Universiteti i Elbasanit nis vitin e ri akademik, 2500 studentë të rinj ulen në auditorë

Publikuar më: 09/10/2012 6:39

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit ka nisur vitin e ri akademik 2012 – 2013. Përmes një ceremonie për të promovuar këtë fillim viti, kanë marrë pjesë përfaqësues të pushtetit lokal, zv/ministri i Arsimit, Halit Shamata, si dhe deputetët Ardian Turku, nënkryetar i Parlamentit, deputetët Ardiana Gjonaj dhe Aurel Bylykbashi. Nga ana e tij, këtë ditë e ka celebruar rektori i Universitetit prof. dr. Liman Varoshi, i cili u ka uruar mirëseardhjen 14.687 studentëve që do të ulen në auditorët e këtij universiteti, prej të cilëve 2500 fillojnë vitin e parë. Sipas rektorit Varoshi: “Në veçanti u uroj mirëseardhjen 2500 studentëve të rinj, të cilët do të ulen për herë të parë në auditorët e universitetit tonë”. Më tej, ai shtoi se “ky vit i ri akademik starton me disa risi, të tilla si, dixhitalizimi i krejt procesit mësimor, lidhja online e bibliotekës së universitetit me bibliotekën e një universiteti të njohur britanik”. Gjithashtu, sipas Varoshit, këtë vit akademik në universitet do të ketë edhe disa programe të reja studimi. “Në universitet do të nisin veprimtarinë e tyre mësimore e kërkimore disa programe të reja studimi si në nivelin Bachelor, ashtu edhe në atë Master Profesional, siç janë Bachelor fizioterapi, ekonomi turizëm, administrim biznes e inxhinieri. Në nivelin Master Shkencor, dega kontabilitet, ndërsa në masterin Profesional në fushën e edukimit fizik dhe të sporteve. Gjithashtu, jemi në prag të çeljes së programit të nivelit të tretë të studimeve Doktoraturë, në fushën e Mjedisit dhe Mësuesisë”, vuri në dukje rektori Liman Varoshi duke i cilësuar këto si arritje edhe të mandatit të tij të dytë në krye të këtij universiteti. Duhet thënë se këtë vit të ri akademik trupës mësimore të këtij universiteti do t’i shtohen edhe 20 pedagogë të rinj, rekrutimi i të cilëve do të bëhet përmes zhvillimit të procedurave të miratuara nga senati i Universitetit.

Aktualisht, i shtrirë në katër godina Universiteti i Elbasanit mund të konsiderohet institucioni publik i arsimit të lartë që ofron kushtet më të mira të akomodimit në të gjithë vendin, ndërkohë që projektet për përmirësimin e mëtejshëm të këtyre kushteve janë në zhvillim e sipër. Sfida kryesore e këtij universiteti, sipas rektorit Varoshit, është rritja e cilësisë në auditorë, si edhe kualifikimi i stafit ku numërohen një numër tepër i madh profesorësh të asociuar si edhe doktorësh, ndërsa objektiv mbetet që brenda 2-3 vjetësh i gjithë profesorati do të jetë me minimumin titull doktor i shkencave.

Universiteti i Elbasanit vazhdon të mbetet një ndër më të preferuarit e maturantëve dhe këtë fakt ai e ka justifikuar dhe do ta justifikojë me kushte më të mira studimi e qëndrimi, me një kurrikulë bashkëkohore në përputhje me tregun e punës dhe me një rritje të ndjeshme të cilësisë së stafit dhe mësimdhënies.

Hyqmet ZANE

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.