Stilistja çame më famë botërore

Publikuar më: 14/12/2012 16:39

Duke shkruar për stilisten e njohur Fevzije Camer

Namik Selmani

Të parët e Fevzije Camer kanë lindur në fshatin Mazrek të Çamërisë. Një fshat i bukur tipik çam. Brenda rrëfimeve në gjuhën e bukur të të parëve çamë, atje në Turqi besoj se do të kenë qenë edhe aftësia e jashtëzakonshme e grave dhe e vajzave çame për të qëndisur. Është e vërtetë se profesioni i stilistes nuk ishte dhe kaq i përhapur, po në çdo fshat kishte mjaft gra çame që, në një farë mënyre, bënin garë jo vetëm për gatimin e gjellëve karakteristike çame në furrat tipike shenjë e identitetit të një krahine ku kishte shumë bollëk, por edhe të punës me qëndismat, me leshin. Është e njohur ngjarja që ka ndodhur me Bajronin në vizitën që ai bëri në Çamëri, kur atij i dhuruan një kostum çam të bërë me duart e arta të grave çame. Është ai kostum që e ka hijëzuar edhe më shumë poetin anglez dhe në shumë enciklopedi, ai shfaqet me të. Kur ia dhuruan, ai nuk harroi që të shkruante letrën e tij për në Londër ku thoshte se “kishte marrë dhuratën më të bukur të jetës së tij”. Një fakt tjetër që është shumë i dokumentuar është se shumë të pasur nga Shqipëria e Mesme në Çamëri, te vajzat çame porosisnin pajat e nuseve. Tani, pas mbi 50-vitesh në këtë profesion artistik që e ka ngjitur Fevzije Çame nga Turqia në majat më të larta të salloneve të botës, krenaria e secilit bashkëkombës, aq më tepër i komunitetit çam, është përherë e më e madhe. Ne çdo bisedë, ajo të tregon rrënjët e saj të të parëve nga Shqipëria e, më konkretisht, nga Çamëria. Bashkëpunimi me stilistë të shquar botërorë si Dion apo Valentino e ka dërguar atë në rrugën e suksesit që mban vetëm djersën e mundin e saj, aftësinë e saj të jashtëzakonshme për të sfiduar këtë treg ku hidhen shumë para, ku hidhen shumë ide e ku e gjithë bota ka bërë hapa shumë të mëdhenj. Diku, në një intervistë, ajo ka thënë: ”Kur babai im iku nga Çamëria dhe u vendos në Vlorë e mbajti edhe mbiemrin “Çamër”. Gjuhën shqipe, unë e kam mësuar nga familja, pasi në familjen tonë flitej shqip e vetëm shqip. Këtë e bënin shumë mirë edhe gjyshërit e mi.” Po në atë zgjim të ndërgjegjes së saj atdhetare, ajo e kuptoi se gjuha e kombit të vet duhet të ruhej si jo më mirë. Bashkë me nënën e saj, Fatma, me vëllanë e saj Ahmet dhe me motrën Feride përbënin familjen fisnike çame që sfidonte Stambollin me punë, me djersë, me pasionin për artin e të parëve të tyre. Vetë Fevzijeti ka lindur në Stamboll e mjafton vetëm shifra e 100 çmimeve që ajo ka marrë në qytetin metropolitan të Stambollit, të 15 vendeve të para të “Best Model of the Uorld” që janë organizuar në Stamboll dhe sukseset e tjera në karrierën e saj artistike të stilimit e vë atë mes stilisteve më të mira të Turqisë. Dhe është një kureshtje shumë e madhe që të thuash se Zonja Çame e ka nisur jetën me një shkollim të veçantë për muzikë. Konservatori i dha asaj njohuri për muzikën, për këngën. E bëri këngëtare dhe muzikante, po atë e tërhiqte moda. Tregon se (ende ishte e vogël) kur shoqet e saj, ashtu si në gjithë botën, luanin me kukulla, ajo merrte gërshërët e qepte, vetëm qepte, me seriozitetin e një të madheje. Këtë e bëri edhe në shkollën fillore ku shumë shpejt ra në sy të mësueseve të shkollës. Natyrisht, aty ishte vetëm një rrobaqepësi e thjeshtë, por kishte edhe elementët e parë të modës dhe të pikturës. Shumë shpejt u bë më e mira e 200 vajzave të shkollës për rrobaqepësi. Kur ajo besonte te pasioni dhe aftësia për t’i hyrë rrugës së stilimit, e kishte shumë të vështirë se askush nuk i besonte gërshërët e saj që do të ishin vërtet të arta pas pak vitesh. E pikërisht në këtë udhëkryq, ajo nisi e mbaroi Konservatorin.

Më 1960-ën, bëri sfilatën e parë. Ishte provimi i saj i parë në këtë rrugë që do të kalonte 52 vjet me kaq sukses. Të gjithë kërkonin pa drojë veshjet që bëri që në sfilatën e parë dhe ishte shumë e rrallë një gjë e tillë në Turqi. Po arti i saj shkoi edhe më tej. Në shumë filma të xhiruar në Turqi, ajo ka vulën e saj me veshjet shumë origjinale që bën që kërkojnë edhe shumë kulturë. Mjafton të kujtojmë filmin “Shamikuqja”, ku ajo ka veshur artisten Shamikuqe.

Në tërë këto vite që kanë kaluar, gjysmë shekulli, stilistja me origjinë çame e ka njohur dhe e njeh shumë mirë KODIN e Suksesit. Me punë në dorë, bie të flejë e me këtë punë zgjohet që herët.

Një nga ngjarjet që i ka bërë më shumë përshtypje është koha kur djali i saj mbaroi studimet e shkollës së mesme me rezultate shumë të larta e kërkoi që të shkollohej në Amerikë. Për të ajo premtoi që të bënte një sfilatë bamirësie nga ato që ndodhin rrallë në një vend. “I premtova se me paratë që do të merreshin atje do t’ia jepja një spitalit të vogël në Stamboll ku kishte të sëmurë me leuçemi. Të 60 fustanet që u paraqitën në atë sfilatë u shitën brenda një kohe rekord. Kishin ardhur në të femrat më të famshme të Turqisë artiste, politikane, aktore, gra politikanësh.”

Ai kat spitali ka akoma emrin e saj. Të gjithë të pranishmit u vendosën në sheshin më të madh të Stambollit me emrin “Taksim”.

Në rrugën e artit të saj ajo ka pasur një të papritur shumë të veçantë. E rrallë që mund ta shohësh në jetën e artistëve të mëdhenj. Jehona e artit të saj shkoi edhe te Shtëpitë më të njohura të Francës si DION dhe VALENTINO. Në ato vite (ajo ka qëndruar në Paris 15 vite me këtë profesion) që të bashkëpunonte me ta. I bënë edhe një ofertë që në emrin e firmës së saj “Çamer” të vinin në fillim emrat e tyre si “Dion Çamër” dhe “Valentino Çamër” Nuk pati asnjë mëdyshje Fevzija. Jo. Nuk pranoi që të bënte qoftë edhe një bashkëpunim sado të vogël. Para disa vitesh, kur një gazetare shqiptare e pat pyetur për këtë vendim ajo iu përgjigj: “Unë nuk mund të punoj për të tjerët. Për mua është më mirë që të jem Mbretëreshë në vendin time sa të jem çirake në vend të huaj. Unë jam shumë krenare dhe besoj se kjo është një cilësi që e kam marrë nga Shqipëria.”

Ateljeja e saj ka rreth 50 mjeshtër të punës. Mbi të gjitha ajo, Fevzija, është nga ato kryemjeshtre që i bën të gjitha edhe pret, edhe qep, edhe qëndis, edhe disenjon, të gjithë proceset i bën vetë, vetë ashtu si nuk ndodh në asnjë rast në shtëpi të tilla mode.

Dy dëshira të mëdha ka në jetën e saj mjeshtrja e stilit. E para është që kombi i saj shqiptar të përparojë sa më shumë. Të ecë në rrugën e mbarësisë cep më cep kudo ku ka shqiptarë. Dëshira tjetër është që sa më shpejt të bëjnë një vizitë shumë të gjatë në Çamëri. Ka qenë disa kohë në Greqi me punë, por akoma nuk ka mundur që të shohë nga afër Çamërinë e prindërve dhe të gjyshërve të saj. Megjithatë, ajo e ndjek me shumë vëmendje jetën e Shqipërisë. Duke e krahasuar Shqipërinë e sotme me atë të vitit 1986 e deri në atë para disa viteve kur ajo erdhi në Javën Shqiptare të Modës, sheh shumë ndryshime. Sipas saj, njerëzit vishen bukur, madje këtë elegancë veshjeje ajo e sheh edhe të të moshuarit.

Takimi i familjes së saj me të parët e tyre çamë pas shumë viteve për Fevzijen është kthyer në një moment shumë emocionues. Po e jetonte jo vetëm si dëshmitare e takimit të babait të saj me vëllanë e tij çam që banonte në Shqipëri pas 52 viteve, por edhe si një çame me kulturë, me një gjuhë shumë të pastër që u bë edhe krenaria e shumë çamëve në Vlorë, në Tiranë e kudo. E kjo ndodhte në vitet e regjimit komunist dhe me një këmbëngulje të madhe të njerëzve të tyre në Shqipëri. Kur erdhi në vitet e demokracisë në Shqipëri u bë shumë e njohur edhe për grupimin e artistëve, e gazetarëve të shumtë që kërkonin ta intervistonin sa më parë, sa më shumë këtë artiste të madhe, këtë njeri të jashtëzakonshëm.

Duke njohur nga afër jetën e saj artistike më kujtohet edhe një stiliste çame me famë kombëtare dhe ndërkombëtare si Mirela Nurçe që ka organizuar disa sfilata në Shqipëri, në Nju Jork etj.

Fevzije Çamer ose “Çamja duarartë e Stambollit”, si do ta quanim me plot gojë, vazhdon të jetë krenaria e këtij qyteti nga më të mëdhenjtë e botës, por edhe e Çamërisë. Duket se bashkë me trimat, me këngëtarët, me bujqit duarartë, me artistët e fjalës, të penelit, të daltës, të gurit e të kuzhinës, ajo është bërë prej kohësh edhe krenaria jonë e madhe. Një model i shkëlqyer i dashurisë për atdheun, e të parëve të saj, i humanizmit, i dëshirës për të ngjitur maja të larta.

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.