Përmbytjet e tokave në Lezhë, Rama akuzon qeverinë

Publikuar më: 12/11/2012 11:27

Kryesocialisti Edi Rama ka vizituar zonat e përmbytura të komunës Kolsh në Lezhë, ku ka parë nga afër përmbytjet dyjavore të tokave bujqësore dhe të disa shtëpive. Duke iu referuar gjendjes së krijuar Rama ka deklaruar se pa pasur shira e stuhi, është krejt e papranueshme që të ketë përmbytje të këtij lloji, duke shtuar se nuk dihet se kur do të përfundojë. Sipas Ramës, është krejt e vështirë të ketë zgjidhje me qeverinë aktuale, e cila premtoi 7 vite më parë se në Lezhe nuk do të ketë më përmbytje, duke treguar se nuk është e angazhuar për të zgjidhur problemet e shqiptarëve e aq më tepër të fshatit. Niveli i ujit në zonat e përmbytura të Lezhës, kryesisht në fshatin Barbulloje arrin deri në 60 cm, ndërsa shumë banesa kanë prezencë uji brenda ambienteve të shtëpive të tyre. Shkak për këtë situatë janë bërë ndërhyrjet që kanë nisur në hidrovorë, dhe që pritet të përfundojnë në mesin e muajit nëntor. Edi Rama, pasi i ka dëgjuar me shumë vëmendje shqetësimet e këtyre banorëve që e kanë të pamundur mbijetesën nën pushtetin e ujit u shpreh se është koha të ndalet ky rrënim që pushteti i sotëm vetëm e thellon çdo ditë, është koha që fshati shqiptar të rilindë: “U bë 100 vjet pavarësi, 100 vjet shtet dhe kurrë shqiptarët nuk kanë dëgjuar ndonjëherë kaq shumë rrena. Kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk kanë pas probleme deri edhe ekzistence, ndërkohë që kjo është koha e lirisë. Kjo është kohë kur secili me punën e meritën e vet t’ia dalë dhe ta ketë shtetin në krah. Është një çështje e së ardhmes. Është koha për ta ndalur këtë rrënim që vazhdon dita ditës dhe për të krijuar kushtet që ta Rilindim Shqipërinë, ta Rilindim Fshatin, ta rilindim shpresën dhe besimin në çdo komunitet. Ti japim jetë një qeverie për njerëzit dhe me njerëzit.” Kryetari i PS-së është angazhuar në këtë zonë se PS-ja brenda mandatit të parë të saj do të zgjidhë përfundimisht problemin e ujitjes dhe kullimit në mbarë vendin. Partia Socialiste në qeveri do t’i japë zgjidhje problemit të uljes së kostove të prodhimit dhe pamundësisë për të gjetur tregje për produktet bujqësore: “Ne do të jemi ditë e natë të angazhuar për të garantuar që ujitja dhe kullimi të jenë të garantuara kudo ku njerëzit punojnë tokën dhe kudo njerëzit jetojnë me tokën. Ne do të bëjmë çmos, do të jemi ditë natë të angazhuar për të garantuar kostot e prodhimit të ulen dhe që puna me tokën mos jetë vetëm mbijetesë, po të sjellë mirëqenie në mënyrë që fëmijët në fshat të rriten siç e meritojnë. Ne do jemi të angazhuar ditë natë që ai prodhim që do dalë si rezultat i politikave të reja në lidhje me fshatin të mund të gjejë treg e jo të hidhet në lumë, siç ndodh në shumë zona apo që njerëzit detyrohen të dalin në anë të rrugës duke pritur se kush do vijë të blejë një kile domate a një kile mollë”,- përfundoi Kryetari Rama.

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.