Ruli: Biznesi hungarez, i mirëpritur për të investuar në shumë sektorë
Ministri hungarez: Shqipëria, progres në rritjen e prodhimit bujqësor
Brenda pak javësh, nënshkruhet marrëveshja për tregtinë, bursat e studimit dhe sigurinë ushqimore
Me ftesë të veçantë nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, në Tiranë, ka ardhur këto ditë Dr. Sándor Fazekas, ministri hungarez i Zhvillimit Rural. I ftuar për të vizituar Panairin Kombëtar “AGROBIZNES E TURIZËM 2012”, ministri hungarez i Zhvillimit Rural në vizitën në Tiranë shoqërohej nga stafi i tij dhe mbi 100 biznesmenë hungarezë, të cilët do të vizitojnë panairin “AGROBIZNES E TURIZËM 2012”. Gjatë së enjtes, dy ministrat janë takuar dhe kanë diskutuar për rritjen e bashkëpunimit mes ministrive dhe dy vendeve. Konkretisht, është biseduar për bashkëpunim në programet e ndryshme bujqësore, për përmirësimin e kuadrit ligjor, për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunim në sektorë të tjerë. Gjatë vizitës u bë me dije se qeveria dhe sektori privat hungarez është më se i interesuar për të gjetur mundësi të reja për të investuar dhe për të gjetur partnerë për të bashkëpunuar në sektorin privat. “Ju falënderoj për ftesën dhe jeni të mirëpritur për të investuar në Shqipëri dhe bashkëpunuar në fusha të ndryshme. Së bashku me ju do të diskutojmë mbi problematikat dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, jo thjesht për të si bashkëpunim mes dy ministrive, por për të rritur shkëmbimet tregtare. Hungaria si vend anëtar i BE-së vlerësohet nga ne si vend që mund të na ndihmojë në proceset e para të anëtarësimit. Fushat e bashkëpunimit mes nesh janë të shumta, si kërkimi shkencor, përgatitja e politikave, rritja e sigurisë ushqimore. Duhet të bashkëpunojmë shumë që të sjellim rritje të shkëmbimeve tregtare, si dhe për të thithur sa më shumë investime hungareze në Shqipëri”, – tha ministri Genc Ruli gjatë takimit. Ndërkohë, ministri hungarez i Zhvillimit Rural vlerësoi ftesën dhe mikpritjen në Shqipëri dhe gjatë takimit, tha se të dy vendet kanë shumë mundësi për të bashkëpunuar. Ai ka vënë në dukje faktin se Shqipëria në vitet e fundit ka njohur vetëm rritje të konsiderueshme të prodhimit bujqësor. “Është për t’u vlerësuar fakti që Shqipëria, në vitet e fundit, ka njohur vetëm rritje të prodhimit bujqësor, zhvillim ky që nuk vihet re në shumë vende të rajonit dhe botës. Shifrat janë shumë interesante dhe tregojnë se bujqësia është sektor me potenciale të mëdha. Kemi ardhur në Shqipëri me qëllime të qarta, për të rritur bashkëpunimin dhe për të investuar në fusha të ndryshme, si në bujqësi. Dëshiroj që shumë investitorë hungarezë të jenë prezent në Shqipëri. Shikojmë mundësi investimi në shumë sektorë”, – tha Dr. Sándor Fazekas, ministri hungarez i Zhvillimit Rural. Pas takimit të ministrave, në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit u zhvillua një takim me biznesmenëve hungarezë dhe disa biznesmenë e menaxherë shqiptarë, që operojnë në sektorin e bujqësisë dhe agropërpunimit.
Ndërkohë, në takim, u vendos që brenda pak javësh ministrat të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi, që do të synojë rritjen e shkëmbimit të informacionit mes dy vendeve, dhënien e bursave për studime në Hungari, përmirësimin e sigurisë ushqimore, rritjen e shkëmbimeve tregtare, kërkimeve shkencore, koordinim mes dy vendeve për informacion mbi çmimet etj.












