Cërriku, 60 vjet qytet. Festa e një qyteti që meriton më shumë

Publikuar më: 24/11/2012 10:30

Për herë të parë, qyteti i Cërrikut feston ditën e krijimit të tij. Janë mbushur 60 vjet, që kur nisën ndërtimet e para, paralel me ndërtimin e uzinës së rafinerisë së naftës nga specialistë rusë dhe shqiptarë.

Në 60-vjetorin e krijimit të tij, qyteti i Cërrikut vjen i renditur me historinë e tij modeste dhe të vërtetë, me njerëzit e tij dhe me realitetet që e shoqëruan atë për më shumë se gjysmë shekulli.

 Cërriku, si qytet ndodhet në qendër të Shqipërisë së Mesme, mes dy lumenjve, Devoll dhe Shkumbin. Ndërtimi i tij nisi rreth 60 vjet më parë, fillimisht nga rusët, i cili, më pas, do të përjetonte spektrin industrial, falë Uzinës së Përpunimit të Naftës, që gjithsesi, ishte faktori dominues i ngritjes së tij dhe sot, dëshmi e një kohe që më shumë prodhoi inflacion politik se sa inflacion jetese si gjithë të tjerët në Europën e ëndërruar.

 20 vitet e tranzicionit demokratik do ta shndërronin Cërrikun në një qytet agro-bujqësor, pse jo dhe me resurse agro-kulturore. Rrethuar me kodra të buta e të gjelbëruara, mes një fushe relativisht të madhe, Cërriku numëron sot mbi 15 mijë banorë. Një popullsi relativisht e re, me resurse natyrore dhe njerëzore, ky qytet ofron mundësi të mëdha për investime në të gjitha sektorët. Natyrshëm funksionon rrjeti shëndetësor, farmaceutik, spitalor, social, kulturor si dhe mjediset sportive e një fushë futbolli e vlerësuar për parametrat, që janë njëherazi të gjitha bashkë kompleksi i jetës së përditshme.

 Ka tri shkolla 9-vjeçare, një shkollë të mesme, një të mesme e profilit bujqësor si dhe një kolegj turk, pa njohuri fetare të detyrueshme. Duhet thënë se që nga gjimnazi e deri tek shkollat e tjera të mesme, kanë dalë me qindra intelektualë të spikatur të fushave të ndryshme të jetës, një pjesë e të cilëve shërbejnë në kryeqytetin shqiptar apo dhe jashtë vendit.

Që në fillimet e tij, qyteti u popullua nga banorët e tij që vinin kryesisht nga fshatrat përreth apo zonat e afërta, por edhe nga komuniteti çam që u vendos në zonën e cilësuar si kantieri. Ishte një popullsi që vinte nga Çamëria, pas genocidit antishqiptar grek ndaj një populli të pafajshëm që gjeti strehën e saj mes popullsisë vendase në pjesët bregdetare dhe në Cërrik.

 Njëherazi, prej vitesh ka jetuar një pakicë e vogël greke, që kanë jetuar në harmoni e miqësi të plotë me vendasit, por që shumica e të cilëve janë larguar nga këtu.

 Pozicioni gjeografik i Cërrikut dhe resurset e tij, bëjnë që të mbizotërojë aktiviteti bujqësor, ku shquhet për drithërat e bukës, me një zhvillim ekstensiv, aktiviteti tregtar, po edhe ai industrial. Qyteti eksporton të gjitha llojet e frutave dhe perimeve në të katër stinët e vitit. Në qytet, veç sipërfaqeve të tokës private, ka sipërfaqe të lira shtetërore ku mund të investohet në çdo drejtim. Një popullsi e ardhur nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, por që sot është kompakte, reflekton ndjenja të larta miqësie me çdo zonë etnokulturore të Shqipërisë .Jo më shumë se 60 km nga deti dhe 20 km nga relievi malor, Cërriku prezanton një klimë të favorshme në bujqësi, agrume, blegtori e resurse të tjera natyrore.

 Qyteti është i ndërtuar në fushën me të njëjtin emër në rajonin e Elbasanit, pothuajse i baraslarguar nga lumenjtë Shkumbin e Devoll dhe ndodhet pranë qendrës arkeologjike të Pazhokut. Pas vitit 1912 banorët e fushës së Cërrikut luftuan kundër pushtuesve serbë, etj.

Më 3 janar 1946 u krijua SMT e Cërrikut nga të parat dhe më të rëndësishmet në vend. Aktiviteti i SMT shtrihej jo vetëm në rajonin e Elbasanit, por dhe në atë të Pogradecit dhe të Korçës. Në këtë sektor jetik për zonën e Cërrikut kanë qenë disa drejtues nga Elbasani që i kanë dhënë emër kësaj SMT-je. Më 1951, Stacioni i makinave dhe Traktorëve kishte 18 traktorë përkundrejt 2 920 hektarëve hamullor, ku punonin rreth 120 punëtorë. Pas vitit 1992, për vetë kushtet e ekonomisë së tregut dhe tregut të prodhimit dhe shitjeve, SMT u shpërbë dhe sot, ose është dhënë me qira, ose kanë përfituar prej saj prona të vogla ish-specialistë të kësaj ofiçinë.

 Uzina e përpunimit të naftës filloi ndërtimin bashkë me qytetin në vitin 1952 dhe u përurua më 8 nëntor të vitit 1956. Kjo uzinë ishte caktuar për përpunimin e naftës bruto, të furnizuar nga vendburimet e vendit me sistem tubacionesh.

 Uzina gjatë kohës që funksiononte jepte benzinë, gazoil, vajguri për ndriçim, bitume të tipave 3, 4, 5, solar, mazut. Në vitin 1962 filloi prodhimi i vajrave lubrifikuese për automjete Avtol 18 dhe DP 14, si dhe vajguri tip TS1 për aeroplanët. Në vitin 1965 filloi prodhimi i sapunit naftanik dhe acideve nafttanike. Furnizimi me naftë bruto bëhej me ndihmën e linjës së tubacioneve nga Kuçova. Për shkaqet e amortizimit dhe teknologjisë së vjetruar që nuk i përballonte shpenzimet në raport me produktin, aq më tepër në kushtet e ekonomisë së tregut, Uzina nuk është më në gjendje pune. Termocentrali është ndarë nga Uzina si njësi prodhuese më vete e sistemit energjetik kombëtar, por që fatkeqësisht, është mbyllur. Pranë uzinës ishte ngritur edhe termocentrali me tri turbina.

Megjithëse në një ekonomi të centralizuar, duhet thënë se rritja e ndërmarrjeve çoi në rritjen e vetë qytetit. Lindën pallatet e para dhe familjet e vendosura fillimisht aty erdhën nga qyteti i Elbasanit. Më 1953, Cërriku bëhet rreth më vete.

Një kontribut të veçantë në rritjen intelektuale dhe kulturore të popullsisë së Cërrikut kanë dhënë edhe mësuesit elbasanas që u bënë shembulli dhe pasqyra e elitës intelektuale. Gjithkush, sot, kujton me respekt të veçantë emrat e atyre mësuesve që dhanë kontribute të veçanta për rithithjen e cilësisë së intelektualizmit cerrikas dhe që nga ky qytet kanë dalë inxhinierë dhe mësues, artistë dhe shkrimtarë, politikanë e pushtetarë, profesorë dhe drejtues të zotë institucionesh, si Hyjni Ceka, Bukuroshe Sejdini, Liman Varoshi, etj.

 Cërriku ka nevojë për shumë ndihma në investime, por edhe me mbështetje humanitare si ajo e fondacionit humanitar “Medikalbania” që ka më tepër se dy vjet nga veprimtaria e saj. Ka qenë ky seriozitet që bashkia e qytetit ka zyrtarizuar marrëveshjen e bashkëpunimit. Bashkisë së Cërrikut i janë dorëzuar sasi të konsiderueshme ushqimesh, veshmbathjesh si dhe barnash mjekësore, mundësuar nga misionerët e këtij fondacioni, të cilat janë ndare nga pushteti vendor me një komision të posaçëm për personat me të ardhura të pakta.

Një nga veprat e mëdha që janë ndërtuar në Cërrik, është edhe radiostacioni, i cili ka filluar punë më 1 tetor 1967. Është qendër transmetimi radioje, me valë të shkurtra. Ky radiostacion ka qenë konceptuar si i ndarë në zona A dhe zona B. Radiostacioni i Cërrikut ka shërbyer dhe si shkollë për njohjen e teknikës radiotelevizive. Një numër i madh specialistësh të dalë nga këtu, punojnë në vende kyçe të Radio -Televizionit Shqiptar.

Jeta e këtij qyteti dhe e banorëve të tij ka pasur dritë hijet e tij përballë realiteteve të kohës. Cërriku, pa dëshirën e banorëve të tij u kthye në një qytet ku strehoheshin të persekutuarit politikë të diktaturës që nga Liri Belishova e Dilaver Poçi, por edhe që u krijuan gjatë viteve të tij si inxhinierët Minella Çami e Telat Mehmeti. Por e veçantë ka qenë persekutimi dhe ngjyrimet e theksuara diskriminuese që iu krijua mësuesve të nderuar si Dilaver Shkodra, dhe veteranit të arsimit të nderuarit Hasan Rami, ndonëse të pamerituara, është fakt që kinemaja e njohur si kinoklubi “Ptoleme Xhuvani” gjatë jetës së tij funksionale, më shumë se bëri art e kulturë, u bë edhe tempulli i persekutimit publik të mësuesve dhe çdo njeriu që shihej nga diktatura si armik i klasës. Ishte e dhimbshme që Cërriku konsiderohej si kudhra e diktaturës së proletariatit, por që pa dashjen e banorëve të tij, u bë edhe vend internimi i njerëzve.

Me këtë panoramë të jetës së tij, qyteti i Cërrikut vjen në këtë përvjetor të tij të 60 vjetëve të krijimit si dëshmi e një qyteti që lindi nga hiçi dhe që sot është një qendër ku bashkia e qytetit ka përgjegjësinë e saj të rritjes së cilësisë së jetës dhe thithjen e investimeve në funksion të punësimit dhe transformimit të një vendi me resurse të patreguara përmes projekteve që janë edhe nevojë imediate.

Në këtë kuadër gjatë të gjithë ditës së sotme qyteti ka festuar 60 vjetorin e tij. Kryetari i bashkisë, Servet Duzha, kishte organizuar një sërë aktivitetesh si edhe shpërndau certifikata mirënjohje për shumë figura nga fusha e artit, arsimit, që kanë jetuar në këtë qytet ndër vite. 100 vjetët e shtetit shqiptar kanë brenda edhe jetën e një qyteti si Cërriku. Ceremonia festive u zhvillua në kinemanë e qytetit, ku përveç autoriteteve vendore, kanë marrë pjesë nënkryetari i Parlamentit Ardian Turku, kreu i LSI, Ilir Meta, si dhe artistja simbol i Cërrikut Rajmonda Bulku.

Kreu i bashkisë dhe gjithë të tjerët që përshëndetën, ndërsa uruan për 60 vjetorin e lindjes, nxorën në pah vlerat qytetare dhe patriotike të komunitetit të qytetit si dhe përmendën qindra intelektualë të fushave nga më të ndryshmet që ka nxjerrë ky qytet dhe që punojnë këtu e në shumë qytete shqiptare apo dhe jashtë vendit.

Bashkia ka vlerësuar me tituj nderi qytetarë të devotshëm që nuk jetojnë apo dhe shumë të tjerë që kontribuojnë në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Me tituj nderi janë vlerësuar dhe disa shoqata të huaja apo fondacione që operojnë në jetën social-ekonomike të Cërrikut. Veprimtaria është mbyllur me dokumentarin Cërriku – 60 vjet dhe organizohet në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Hyqmet ZANE

 

 

 

 

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.