Degët e ekonomisë, më të kërkuara nga të rinjtë

Publikuar më: 19/10/2012 8:22

Lëndët që lidhen me ekonominë po kërkohen gjithnjë e më shumë nga të rinjtë shqiptarë. Edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës, degët më të kërkuara lidhen me këtë profil. Ekonomiku dhe Agrobiznesi është në majën e listës së të preferuarave nga studentët shqiptarë. Këtë vit për t’iu përshtatur edhe kërkesave të tregut të punës, drejtuesit e këtij universiteti kanë rishikuar kurrikulat ekzistuese, për t’i bërë ato sa më të përshtatshme, me vendin e punës ku të sapodiplomuarit do të punojnë. Në një prononcim për mediat, Remzi Keco, drejtor i kurrikulave në Universitetin Bujqësor të Tiranës thotë se: “Kurrikulat rishikohen ngadalë dhe në mënyrë shumë të kujdesshme, për të reflektuar në mënyrë konstante dinamikat e zhvillimit të tregut dhe kërkesat në përgjithësi për specialistë. Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit mbetet një prej fakulteteve të preferuara me prurje të lartë studentësh, gjithashtu dhe Fakulteti i Bioteknologjisë, Bujqësisë dhe Ushqimit. Kohët e fundit fakulteti i mjekësisë veterinare po shndërrohet në një orientim mjaft atraktiv”. Vetëm në dekadën e fundit, numri i studentëve në universitetin Bujqësor të Tiranës është gjashtëfishuar. Prurjet e reja, thonë drejtuesit e këtij universiteti kanë sjellë edhe nevojën për shtim të kapaciteteve por edhe laboratorëve, ku kryhet praktika mësimore. “Mjediset shfrytëzohen varësisht sistemeve të studimit. Pra, mjediset shfrytëzohen gjatë javës për sistemin full-time, gjatë fundjavave për sistemin part-time, megjithatë natyrisht që nevojat gjithmonë janë konstante”,- thotë Keco. Rritja e numrit të studentëve thonë drejtuesit e universitetit ka sjellë ngarkesë mësimore tek pedagogët, por ashtu si çdo vit, numri i këtyre të fundit është shtuar, duke reduktuar disi orët e mësimit për pedagog.

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.