Tabaku: Shumë zona në Tiranë, pas 10 vitesh po ndiejnë vëmendjen e bashkisë
Me një investim prej 13.7 milionë lekësh të bashkisë së Tiranës, ka nisur puna për ndërtimin e rrugës tek Filanto (vazhdimi i rrugës ”Skënder Jareci”, deri tek Shinat e Trenit), në Njësinë Bashkiake Nr. 9. Nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, znj. Jorida Tabaku, ka inspektuar dje, punimet në këtë rrugë. Projekti i kësaj rruge u shërben një komuniteti prej 1 mijë banorësh dhe parashikon ndërtimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të bardha, ujërave të shiut, ndërtimin e linjave rezervë për fibra optike dhe shërbimet inxhinierike nëntokësore, sikundër do të bëhet spostimi i linjave elektrike dhe shtyllave të tensionit. Afati i përfundimit të punimeve është 6 muaj kalendarikë.
“Sërish sot, jemi në një rrugë, e cila prej 10 vitesh nuk ka pasur asnjë investim dhe më në fund, ne bëjmë realitet kërkesën e banorëve të kësaj zone, të rrugës tek Filanto, për të filluar rikonstruksionin dhe rehabilitimin e zonës. Këtu është një investim prej rreth 13.7 milionë lekësh. Do të kemi një rrugë të re, me standarde evropiane, me gjerësi 6 metra, me trotuare 1 metër, me të gjithë instalimet përkatëse, me fibrat optikë, sistemin e ujësjellës-kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza, ndriçimin dhe gjelbërimin e kësaj zone. Projekti i kësaj rruge do të vazhdojë deri tek Shinat e Trenit dhe do të vijojë projekti i rrugës “Llazar Shabatini”, që vazhdon pas Shinave të Trenit, projekt, i cili fillon në javën e ardhshme dhe me rehabilitimin e Bllokut 53 që është blloku para nesh, për t’i dhënë të gjithë zonës së “Don Boskos”, pjesës më të pazhvilluar të saj, një pamje tjetër, pamjen e Tiranës evropiane, për të cilën të gjithë qytetarët e kësaj zone kanë dëshirë”,- u shpreh znj. Tabaku. Nënkryetarja e bashkisë bëri të ditur se të gjithë rrugët ku kanë nisur investimet, janë kërkuar nga njësitë bashkiake dhe komuniteti, ndërsa garantoi se ato do të jenë në standardet më të larta. “Të gjithë projektet e bashkisë së Tiranës janë projekte, të cilat kanë ardhur nga njësitë bashkiake dhe kërkuar nga komuniteti, por nga ana tjetër, janë projekte që i kanë munguar qytetit në 10 vitet e kaluara. Unë falënderoj Kryetarin e minibashkisë, për bashkëpunimin që ka pasur me komunitetin. Menjëherë kontraktori ka filluar punimet dhe ka pasur një mirëkuptim nga banorët, të cilët kanë mirëpritur edhe projektin e ri të bashkisë së Tiranës për kangjellat, të cilat do të zëvendësojnë muret rrethuese të shtëpive të tyre, në mënyrë që e gjithë rruga të ketë një pamje të njëjtë”.















