Rinisin provimet e shtetit, afati kur do të nisë testi për mësuesit

Publikuar më: 22/11/2012 15:39

Rinisin provimet e shtetit. Ky është provimi që duhet të japë një i sapodiplomuar për t’u punësuar më pas në profesionin e tij. Të hënën e ardhshme provimi i shtetit nis me infermierët, ndërsa për herë të parë këtë dhjetor do të jenë dhe rreth 200 mësues që do t’i nënshtrohen këtij testi. Sipas Agjencisë Kombëtare të Provimeve, në këtë provim do të futen të gjithë të sapodiplomuarit nga 2009 në mësuesi dhe që kanë bërë 1 vit praktikë. Testi do të zhvillohet për 19 profile të kësaj dege dhe mësuesit e rinj do te testohen, përveç lendeve për të cilat janë diplomuar, edhe për drejtshkrimin. “Në periudhën 17-24 dhjetor, për herë të parë zhvillohet provimi në mësuesi. Vlen të ritheksohet se në këtë provim do të marrin pjesë ata mësues që kanë një diplomë të ciklit të dytë, dhe kanë kryer praktikën profesionale pranë shkollave përkatëse ku i kanë caktuar drejtoritë arsimore për vitin akademik”, bën të ditur Niko Terezi, specialist i Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Këtë vit për herë të parë, gjatë muajit janar do të shtohen në provimin e shtetit edhe tre profile të tjera të fakultetit të infermierisë. “Do të zhvillohen në ditët e para të janarit provimi i shtetit në tre specialitete të reja që përfshihen në fakultetin e infermierisë, që janë nënspecialiteti imazheri, logopedi dhe teknik laboratori. Dhe për këto janë shpallur pyetjet dhe programet një vit përpara, janë regjistruar kandidatët dhe së shpejti do të dalin listat për orën dhe datën e saktë”, tha ai. Nëse kandidati merr më pak se 50 pikë vlerësohet me notën katër dhe nuk e kalon testin. Sipas rregullores, provimi i shtetit nuk mund të jepet më shumë se pesë herë. Pas provimit, kandidati ka të drejtë të verifikojë përgjigjet e dhëna dhe të ankimojë, nëse ka kontestime për rezultatin. Për këtë, paraqet ankesën me shkrim, pranë AKP-së, brenda 5 ditëve nga shpallja e rezultateve. AKP-ja shqyrton ankesën dhe kthen përgjigje të argumentuar brenda 30 ditëve.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.