Pavarësia e Shqipërisë dhe Kosova – 100 vjet pas

Publikuar më: 15/09/2012 8:53

Konferencë shkencore në Prishtinë

Për dy ditë me radhë (13-14 shtator 2012), në Prishtinë, u zhvillua konferenca shkencore, me temë: “Pavarësia e Shqipërisë dhe Kosova – 100 vjet pas”, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve dhe Instituti i Historisë së Kosovës. Merrnin pjesë delegacione të ardhura nga Shqipëria,Kosova,MaliZi, Maqedonia, Turqia e Hungaria.

Punimet e kësaj konference i drejtoi kryesia, e përbërë nga: Prof. Dr. Akademik Hivzi Islami, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës; Prof. Dr. Jusuf Bajraktari, drejtor i Institutit të Historisë-Prishtinë; Prof. Dr. Akademik Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë – Tiranë; Prof. Dr. Valentina Duka-Tiranë.

Në fjalën e hapjes, Prof. Dr. Akademik Hivzi Islami, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, theksoi: “Jubileu i madh, 100- vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe jubileu i 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, janë edhe një moment për rishqyrtimin e historisë, me ç’rast ngjarjet dhe personalitetet historike do të interpretoheshin dhe vlerësoheshin nga këndvështrimi objektiv shkencor. Këta dy jubile janë, gjithashtu, një rast që, gjakftohtë, pa emocione e patetikë, të nxjerrim mësimet nga pikat e pësimeve e dështimeve të qeverisjeve, në të dyja anët e kufirit dhe të reflektojmë për një qeverisje racionale e produktive dhe perspektivë të sigurt euroatlantike”.

 

Përshëndetja nga Prof. Dr. Akademik Gudar Beqiraj, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u ndoq me vëmendje të veçantë. Ndër të tjerat, ai tha: “Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua, që t’i sjell konferencës suaj përshëndetjet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe, njëherësh, t’i falënderoj organizatorët për ftesën. Sot, në këtë sallë, jeni mbledhur shkencëtarë nga trojet shqiptare, me synimin fisnik për të shënuar 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, dhe për të hedhur dritë përmes studimeve tuaja në proceset historike-politike e kulturore, që çuan në realizimin e kësaj ëndrre shekullore, duke hedhur vështrimin në këta njëqind vjet, mbushur me ngjarje madhore për shqiptarët brenda dhe jashtë shtetit shqiptar, të cunguar nga vendimet e diplomacisë europiane. Me gjithë këto zhvillime dramatike, fitorja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe fitorja e Pavarësisë së Kosovës, gati një shekull më pas, dëshmojnë se nuk mund të ketë forcë në botë që të arrijë ta varrosë ëndrrën e lirisë së një populli dhe as të mohojë të drejtën e tij për të ndërtuar jetën e vet, në shtetin e vet të pavarur”.

 Prof. Dr. Akademik Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë, Tiranë, theksoi: “Si vendi më i vogël, më i varfër dhe më i dobët i Ballkanit, fati i Shqipërisë u ndikua fuqimisht nga forcat jashtë saj. Lufta për të drejtën e ekzistencës si komb-shtet, ndërkohë që fqinjët e Shqipërisë përpiqeshin të nxirrnin në pah faktorët përçarës, pati ndërlikime të rëndësishme. Ajo bëri që të harxhoheshin burime të konsiderueshme, duke zhvilluar beteja politike, diplomatike e propagandistike jashtë vendit, veçanërisht në Lidhjen e Kombeve dhe në Gjykatën Ndërkombëtare, të cilat pengonin projektin për konsolidimin kombëtar, brenda vendit. Problemet e kufijve, që u keqësuan nga qëndrimi i papajtueshëm i Athinës dhe Beogradit, i shterën financat e vendit dhe bënë që Shqipëria të mbetej pezull, në prag të falimentimit”.

Prof. Dr. Jusuf Bajraktari, drejtor Institutit Historisë (Prishtinë), në kumtesën e tij solli fakte të reja, duke nënvizuar se: “Prishtina paraqiti në emër të shqiptarëve një memorandum, me 14 kërkesa, në të cilat përfshihej emërimi në Shqipëri i nëpunësve vendës, mësimi i gjuhës shqipe në të gjitha shkollat e Shqipërisë, zhvillimi i bujqësisë e i tregtisë, falja e përgjithshme për pjesëmarrësit në kryengritje, çka lë të kuptosh se, po të realizoheshin këto kërkesa të parashtruara, hidheshin themelet e një Shqipërie plotësisht të pavarur.
Qeveria nuk dha përgjigje, prandaj kryengritësit kosovarë marshuan drejt Shkupit dhe, më 12 gusht 1912, e shtinë në dorë qendrën e Vilajetit të Kosovës”.

Prof. Dr. Akademik Pajazit Nushi (Prishtinë) mbajti kumtesën mjaft interesante: “Mendimi akademik dhe urrejtja serbe ndaj shqiptareve”. Më tej, lexuan kumtesat e tyre: Prof. Dr. Emine Bakalli (Prishtinë): “Revolucioni Nacional Shqiptar, i vitit 1912”; Prof. Dr. Bilgin Celik, (Stamboll): “Rrethanat ndërkombëtare dhe Pavarësia e Shqipërisë”. Gjatë referimit të kumtesës: “Ismail Qemali dhe institucionet ndërkombëtare, që vepronin në Shqipëri, gjatë vitit 1913”, nga Prof. Dr. Valendina Duka (Tiranë), pati ilaritet nga akademikët.

Në vazhdim, u mbajtën këto kumtesa, nga: Prof. Dr. Arpod Harmjah (Hungari), “Politika e Hungarisë ndaj Ballkanit, midis dy luftërave botërore”; Prof. Dr. Ferit Duka (Tiranë), “Faktorët e përçarjes dhe regesit, në Shqipërinë e pavarur – Esat Toptani”; Prof. Dr. Frashër Demaj (Prishtinë), “Qëndrimi i diplomacisë së Fuqive të Mëdha, lidhur me kërkesën e Serbisë për daljen në Detin Adriatik”; Prof. Dr. Akademik Marenglen Verli (Tiranë), “Çështja e Kosovës dhe Shqipëria, gjatë vitit 1918-1939”; Prof. Dr. Fehmi Rexhepi (Prishtinë), “Qëndrimet e forcave politike në Kosovë, gjatë Luftës së Dytë Botërore”; Prof. Dr. Ana Lalaj (Tiranë), “Britanikët për Kosovën, brenda apo jashtë shtetit shqiptar, gjatë viteve 1941-1945”; Dr. Teki Kurti (Tiranë), “Qëndresa e shqiptarëve në Kosovë, gjatë viteve 1913-1914, sipas shtypit në Shqipëri”; Dr. Sefer Tahiri (Shkup), “Kontributi kombëtar i gazetës “Shkupi”; Dr. Fehari Ramadani (Tetovë),“Shkollat austrohungareze, në Vilajetin e Kosovës, në vitet 1911-1912”; Prof. Dr. Isa Bicaj (Prishtinë), “Vendosja e pushtetit malazez në viset e pushtuara, më 1912-1913”; Dr. Skënder Hasani, (Shkup), “Përpozimi i Bertholdit, i vitit 1912, për çështjen shqiptare, sipas shtypit bullgar”; Prof. Dr. Agim Zogaj (Prishtinë), “Çështja e Kosovës në marrëdhëniet shqiptare-jugosllave, më 1941-1948”; Prof. Dr. Arsim Bajrami (Prishtinë), “Aspektet legale dhe kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës”.

Gjithashtu, punime me interes lexuan: Prof. Dr. Ilira Çaushi (Tiranë), Prof. Dr. Akademik Esat Stavileci (Prishtinë), Dr. Syl Ukshini (Prishtinë), Prof. Dr. Drita Gunga (Prishtinë), Prof. Dr. Iljaz Rexha (Prishtinë),

Dr. Edita Tahiri (Prishtinë), Gjeneral Agim Çeku (Prishtinë), Dr. Rexhep Osmani (Prishtinë), Prof. Dr. Sulltane Ukaj (Prishtinë), Prof. Dr. Izber Hoti (Prishtinë), Prof. Dr. Muhamet Mustafa dhe Dr. Lumir Abdixhiku (Prishtinë), Dr. Fitim Rifati (Prishtinë), Prof. Dr. Violeta Nushi (Prishtinë), Dr. Parim Kosova (Prizren), Dr. Sabit Syla (Prishtinë) e Dr. Petrit Gashi.

Në këtë konferencë dyditore u lexuan 30 kumtesa shkencore, duke sjellë dhe fakte të reja, në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në mbyllje të punimeve të kësaj Konference, Prof. Dr. Jusuf Bajraktari, drejtor i Institutit të Historisë, në Prishtinë, i falënderoi pjesëmarrësit e sidomos referuesit e dha përfundime mjaft të vlefshme. Bazuar edhe në temat e paraqitura, ai nënvizoi detyrat shumë të rëndësishme, që dalin në fushën e studimeve, që duhet të ndërmarrin Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Instituti i Historisë, në Prishtinë.


Nga Ibrahim HAJDARMATAJ

(Shkrimin e dërgoi për publikim: Prof. Murat Gecaj – Tiranë)

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.