Sektori i ndërtimit, në krizë të thellë, 3 muajit e fundit ulje prej 25 për qind

Publikuar më: 12/11/2012 11:49

Ndërtimi po zhytet në një krizë që sa vjen e thellohet, për shkak të rënies së vazhdueshme të kërkesës. Vetëm gjatë tre muajve të fundit, ky sektor ka shënuar një rënie prej 25 për qind, ndërsa Shoqata e Ndërtuesve thotë se kriza në ndërtim, jep efekt zinxhir në bizneset e tjera. “Rënia ka qenë nga 17 për qind në fillim të vitit, deri në 20-25 për qind në këtë periudhë të fundit. Është një rënie shumë e thellë. Nëse nuk lëviz fare industria e ndërtimit, kjo sjell pasoja edhe në biznese të tjera. Mos harrojmë që me biznesin e ndërtimit janë të lidhura edhe 130 biznese të tjera në sistemin zinxhir”, – bën me dije Ilir Hebovija nga Shoqata e Ndërtuesve. Ndërtuesit thonë se rënia e kërkesës shpjegohet me rënien e kreditimit të bankave për shtëpitë, por edhe tkurrjen e shpenzimeve të emigrantëve për shkak të krizës në vendet ku jetojnë. “Ka rreth 14 për qind rënie në tremujorin e tretë vitit 2012, sidomos kreditimi për shtëpitë. Ka rënë kërkesa, për shkak edhe të rënies së kërkesave nga ana e emigrantëve. Ata kursejnë për shkak se edhe atje ka krizë. Edhe për shkak të ligjit të pastrimit të parave, një pjesë e këtyre emigrantëve kanë punuar në të zezë dhe nuk kanë se si të deklarojnë burimin e parave”,- thotë Hebovija. Përveç “real astate”, goditje ka pësuar edhe infrastruktura për shkak të tkurrjes së madhe të investimeve publike. Ndërtuesit kërkojnë shkrirjen e marrëdhënies së këtij biznesi me bankat, të cilat, sipas tyre, kanë likuiditete që mund t’i vënë në punë, qoftë edhe përmes një garancie nga ana e shtetit.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.