se trajtimet e mësipërme janë të nevojshme, sidomos nëse paraliza zgjat shumë dhe gjatë kësaj kohe muskujt e fytyrës nuk janë vënë në punë dhe mund të ndodh që edhe kur të riparohet nervi ata të mos funksionojnë pasi janë dobësuar. Pastaj, sipas shkakut, mund të duhen antibiotikë. Për shembull, për otitin media përdoret operacioni për tumoret apo ilaç kundër viruseve tek sindromi Ramsay Hunt. Edhe në rastet e paralizës, Bell mund të ndërhyhet kirurgjikisht, në varësi të përgjigjes së ilaçeve, gradës së paralizës apo testeve elektrofiziologjike.

 

Shkaktarët e paralizës faciale

Infeksionet e veshit të mesëm

Sëmundjet si: tensioni i lartë, diabeti, neuritis, mungesa e vitaminave

Tumoret e ndryshme, sidomos ata të gjëndrave të pështymës

Goditjet nga jashtë që vijnë drejt veshit apo fytyrës

Operacionet e ndryshme që realizohen në kokë, vesh apo tek gjëndrat e pështymës

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.