Kongresi i Durrësit, 25 dhjetor 1918

Publikuar më: 27/12/2012 9:56

Përpjekjet për formimin e një qeverie kishin nisur me fillimin e Luftës së Parë Botërore, pas largimit nga Shqipëria të princ Vidit dhe qeverisë së tij. Shqiptarët nuk i reshtën përpjekjet edhe gjatë konfliktit botëror, por me gjithë orvatjet e kohës, ata kishin ndeshur në kundërshtim me interesat e pushtuesve. Kushtet e formimit të një qeverie shqiptare u mundësuan në fund të Luftës së Parë Botërore, atëherë kur ajo duhej të harmonizonte të gjitha përpjekjet për të evituar kërcënimin real nga fituesit e luftës. Këto kërcënime reale duket se ishin duke u institucionalizuar, nëpërmjet organizimit të Konferencës së Paqes së Parisit.

Duke i ndjekur me kujdes ngjarjet, shqiptarët ndodheshin përpara një evenimenti tepër të rëndësishëm ndërkombëtar, i cili kërkonte pjekuri dhe maturi politike. Me praninë e një qeverie në mërgim, të përfaqësuar nga Esad Toptani, së cilës i ishte bërë një publicitet i mjaftueshëm nëpërmjet gazetave të fuqive europiane, ishte arritur që, jo vetëm nuk qe dëmtuar figura politike e tij, por, përkundrazi, po i sigurohej atij një vend nderi “si diplomat i parë shqiptar në sytë e diplomacisë europiane, gjë që, në të vërtetë, ishte një tregues i mirë i pozicionimit të tij”[1].

Këto ishin disa nga rrethanat, të cilat e kishin shtyrë “Vatrën” që, pa mbaruar ende lufta, në gusht të vitit 1918, t’i drejtohej qeverisë italiane, nëpërmjet gazetës “Dielli” dhe t’i tërhiqte vëmendjen se ajo duhej të plotësonte dëshirat e të gjithë shqiptarëve, duke i lejuar ata të formonin në Shqipëri “një qeveri të tyren”[2]. Çdo kundërshtim ndaj kësaj kërkese “Dielli” e quante një qëndrim “të gabuar të Italisë”[3].

Kërkesë drejtuar palës italiane kishte edhe nga Myfit Libohova, i cili, në tetor, i kërkonte komandës italiane në Shqipëri ngritjen e një qeverie të përkohshme. Formimin e kësaj qeverie ai e shikonte si një organ që duhej të luftonte për mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare. Por, si një qeveri që do të ishte “krah për krah me qeverinë italiane, që do të luftonte kundër armiqve të përbashkët”[4].

Në kushtet e mbarimit të Luftës së Parë Botërore, edhe qeverisë së Italisë i duhej një qeveri shqiptare, e cila të ishte e përbërë nga elementë pro politikës së saj. Kjo gjë i duhej: së pari, për të formuar tek shqiptarët përshtypjen se kërkesa për formimin e qeverisë ishte realizuar me përkrahjen e Italisë; dhe së dyti, një organ zyrtar i krijuar mbi baza ligjore do të ishte mundësia më e mirë për të mënjanuar çdo përfaqësi që do të mund të prezantohej në Konferencën e Paqes e që do të pretendonte atje të ishte përfaqësuese e interesave të Shqipërisë.

Kjo qeveri i duhej Italisë si mbështetje e brendshme, por edhe për të evituar pretendimet territoriale të fqinjëve ballkanikë në pjesën e tyre. Sonino, më 22 tetor 1918, interesohej të thirreshin menjëherë në Romë Turhan Pasha, Myfit Libohova, Mihal Turtulli. Këta duhet të vendosnin kontakte me kolonitë shqiptare dhe të formonin një qeveri të përkohshme, ku të përfaqësoheshin krahinat e mëdha shqiptare, si dhe tri fetë që ishin prezente në Shqipëri. Turhan Pasha dhe Myfit Libohova, në fillim të nëntorit, u gjendën në Itali dhe gazeta “Kombi” i prezantonte si “njerëz patriotë dhe me një të kaluar pa njolla”[5].

Ndërsa Mihal Turtulli, i cili qëndronte ende në Zvicër dhe kishte mandatin e Vatrës, në fillim nuk iu përgjigj thirrjes për të shkuar në Itali. Ai e shikonte rrezikun që paraqisnin synimet e Italisë, por brenda vendit ai nuk gjente forca për ta përballuar atë. Politika italiane e zëvendësoi M. Turtullin me delegatin tjetër të “Vatrës”, M. Konicën, i cili u thirr të shkonte në kryeqytetin e Italisë më vonë, 3-4 nëntor 1918[6].

Lëvizjet për mbledhjen e krerëve shqiptarë ishin shfaqur që në fillim të tetorit. Për organizimin e vajtjes së shqiptarëve në Itali ishin duke u përgatitur edhe Mehdi Frashëri e Mustafa Kruja, të cilët ishin të orientuar nga politika italiane. Këta i kërkonin “Vatrës”, më 6 tetor 1918, “të dërgonte në Itali përfaqësuesit e saj për të përcaktuar atë platformë të përbashkët politike, me të cilën do të dilnin përpara Konferencës së Paqes”. Ndërkohë, Mehmet Konica, sipas gazetës “Kombi”, arriti në Romë më 19 nëntor, “i pritur me ngrohtësi nga italianët”[7].

Ndërkaq, qeveria italiane kishte hequr dorë nga mendimi që kishte në fillim për të lejuar formimin e një qeverie shqiptare. Shqiptarët, që erdhën nga Roma për në Shqipëri, ishin këshilluar të formonin, jo një qeveri, por vetëm një këshill ose komitet kombëtar. Të gjithë këtë Roma e bënte gjoja për të shmangur “ngatërresat diplomatike”[8]. Ky komitet nuk duhej të bënte një politikë të pavarur, as brenda vendit e as jashtë tij, por duhet të gjendej si një vegël në duart e politikës italiane.

Në fund të nëntorit 1918, u aprovua formimi i këshillit kombëtar shqiptar, i ideuar nga Gaetano Manconi, me porosinë që këshilli të formohej sa më parë në Durrës “me persona shqiptarë që të jenë njerëzit tanë dhe me autoritet në të gjithë saj”[9]. Por, në të dy rastet, si qeveri apo edhe këshill, për t’i formuar këto organe duhet të mblidhej një kongres kombëtar. Mehmet Konica, Myfit Libohova e Mehdi Frashëri, u nisën në Shqipëri, në fund të dhjetorit 1918, të shoqëruar nga koloneli Etore Lodi, i cili do të kryente detyra politike si gjatë kongresit ashtu edhe më vonë.

Kjo është dhe faza e përgatitjes brenda vendit për Kongresin e Durrësit, fazë e cila u shoqërua me iniciativën për mbledhjen e një kongresi në Shkodër. Por ishte francezi Bardi de Furtu ai që nuk e lejoi mbajtjen e tij. Kjo mbledhje u arrit të bëhej në Lezhë më 9 dhjetor 1918, duke u organizuar prej klerikëve katolikë dhe kryetarit të bajraktarëve të Mirditës, Preng Bib Doda; por, si një lëvizje, e cila përfshinte vetëm Shqipërinë e Veriut, nuk kishte gjetur mbështetjen e pjesës tjetër. Një përpjekje tjetër ishte ajo e Tiranës, që u mbajt më 19-20 dhjetor, në të cilën morën pjesë vetëm përfaqësues nga disa krahina të Shqipërisë së Mesme.

Por këto lëvizje politike duket se u shkrinë në Kongresin e Durrësit, organizuesit e të cilit kishin marrë qysh më parë miratimin e Italisë. Ky kongres u hap në pasditen e 25 dhjetorit 1918, me pjesëmarrjen e 53 delegatëve. Ata vinin nga pjesa më e madhe e vendit, e cila ishte nën pushtimin e Italisë. Por në kongres nuk merrnin pjesë delegatë nga qyteti i Vlorës, sepse autoritetet italiane kishin marrë udhëzime nga Roma që të mos lejoheshin delegatë nga ky qytet. Në kongres mungonin edhe përfaqësuesit e krahinave që ishin nën pushtimin serb, Peshkopisë dhe Lumës, dhe as ata që ishin nën pushtimin francez, si qyteti i Korçës.

Këta kanë qenë faktorët, të cilët bënin të mundur elektrizimin e zhvillimeve në Kongresin e Durrësit. Por në Durrës nuk kishin ardhur vetëm delegatët, po edhe shumë figura të tjera politike. Ja si e pasqyronte gazeta Agimi: “Në kongres arritën të bënin propozime dhe të merrnin fjalën edhe njerëz të cilët nuk figuronin në listën e personave që kishin mandatin e të deleguarit”[10]. Por përfaqësuesit e Durrësit, pa kaluar ende në diskutimin e rendit të ditës, shprehën shqetësimin edhe për mungesën e pjesëmarrjes së delegatëve të të gjitha krahinave të Shqipërisë. Tërheq vëmendjen fakti se sekretari i kongresit në emër të Asamblesë shprehu “hidhërimin e Asamblesë lidhur me mosparaqitjen e përfaqësuesve të Vlorës, të Himarës e të tjera krahinave që janë pjesë e pandashme e Shqipërisë”[11].

Pasi u lexua katalogu, disa përfaqësues të Korçës, si Sotir Peci, Kosturi e të tjerë, deklaruan se nuk do të merrnin pjesë mbasi nuk ishin zgjedhur në mënyrë legale, por “u vendos me britma që të thirren e të priten si përfaqësues të Korçës”[12]. Nëpërmjet këtij dokumenti marrim vesh se në kongres kishte edhe pjesëmarrës të palegjitimuar, fakt ky i diktuar nga kushtet nëpër të cilat kalonte Shqipëria e pas Luftës së Parë Botërore. Koha ishte duke rrjedhur në mënyrë të atillë, sa shqiptarët kërkonin me të gjitha mjetet e disponueshme të gjenin zgjidhje legjitime në funksion të kombit. Por ajo çka është e vërteta, këta emra që shënuam më lart do të ngeleshin në kujtesën historike si disa nga figurat më interesante në shërbim të Shqipërisë.

Delegatët që në fillim të punës shfaqën besimin ndaj fituesve të luftës, duke e shoqëruar këtë me një përshëndetje të veçantë kundrejt presidentit Uillson, “i cili kishte shpallur parimet e vetëvendosjes së popujve”[13]. Ndërsa Gurakuqi në diskutimin e tij ishte më konkret: ai përmendi deklaratën e senatorit Loxhi, e cila ishte botuar në gazetat e ditëve të dhjetorit, para fillimit të Kongresit të Durrësit. Sipas saj, “njëra nga bazat e paqes është krijimi i Shqipërisë prej të gjithë atyre që flasin shqipen”, Për këtë u propozua që, përveç Uillsonit, mirënjohja t’i shprehej edhe këtij senatori[14].

Në kongres, u fol edhe për mbështetjen tek Italia, e cila mund të kishte interes të përkrahte kërkesat territoriale të Shqipërisë. Nëpërmjet kujtimeve të Myfit Libohovës, del se Mehmet Konica, në Kongresin e Durrësit, kishte paraqitur propozimin italian për formimin e një “Komiteti Përmbarues”, i cili do të përpiqej për dërgimin e një delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes dhe do të vepronte brenda vendit “për sigurimin e jetës kombëtare e politike të popullit shqiptar”[15].

Por, nga ana tjetër, Mehmet Konica përkrahu propozimin e Namik Delvinës dhe Riza Danit, për krijimin e një qeverie të përkohshme. Ai u shpreh se formimin e qeverisë duhet ta pranonte edhe Roma. Ai kërkoi që, përpara se kjo të shpallej, të merrej një përgjigje nga Roma, “duke shpresuar se ajo, më në fund, do të pranonte formimin e saj”[16]. Ndërsa disa delegatë të tjerë deklaruan se qeveria “ishte dëshirë e popullit shqiptar dhe nuk kishte rëndësi nëse ajo do të pranohej nga Italia”[17].

Më pas, u kalua në diskutimin e rendit të ditës. Kongresi nuk pranoi pikën e parë, e cila parashikonte formimin e një komiteti që, në bazë të procesverbalit, kishte dy detyra: E para, të dërgonte një delegacion shqiptar në Konferencën e Paqes dhe, e dyta, të sigurohej jeta politike kombëtare e popullit shqiptar. Por delegatët vendosën formimin e një qeverie të përkohshme, çka ishte një vendim i pavarur dhe sfidues kundrejt diplomacisë së Romës.

Lidhur me këtë çështje kishte dy qëndrime, të cilët u shprehën nëpërmjet fjalës së Mehmet Konicës më 26 dhjetor 1918. “Mbasi delegatët me shumicën absolute pëlqyen formimin e qeverisë së përkohshme, – nënvizonte ai, – pasi pranuan vendimin e dhanun në mbledhje të djeshme, edhe komanda italiane së cilës iu dha lajmi për formimin e qeverisë së përkohshme, pati mirësinë të na zotohet se do t’ia kumtojë qeverisë së vet. Duhet të pritet dy a tri ditë përgjigjja e saj nga Roma në do të pranohet apo jo”[18]. Ndërsa Hiqmet Bej Delvina u shpreh se shqiptarët i faleshin nderit Komandës Italiane për kujdesin dhe mirësinë që tregonte ndaj shqiptarëve, por ai theksonte se nuk kishte rëndësi fakti, nëse do të pranohej vendimi i mbledhjes, por me vlerë ishte që populli shqiptar, me anë të të dërguarve të tij në mbledhjen kombëtare, “deshi dhe shpalli Qeverinë e Përkohshme”.

Ai ishte një vendim i suksesshëm edhe për sa i përket situatës brenda vendit, pasi nuk ishte shumë e vështirë që, qoftë Italia, qoftë dhe Esad Toptani, të bënin të mundur nxitjen e shtresave të caktuara shqiptare për iniciativa dhe lëvizje të tjera politike pështjelluese.

Në mëngjesin e 26 dhjetorit, Konica i paraqiti një Promemorie nënkolonelit E. Lodi, duke argumentuar formimin e qeverisë, së pari, për rëndësinë që kishte ajo për të zhvleftësuar ndonjë përpjekje të mundshme të Francës dhe të shteteve ballkanike për thirrjen e delegatëve të Esad Toptanit në Konferencën e Paqes. Këtë e vërtetonte edhe më tepër letra e Gurakuqit, e cila mban datën 26 dhjetor 1918. Midis të tjerave ai tërhiqte vëmendjen se teorikisht kishte vetëm një shtet shqiptar të pavarur, duke u mbështetur moralisht edhe nga Italia. Por ajo që e shqetësonte më shumë Shqipërinë, ishte fakti se Franca dhe disa shtete ballkanikë, duke njohur tanimë Esad Pashën si kryetar të qeverisë shqiptare, vërtetonin që në Konferencën e Paqes ata do të përkrahnin delegatët e tij.

Politika e jashtme italiane e kishte në fokus situatën politike në Shqipëri. Kështu nga Roma, më 29 dhjetor 1918, Sonino i dërgonte një telegram komandantit suprem të Forcave në Ballkan, Piaçentinit, ku i thoshte se ishte duke pritur të njihej se si ishte zhvilluar diskutimi i Asamblesë së personaliteteve të Shqipërisë, dhe si ishte “arritur në formimin e qeverisë provizore në kundërshtim me parashikimet tona. Ju lutem, – kërkonte ai – që të njoftoni pa vonesë Asamblenë se Qeveria Mbretërore mendon se aseti politik i Shqipërisë do të jetë objekti i vendimeve të Konferencës së Paqes dhe se kam besim se Asambleja nuk do të bëjë gjëra, të cilat mund të shkonin në drejtim të kundërt me vendimet e konferencës”. Më poshtë ai theksonte se duheshin marrë në konsideratë raportet faktike dhe juridike midis autoriteteve ushtarake pushtuese dhe organit të ri të krijuar. Kur Sonino do të njihej me përbërjen e autoriteteve dhe të organeve të krijuara, vinte në dijeni se Qeveria Mbretërore “deri më tani”[19] u njihte të drejtën për t’u bërë interpretuese e aspiratave kombëtare. Shqetësimi politik i Soninos shkonte edhe më tej, duke menduar se komunikimi i këtij procesi politik duhet të bëhej i kujdesshëm dhe në atë formë që të mos ndikonte në pasigurinë e personaliteteve shqiptarë të mbledhur në Durrës. “U duhet dhënë të kuptojnë, – vijonte ai, – se ne jemi të detyruar që të jemi të rezervuar tani dhe se fakti i krijimit në një kohë të shpejtë të organit mund të sjellë edhe kundërshti nga Fuqitë e Mëdha”[20].

Në këto kushte, – sipas tij, – shtetet që mund të mbanin qëndrim armiqësor kundrejt Shqipërisë, mund të mos pranonin delegatët e një Komiteti ose Këshilli Shqiptar.

Duke e parë çështjen nga pikëpamja juridike, do të ishte e vështirë që përfaqësuesit e një Qeverie të Përkohshme të mos pranoheshin si legjitimë dhe përfaqësues të një kombi. Por, duke parë zhvillimet politike në marrëdhënie me Italinë, ajo nuk mund të ishte në gjendje (apo nuk dëshironte?) të mbronte pushtetin kombëtar që ishte duke u ngritur në Shqipëri.

Për pasojë shtrohej pyetja: Si do të kishte mundësi që ajo të mbronte kauzën tonë në planin ndërkombëtar? Aq më tepër pikëpyetjet shtoheshin kur mendohej se interesat e Shqipërisë duhet të mbroheshin përmes politikës italiane. Atëherë kur delegatët e Kongresit të Durrësit do të niseshin në Kongresin e Paqes, dhe nëse nuk do të arrinin të shkonin më tutje se Roma, një gjë e tillë do t’i kthente ata përballë opinionit kombëtar shqiptar të pavlerë dhe pa asnjë besim politik.

Duke e analizuar çështjen në aspektin kombëtar, ishte e nevojshme të merrej parasysh edukata dhe gjendja shpirtërore e shqiptarëve, duhej menduar se vetëm krijimi i një pushteti efektiv në formën e një qeverisje mund të shërbente si një qendër ku shqiptarët mund të shikonin shpresën reale dhe mundësinë e zgjidhjes së çështjes kombëtare. Ndërsa çdo lloj këshilli apo komiteti do të ishte “vetëm një institucion i pafuqishëm dhe qesharak, duke i lënë njëkohësisht shteg të lirë intrigave të huaja”[21]. Ekzistenca e një komiteti njëkohësisht do t’i krijonte terren të lirë Esad Toptanit, duke e analizuar këtë në tre pikëpamje:

Së pari, ai ishte një kundërshtar i fortë dhe pragmatist, shoqëruar me një shkathtësi dhe lëvizshmëri të pakrahasueshme me ndonjë politikan tjetër shqiptar.

Së dyti, Esad Toptani, për forcën e tij ushtarake dhe financiare, ishte një nga më të fuqishmit në klasën feudale shqiptare.

Së treti, ai në kohën e punimeve të Kongresit të Durrësit ishte prezent dhe aktiv me njerëzit e tij në kufijtë e Shqipërisë. Kjo gjë ishte përmendur edhe në kongres. Ja si e pasqyronte një nga diskutimet: “Esad Pasha ndodhet në kufijtë tanë me një organizim të mirë e me të gjitha mjetet e luftës”.

Përfaqësuesit e kongresit vendimin e mbrojtën edhe përpara nënkolonelit italian Etore Lodi, i cili në telegramin që i dërgonte Romës i quante këta si një “rrymë e fortë”. Me gjithë përpjekjet e tij për t’u zgjedhur vetëm një komitet ekzekutiv, me karakterin e një delegacioni për të shprehur dëshirën e kombit shqiptar, ishte për t’u parashikuar, sipas tij, “se rryma e mësipërme do të mbizotëronte”[22].

Vëmendjen politike të kongresit e tërhoqi edhe qëndrimi i V. Dilos, i cili mendonte se Kongresi nuk duhej të vepronte në mënyrë të pavarur. Këtë qëndrim ai e mbështeste në disa pikëpamje:

Së pari, Populli shqiptar nuk ishte i gatshëm dhe nuk kishte arritur në atë shkallë pjekurie sa të derdhte gjakun për atdhe.

Së dyti, do të ishte me rrezik për Shqipërinë që me këtë mungesë gatishmërie, politikisht kongresi të shprehej dhe të vepronte në mënyrë të pavarur.

Së treti, këto lëvizje të pavarura do ta çonin Shqipërinë drejt prishjes së marrëdhënieve me mikun e vetëm që kishte Shqipëria. Ky qëndrim përforcohet edhe nëpërmjet një debati që pati me Mehdi Frashërin, duke shprehur mendimin “se ne s’jemi delegatë me pushtet për të formuar një qeveri”[23].

Por shumë nga përfaqësuesit që ishin në kongres, megjithëse ishin për mbrojtjen nga një fuqi si Italia, e shihnin këtë vetëm si një nevojë për sigurimin e pushtetit politik, si ndaj forcave të brendshme, ashtu edhe ndaj ndonjë kërcënimi të jashtëm. Për rrjedhojë, edhe për këto forca, ngritja e një komiteti nuk ishte me interes. Kështu, propozimi për të ndryshuar vendimin e ditës, për kalimin nga një qeveri në një komitet, nuk gjeti terren. Jo vetëm kaq, por nga pikëpamja morale, rikthimi do të ishte me pasoja jo vetëm për dinjitetin personal të çdo përfaqësuesi në Kongres, por kjo edhe nga pikëpamja e solemnitetit kombëtar.

Duhet theksuar se në mes këtij grupimi ishte dhe Myfit Libohova, me orientim të dukshëm proitalian. Të njëjtin pozicion politik mbajti dhe Mehmet Konica, kryetar i kongresit, i cili, që në fillim të hapjes së seancës së dytë, deklaroi se për vendimin e formimit të qeverisë së përkohshme ishte njoftuar dhe Roma nëpërmjet komandës italiane dhe pritej përgjigjja e saj[24]. Ngulmimi i shumë delegatëve, gjithashtu, ishte se nuk kishin ardhur në kongres të prezantoheshin si “kukulla”, që të gjykonin dhe të vepronin sipas porosive të të tjerëve, por të mendonin për “dëshirën e vullnetin e popullit, i cili po kërkon me një zë vetëqeverim, dhe me padurim dëshiron lirinë”[25].

Mbi 50 delegatët e mbledhjes në Kongresin e Durrësit nga e gjithë Shqipëria, e pjesërisht edhe nga diaspora shqiptare, arritën të kritikojnë edhe Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915, përmes dy çështjeve themelore që lidheshin me Shqipërinë.

Së pari, në planin politik, nëpërmjet krijimit të qeverisë, ata hodhën poshtë protektoratin italian mbi shtetin shqiptar, me anë të përfaqësimit të këtij shteti nga Italia në marrëdhëniet me botën, ashtu sikurse ishte parashikuar në pikën VII të Traktatit. Ky Traktat u godit edhe nga pikëpamja parimore. Kongresi nëpërmjet shumicës arriti t’i konsideronte vendimet e vitit 1913 të paprekura, shoqëruar me Pavarësinë e plotë të shtetit shqiptar tashmë të formuar.

Së dyti, Kongresi nuk mund të anashkalonte edhe ato vendime të Traktatit të Londrës që preknin rëndë territorin e Shqipërisë. Delegatët u shprehën ashpër lidhur me pikën VI të Traktatit, nëpërmjet së cilës i njihej Italisë sovraniteti mbi Vlorën, po ashtu edhe për pikën VII, sipas së cilës Italia nuk do të kundërshtonte kalimin e Shqipërisë së jugut Greqisë dhe atë të veriut Serbisë dhe Malit të Zi, në kushtet që këtë do ta kërkonin edhe firmëtarë të tjerë të Traktatit, si Franca dhe Anglia.

Kongresi nuk mund të mos mbante qëndrim edhe ndaj pikës V, e cila shprehte ekzistencën e një shteti shqiptar “mysliman” në Shqipërinë e Mesme. Gjithashtu u kritikua pengesa për përfaqësimin e Vlorës në Kongres. Kjo bëri të mundur të sensibilizohej edhe çështja e Vlorës, duke u konsideruar si një pjesë e pandarë e Shqipërisë. Me të njëjtin sens u trajtuan edhe krahinat e tjera, të cilat nuk kishin mundur të përfaqësoheshin në Kongres. Kjo u theksua me forcë në kongres dhe këto treva u quajtën të përfshira në shtetin shqiptar.

Përbërja e qeverisë u propozua që në seancën e parë. Qeveria u formua prej 14 anëtarësh. Kjo qeveri do të kishte në përbërjen e saj këta emra: 1. Turhan Pasha (kryetar), 2. Preng Bib Doda (nënkryetar), dhe anëtarë: 3. Sami bej Vrioni, 4. Dr. Mihal Turtulli, 5. Myfit bej Libohova, 6. Imzot Luigj Bumçi, 7. Midhat bej Frashëri, 8. Luigj Gurakuqi, 9. Mehmet bej Konica, 10. Lef Nosi, 11. Mehdi Bej Frashëri, 12. Fejzi bej Alizoti, 13. Mustafa Kruja, 14. Pjetër Poga. Prej të cilëve, “një pjesë duhet të shkonte në Europë për të mbrojtur të drejtat kombëtare”[26], kurse pjesa tjetër do të mbetej në Shqipëri.

Ndërkohë kongresi përcaktoi edhe delegatët për në Konferencën e Paqes, anëtarët e të cilit do të ishin të gjithë nga qeveria. Kryetari i qeverisë u zgjodh Turhan Pasha, gjë që pasqyrohej edhe në përmbajtjen e telegramit të E. Lodit, dërguar Romës, ku njoftonte se mbledhja e Durrësit kishte “vendosur përfundimisht formimin e qeverisë së përkohshme me Turhan Pashën në krye”. Kongresi kishte arritur të zgjidhte edhe një delegacion, në përbërje të të cilit do të ishin Luigj Bumçi, Mehmet Konica, Mihal Turtulli, Midhat Frashëri.

Lufta politike brenda dhe jashtë kongresit solli njëkohësisht shfaqjen e pikëpamjeve përkatëse të ndryshme: Pjesa dërmuese e delegatëve ishin me orientim italian, si: Myfit Libohova, Turhan Pasha, Preng Bib Doda, Sami Vrioni, Luigj Bumçi. Ndërsa kundërshtarët ishin Mehmet Konica, Mihal Turtulli, Midhat Frashëri, të cilët, më të paktë në numër, anonin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose nga ndonjë fuqi tjetër “e painteresuar” drejtpërdrejt për Shqipërinë. Këto qëndrime dhe pikëpamje nuk u shfaqën shkoqur gjatë punimeve të kongresit, kjo edhe për faktin se këto figura të spikatura të politikës shqiptare kishin rënë në një kompromis të heshtur midis tyre, pasi qëllimi kryesor i tyre ishte formimi i qeverisë. Një rol të veçantë në përpunimin e programit kishte Mehmet Konica.

Kongresi hartoi një program politik të përgjithshëm, i cili shprehej për ruajtjen e pavarësisë, për tërësinë tokësore të shtetit shqiptar dhe për rishikimin e kufijve të vitit 1913. Për çështjen që lidhej me statusin juridik të këtij shteti dhe animin politik ndaj njërës apo tjetrës fuqi fituese, për të cilën kishin mosmarrëveshje, ata vepruan në mënyrë të heshtur dhe në kompromis me njëri tjetrin.[27]

Ky program kishte në themel:

Së pari, mbrojtjen e të drejtave në Konferencën e Paqes nga qeveria e Durrësit.

Së dyti, kërkimin e kufijve etnikë të Shqipërisë.

Së treti, mbajtjen e qetësisë brenda vendit.

Programi përbënte një hap përpara në lëvizjen kombëtare shqiptare, por duhet vlerësuar në kushtet kur Shqipëria gjendej e pushtuar nga ushtritë e huaja dhe nën trysninë e copëtimit nga fqinjët e saj.

Në këtë pikëpamje, studiuesit e kësaj periudhe, ndonëse e vlerësojnë pozitivisht Kongresin e Durresit, nuk kanë bërë ndonjë koment ose vlerësim lidhur me programin e qeverisë. Mendimi i historiografisë shqiptare pas luftës ka mbajtur një qëndrim kritik kundrejt mbështetjes që i dha “Vatra” kompromisit me Italinë lidhur me formimin e qeverisë së Durrësit. Por, duke bërë një studim të kujdesshëm të periudhës në të cilën u arrit kjo marrëveshje, duket se ky qëndrim është i drejtë. Kjo marrëveshje rrodhi si rezultat i ndryshimit të rrethanave historike të Shqipërisë në përfundim të luftës, si: prishja e ekuilibrave politikë në Ballkan si rezultat i shpërbërjes së perandorisë Austro-Hungareze dhe i humbjes së luftës prej saj.

Nga ana tjetër, monarkitë fqinje kishin dalë fituese të luftës dhe Fuqitë e Mëdha, si Anglia e Franca, ishin duke i mbështetur ambiciet e tyre për t’u zgjeruar, kur ishte ende në fuqi Traktati i fshehtë i Londrës i prillit të vitit 1915. Por nuk duhet harruar se Shqipëria ishte ende e pushtuar nga shtetet fituese dhe ushtritë e tyre nuk po largoheshin nga tokat shqiptare edhe mbas përfundimit të luftës. Kjo periudhë përmbante vështirësi dhe rreziqe serioze për lëvizjen kombëtare shqiptare, e cila ishte në prag të përfaqësimit të vendit në Konferencën e Paqes në Paris.

Pra, duke parë kushtet historike të formimit të qeverisë së përkohshme të Durrësit, mendojmë se shqiptarët ishin sensibilizuar politikisht. Ata kishin arritur të përpunonin pikëpamjet e tyre politike në dy plane: si në atë të brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ndërsa arritja e kompromisit për formimin e një qeverie, me gjithë diversitetin politik midis forcave politike, tashmë të kristalizuara në Kongres, tregonte se shqiptarët kishin arritur një pjekuri politike të mjaftueshme për tu përfaqësuar në Konferencën e Paqes.



[1] – Haris Silaxhiç “Shqipëria dhe SHBA në Arkivat e Uashingtoni”, Tiranë, Dituria 1996.f.116

[2] -Gazeta” Dielli”, Boston: 31 tetor 1918, f. 3” Ç’kemi kërkuar prej qeverisë italiane”

[3] – Po aty,f.3

[4] - Myfit Libohova, Gjirokastër 1921, f. 6-8.”Politika ime ndaj Shqipёrisё

[5]Gazeta”Kuvendi”, Romë, 9 nëntor 1918, nr.43, f. 3.

[6] – Muin Çami – Lufta çlirimtare antiimperialiste e popullit shqiptar 1914-1918, Tiranë 1969, f. 55. Shqipërinë e pushtuar prej nesh, me përjashtim të Vlorës dhe të hinterlandit të

[7] - Gazeta ”Kombi” Romë, 16 tetor 1918.nr.38, f.3

[8] - Myfit Libohova “Politika ime në Shqipëri” Gjirokastër 1921, f. 9.

[9] – Muin Çami “Lufta çlirimtare antiimperialiste e popullit shqiptar në vitet 1914-1918’ f. 58.

[10] - Gazeta ”Agimi”, mars 1921,nr.54, f. 155.

[11] – AQSH, F. 149, d. 1843, v. 1918. f. 2 (italisht).

[12] - Po aty, f. 2.

[13] – Revista “Hylli i Dritës”, Shkodër 1944, nr. 5, f. 56-57.

[14] – AQSH, F. 149. v. 149, d. 1843, f. 49 (italisht) e daktilografuar.

[15] – Lef Nosi “Dokumente Historike”Tiranё 1944, f. 53-55.

[16] – Po aty, f. 55.

[17] – Po aty.  58.

[18] - Dokumenta të Historisë Kombëtare, “Kongresi i Durrësit “ Durrës, me 29 dhjetor 1918, nr. 6, f. 108 (Instituti i Historisë, Biblioteka). 

[19] – Dokumentet diplomatike italiane 1918-1922. Seria e gjashtë: 1918-1922, vëllimi I: Telegram i Soninos për Piaçentinin, Romë, më 29 dhjetor 1918, ora 21:00 (italisht). Biblioteka e Institutit të Historisë.

[20] -Dokumentet diplomatike italiane 1918-1920. Seria e gjashtë: 1918-1920, vëllimi I: Telegram i Soninos për Piaçentinin, Romë, më 29 dhjetor 1918, ora 21:00 (italisht). Biblioteka e Institutit të Historisë.

[21] – Po aty, f. 58.

[22] – Muin Çami Lufta çlirimtare antiimperialiste e popullit shqiptar në vitet 1914-1918”,Tiranё, 8 nёntori, f. 64.

[23] – Lef Nosi“Dokumenta Historike të Kongresit të Durrësit, Durrës më 1918“,.f.56 (Biblioteka e Institutit të Historisë).

[24]Muin Çami” Lufta çlirimtare antiimperialiste e popullit shqiptar 1914-1918”, Tiranë, 8 nёntori 1969, f. 65.

[25] – Po aty.

[26] – AQSH, F. 149, d. 1843, v. 1918, f. 223.

[27] – Historia e Shqipërisë, volumi III, Tiranë, 1984, f. 192.

Punoi. Dr. Lavdosh Ahmetaj

Rektor i Universitetit PAVARËSIA, Vlorë


Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.