Sherri me gjyqtarin, avokatët e Elbasanit bojkotojnë seancat. KLD-ja nis hetimet
Avokatët e Elbasanit kanë bojkotuar dje të gjitha seancat gjyqësore, ndërsa kanë paralajmëruar zhvillimin e protestave para gjykatës së rrethit dhe policisë. Vendimi vjen një ditë pasi policia e Elbasanit ka arrestuar avokatin, Bujar Dyrmishi, i cili gjatë ditës së mërkurë, goditi gjyqtarin Xheladin Karkini, në zyrën e tij, në ambientet e Gjykatës se Elbasanit. Mësohet se shkak i konfliktit është bërë një tension i momentit, në lidhje me orarin e seancës gjyqësore të radhës. Kjo ka çuar në një konflikt verbal, më pas fizik, për të cilin është dashur ndërhyrja e policisë. Si pasojë e situatës së krijuar, në Gjykatën e Elbasanit u ndërprenë për 90 minuta të gjitha seancat. Në lidhje me arrestimin e avokatit Dyrmishi, ka reaguar edhe Dhoma e Avokatisë, e cila e ka cilësuar arrestimin e avokatit një akt absurd, pasi kërkesa e avokatit ishte mëse normale. Inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të kontrollojnë dosjet e gjyqtarit Xheladin Karkini, në Elbasan. Inspektimi ka të bëjë me faktin që gjyqtari Karkini njihet për moszbardhjen e vendimeve gjyqësore. Kontrollet nuk kanë të bëjnë me konfliktin që gjyqtari ka me avokatin Bujar Dyrmishi dhe që degjeneroi deri në dhunë një ditë me parë. Karkini, prej vitesh, është akuzuar nga qytetarët, avokatët dhe prokurorët e rrethit të Elbasanit se nuk zbardh vendimet gjyqësore e kryesisht ato civile, moszbardhje, të cilat arrinin edhe deri në 3 vjet.















