Banka e Shqipërisë: Kreditë e humbura në nëntor arritën në vlerën 7.3 për qind

Publikuar më: 12/01/2013 10:05

Kreditë bankare me vonesë më shumë se një vit, që sipas rregullores së Bankës së Shqipërisë klasifikohen si të humbura, në fund të muajit kanë arritur në 7.3 për qind të totalit, nga 5.3 për qind që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2011. Në vlerë absolute, sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave kreditë e humbura kishin vlerën e 42 miliardë lekëve. Ky është një tregues i qartë i përkeqësimit të cilësisë së portofolit të kredisë së sistemit bankar, fenomen që ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e kujdesit dhe shtrëngimin e ofertës nga bankat për të dhënë kredi të reja. Megjithatë, po të llogarisim se totali i kredive në vonesë ka arritur në 23 për qind, kreditë e humbura zënë ende më pak se një të tretën e tyre. Kjo tregon se për pjesën më të madhe të kredive në vonesë ka ende hapësira rimbledhjeje. Në fakt, pjesa më e madhe e kredive me probleme janë ato të cilësuara si “nën standarde” dhe që përfshijnë vonesat nga tre deri në gjashtë muaj. Kjo është edhe kategoria e parë që, sipas rregullores së Bankës së Shqipërisë, cilësohet si kredi me probleme. Vendet e tjera të rajonit, në fakt, kanë një standard më liberal dhe vlerësojnë si kredi me probleme vetëm ato me vonesë më shumë se gjashtë muaj. Nëse edhe në Shqipëri do ta bënim vlerësimin sipas të njëjtit standard, shkalla e kredive me probleme do të ishte 12.4 për qind.

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.