Kur majori italian thoshte: “S’ka më Shqipëri e shqiptarë”

Publikuar më: 03/10/2012 10:27

Ese për mësuesin atdhetar Ali Idrizi

Historiografia jonë kombëtare, si kudo e përherë, edhe në këtë shekull jubilar të shpalljes së Pavarësisë, na vjen e personifikuar nëpërmjet personaliteteve, prijësve e figurave më të shquara, të cilët, me të drejtë, i kujtojmë e i nderojmë, i evokojmë e u bëjmë homazh, i ngremë në piedestal për veprimtarinë e tyre më të konsiderueshme në shërbim të Kombit. Ata janë bajraktarët apo flamurmbajtësit në këtë shekull të përgjakur e sakrificash sublime.Poçdo të ishin ata pa mbështetjen masive të një populli të tërë i etur për liri? Kemi një histori të shkruar vertikale me bëmat e saj, të themi, në nivel gjeneralësh.Ponëpërmjet saj ne nënkuptojmë historinë e pashkruar horizontale, atë me themeloren, në nivel ushtarësh, majorësh, njerëzish të thjeshtë, deri tek një mësues i shkollës fillore, siç është dhe protagonisti i këtij shkrimi që po e evokojmë. Janë këta të dytët që i vënë gjoksin historisë dhe mbajnë gjallë jetën shoqërore, që dalin në fushën e betejës dhe përcaktojnë fitoren. Kur u gëzohemi frutave të një bime apo luleve shumëngjyrëshe e aromatike, nuk mund të mos na shkojë mendja edhe te rrënjët e padukshme të tyre nën dhe tek ai burim i heshtur, por jetëdhënës; ashtu dhe prijësit i ngjajnë Anteut, që merrte forcën kur prekte tokën, i kanë rrënjët në masën e popullit, në ata njerëz të thjeshtë e të heshtur që e bëjnë faktikisht historinë, mbajnë gjallë jetën e i japin zemër ajkës që del në krye e hyn në histori. Pa këto burime e mbështetje, prijësit do të mbeteshin si peshku pa ujë, si rezervuarët që varen nga reshjet. Këtë lidhje e shpreh shkurt edhe filozofia popullore: “Trim i mirë me shokë shumë”! Sa më shumë u largohemi ngjarjeve të vrullshme të shekullit 20, aq më madhështore del në pah vlera e punës, vullnetit dhe përkushtimit të njerëzve të thjeshtë, të bijve të popullit, atyre heronjve të heshtur, që qëndrojnë në themelet e historisë e të jetës shoqërore dhe, urtë e butë, i shërbejnë progresit, duke qëndruar të vendosur për të drejtën dhe të vërtetën, për lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Në këtë kontekst e pikërisht për këtë jubile të madh, kemi arsye e ndjehemi të motivuar të evokojmë emrin dhe veprën e njërit prej kësaj shumice dërmuese që mbajnë jetën, bëjnë historinë dhe i vënë gjoksin përparimit; fjala është për mësuesin atdhetar Ali Idrizi (1909 – 1976). Në jetën e tij ka diçka të veçantë që spikat e duhet vlerësuar se është ilustrim tipik i të përgjithshmes në jetë. Ky bir Labërie, nga Tatzati (Delvinë), fshatar i varfër, para se të niste detyrën fisnike të mësuesit, pati për “mësues” të parë të vet vështirësitë e jetës, në vorbullat e saj u kalit me vullnetin për të mësuar, u armatos me dije për të përballuar vështirësitë dhe të papriturat e më tejshme të saj. Ai erdhi në jetë në fillimet e shekullit 20-të, në prag të shpalljes së Pavarësisë tonë Kombëtare e të Luftës së Parë botërore, kur Perandoria Osmane, “e sëmura e Bosforit”, përpëlitej dhe mbahej me shpirt në dhëmbë në trojet arbërore; nuk e shijoi gjatë ngrohtësinë, dashurinë dhe kujdesin prindëror, u rrit jetim, fëmijë i mitur, hyri në jetë në vitet e shtetit shqiptar. Në “universitetet e jetës” formoi identitetin e vet qytetar dhe dëshmoi atdhetarinë të kulluar, sidomos ndaj pushtuesve fashistë italianë.

Tatzati i vendlindjes, Vlora, Elbasani u bënë për adoleshentin dhe të riun stacionet e shkollimit, ku, nëpërmjet rezultateve të larta në mësime mundi të fitojë bursë shtetërore në kudhrën e arsimtarisë, në normalen elbasanase, me 80 nxënës, bashkënxënës me Sterjo Spassen, të mëkuar me atdhetarizëm të kulluar nga elitarë si Xhuvani, Gurakuqi, Shuteriqi etj. Punoi si bletë punëtore e palodhur, si e etur mblodhi dije dhe rezotoi për shumë vite dritën e diturisë. Ai nisi nga puna në shkollën e Jergucatit rreth moshës 20 vjeçare, por në vitin 1934 u transferua në Delvinë, sepse në shkollat e minoritetit nisi të përdorej gjuha amtare e fëmijëve, greqishtja. S`iu nda arsimit, i qëndroi besnik detyrës së mësuesit, edhe në Korçë, edhe në Tiranë, madje në vitin shkollor 1947-‘48, mundi të hyjë edhe në historikun e shkollës ushtarake “Skënderbeu”. U shpërblye edhe me dekoratën “Urdhri i Lirisë, kl. II”. Çdo njeri testohet dh shfaq personalitetin e tij kur gjendet në rrethana dhe situata konkrete. Në jetëshkrimin dhe në kujtimet për këtë mësues të thjeshtë është me vlera një moment në ato pesë vite (1938-1943), që ishte drejtor i shkollës së Leskovikut. Çfarë i ndodhi drejtor Aliut dhe cila është qëndresa e tij? Më 23 gusht të vitit 1941, në vigjilje të shtatorit, kur shkollat po përgatiteshin për fillimin e vitit të ri mësimor, i shkon komandanti i Milicisë, majori italian Alberto D`Ariezo, bashkë me Ronaldo Visani-n, për të zaptuar me forcë shkollën, sepse i nevojitej për vendosjen e trupave ushtarake. Përballë drejtorit imcak krekosej vetë “Comando 116 Batalione d`Asalto Ç. NN. Milizia Volontaria Sigurezza Nazionale”, (thënë italisht këto sikur tingëllojnë më prezentabël!) “Dreq`o punë – mendoi drejtori, – pretendon tjetri se po na sjell qytetërimin dhe na urdhëron mbylljen e shkollës, vetë vatrën e qytetërimit!” -“Ndal!”- i tha mësuesi 32-vjeçar. – Ku të çon mushka! Nuk preket tempulli i dijes! Shqiptari e ka shkollën më të shenjtë se kishën apo xhaminë! Çelësat dorëzohen vetëm me urdhër të Ministrisë së Arsimit. Pa urdhër të saj askujt nuk mund t’i jepen çelësat e shkollës!” – “Unë futem dhe me forcë, s`ka më Shqipëri e shqiptarë!”, – kishte reaguar majori italian, gati duke imituar Duçen, që e përfaqësonte dhe ma kapadaillëk fashist; kurse mësuesi ynë u ngrit në nivelin e tribunit popullor dhe i dha urdhrin të kthehej andej nga kish ardhur se ky vend e komb e ka një zot! Përfundimisht, përfaqësuesit e pushtetit pushtues u larguan me bisht në shalë! Le të kujtojmë se fashizmi italian, në vitin 1941 ndihej i konsoliduar në Shqipëri si pushtues, ishte në kulmin e fuqisë e të sundimit. Vërtetë ai kishte ngrënë një dru të fortë nga fqinji ynë jugor në luftën italo-greke, por Shqipëria, dukej sikur ishte bërë një me Mbretin Perandor të Italisë, thua e njësuar dhe ky bashkim u dukej pushtuesve për më gjatë sesa me Perandorinë Otomane.Polëre se ç’mendojnë pushtuesit për veten e tyre! Lëri dhe pretendimet e tyre propagandistike se “Duçja ekishnë zemër Shqipërinë” dhe i nisi trupat e tij për “lulëzimin dhe civilizimin e shqiptarëve!” Pushtuesit mbahen me iluzionet dhe demagogjinë e tyre, historia dhe jeta kanë dhe rrjedhin me logjikën e hekurt të tyre. Kësaj logjike iu përmbajt edhe drejtori i një shkolle të vogël në Leskovik, Ali Idrizi. “Na u bë dhe copa e majorit ta shuaj nga harta Shqipërinë e shqiptarët”,- mendoi ai, dhe pa e zgjatur, shkroi e firmosi shkresën drejtuar nënprefekturës në vend dhe “Inspektorisë së Arsimit” në Korçë. Në atë shkresë, duke denoncuar veprimin arbitrar dhe pa sens kulture të majorit italian, drejtori u shkroi organeve më të larta tekstualisht: ”Ajo që ka rëndësi të madhe dhe për shpirtin e shqiptarit e të arsimit kombëtar është se majori italian, i inatosur që nuk ia dorëzuam çelësat e shkollës, tha: “Nuk ka ministër shqiptar e as Shqipëri”, gjë që bëri përshtypjen më të madhe, si kundrejt të nënshkruarit, që po fliste me të e iu përgjigj se “për ne ka Shqipëri e shqiptarë, ka ministri e administratë shqiptare”, ashtu dhe në popull që u ndodh aty, me që majori shkonte duke bërtitur rrugës. Për shkollën u morën masa dhe nuk u lirua, por ajo që ka rëndësi dhe nuk na lë të qetë shpirtërisht është mendimi që shfaqi majori se “s`paska Shqipëri dhe shqiptarë”! Le të ishin si të ishin e të mendonin si të donin ata në instancat më të larta të arsimit, nuk përjashtohej të ishin dhe të anëtarësuar në Partinë Fashiste, kuislingë e kolaboracionistë; mësuesit tonë atdhetar s’i bëri tërt syri, ai shprehu ç`i thoshte ndërgjegjja e vet atdhetare, tregoi epërsi absolute dhe dinjitoze. Ky ballafaqim me majorin italian dhe polemika parimore e këtij mësuesi atdhetar, përbën një testim serioz të karakterit të tij, dëshmon një shpirt shembullor atdhetar e të papërkulur. Sikurse një gllënjkë vere flet për cilësinë e krejt fuçisë, ashtu dhe ky, të themi, “incident” i mësuesit me majorin italian, dëshmon se kjo fytyrë e imët, në atë trup të fuqishëm e të lidhur prej aktiviteteve sportive, sidomos në Normalen e Elbasanit, me ata sy depërtues, me një ngjashmëri që të kujton diçka edhe nga Migjeni ynë, i bën sfidë atij grupimi njerëzish, përfshi edhe atë pakicë intelektualësh, që ulën shpinën dhe e dhanë shpirtin e tyre në drejtim kolaboracionist me fashizmin italian e nazizmin gjerman. Tek ky intelektual rrihte zemra me gjak të pastër shqiptari dhe qëndresa e tij është e thellë, prej rrënjëve popullore, është dëshmi e Luftës Antifashiste qëkishshpërthyer dhe për të cilën ai është shprehur: “Nuk ka mësues shqiptar, me mend në kokë, që jeton e vdes i lirë në tokën shqiptare, që të mos e dojë Luftën Nacionalçlirimtare”. Qëndrimi i tij burrëror përfaqëson të përgjithshmen të shprehur në të veçantën. Për lirinë e vendit bënë pushkë Abaz Kupi në Durrës, togeri Hiqmet Sula në Sarandë (diplomuar në Itali), ra Mujo Ulqinaku, Qemal Stafa, Vojo Kushi dhe mijërat e tjerë. E ka vendin dhe rolin e vet pushka në zhvillimet shoqërore, por edhe mendje e kthjellët, një vullnet i pamposhtur me fjalë të guximshme të mësuesit, çojnë peshë fëmijët dhe i brumosin ata me dinjitetin atdhetar, i çelin sytë e i japin forcë gjithë njerëzve të thjeshtë për rreth. Të tillë mësues, nuk tundin derën me fjalë, por mbjellin e selitin ide të shëndetshme dhe edukim atdhetar. Ali Idrizi është një pishtar i vërtetë, është përfaqësues tipik i shumicës dërmuese të inteligjencës shqiptare, i mijëra nxënësve, studentëve që lanë librat e diturisë e rrëmbyen pushkën e lirisë. Për hir të së vërtetës së plotë, plot pas tremuajsh, më 25 nëntor të vitit 1941, drejtorit të shkollës së Leskovikut i vjen një shkresë nga Inspektoria e Arsimit të Korçës si përgjigje e raportimit dhe ankesës së tij, ku i thuhet: “Mbas interesimit të saj pranë Mëkambësisë së Përgjithshme të Mbretit Peranduer, si dhe pranë Kryesisë së Këshillit të Ministrave, pati prej këtij të fundit Njoftimin se kundër sendorit Alberto D`Arienzo, komandant i Batalionit dhe centurionit Ronaldo Visani, janë marrë masa të rrepta disiplinore, tue i riatdhesuam menjëherë”. A u përzunë vërtet e u dalë më mirë këtyre ushtarakeve, se mund të linin dhe kockat në Shqipëri, apo sak u ndëshkuan për të reflektuar, kjo përbën kapitull tjetër. Mëkëmbësia e Përgjithshme e Mbretit Perandor në Shqipëri, i kishte aq mend, sa t’i sakrifikonte dy ushtarakë për “pak nam të mirë” në sytë e shqiptarëve, nuk do të lejonte që me zaptimin e një shkolle në Leskovik për strehim ushtarësh, të cenohej imazhi historik qytetërues i një Perandorie me rezidencë në Romën e lashtë. Mëkëmbësisë iu desh të bënte ca diplomaci e demagogji përkundrejt arrogancës së gjuhës ushtarake! Megjithatë, “incidenti” në Leskovik bëri jehonë perandorake dhe la gjurmë të pashlyeshme! Polemika e ashpër e një mësuesi shqiptar me majorin fashist italian, i ngjan asaj erës që rritet në uragan! Qëndresa e tij dëshmon se “edhe mendja e fjala janë bombë e flamur”. Arroganca e ushtarakëve italianë ishte demonstrim i fytyrës së vërtetë të fashizmit, qëndresa e mësuesit tonë ishte një faqe e ndritur e atdhetarisë dhe heroizmit të zakonshëm e të heshtur të jetës. Ky “detaj”, vërtet nuk përfshihet në Historiografi, por mbetet në histori, le ta themi, si çdo “lëndë e parë” e vyer, pa të cilën nuk prodhohet asgjë, si një ”tullë” e qerpiç për çdo kështjellë e arritje të jetës.

  Nga Prof. Dr. Hulusi

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.