Majdanozi është i pasur në vitaminë C, që ndikon në shëndetin e kockave, dhëmbëve, mishit të dhëmbëve

Publikuar më: 05/02/2013 11:38

Majdanozi, emri latin i të cilit është petroselinum, marrë nga greqishtja “petroselinon”, që do të thotë selino e shkëmbinjve, sepse në shekullin e 13-të mendohej se selino dhe majdanozi ishin dy variante të së njëjtës bimë. Për t’i dalluar nga njëra-tjetra, fjalës selino i bashkëngjitej habitati i tyre natyral, kënetat për selinon dhe shkëmbinjtë për majdanozin. Majdanozi mendohet se e ka origjinën nga vendet mesdhetare dhe zonat pranë të Jugut e të Lindjes dhe është kultivuar në gjendjen e sotme në Jug të Evropës, sidomos në Sardenjë. Majdanozi është përdorur rreth 5 000 vjet më parë, ndërsa Grekët dhe Romakët e kanë kultivuar në fillim të erës sonë. Përdorimi i majdanozit është përhapur në Evropën Perëndimore në gjatë shekujve të 15-ë dhe 16-ë, më vonë edhe në zonat e tjera të botës. Ai u çua përtej Atlantikut nga kolonët e parë dhe shumë shpejt u bë erëza aromatike më e përdorur në kuzhinë. Sot majdanozi kultivohet edhe në zonat subtropikale në lartësi të mëdha.

Përse duhet të përdoret majdanozi

Ai zbukuron gatimet me elegancë dhe finesë, praktikisht në të gjitha recetat me kripë mund të hidhet pak majdanoz, ai është plot shije dhe është një bimë me vlera të veçanta antioksidante. Majdanozi normalisht nuk konsumohet në sasi të madhe. Përdorimi i rregullt i tij në ushqim bën të mundur që të furnizohet trupi me antioksidantë edhe pse me sasi jo shumë të mëdha. Antioksidantët janë përbërës që reduktojnë dëmet e shkaktuara nga radikalet e lira në trup. Këto të fundit janë molekula të përfshira në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, disa llojeve të kancereve dhe sëmundjeve të tjera që lidhen me plakjen e organizmit. Mendohet se majdanozi i freskët ka veti antioksidante ndonjëherë edhe më të lartë se disa fruta dhe perime. Konkretisht elementët antioksidantë të majdanozit janë apigenina, luteina dhe beta-karotina.

Majdanozi njihet gjithashtu edhe për efektin e tij kundër erës së keqe

Majdanozi i dehidratuar është një burim i mirë hekuri për burrat dhe një burim për gratë. Burrat dhe gratë kanë nevoja të ndryshme për hekur. Çdo qelizë e trupit përmban hekur, një mineral themelor për transportimin e oksigjenit dhe formimin e rruazave të kuqe të gjakut. Ai luan gjithashtu rol në prodhimin e qelizave, hormoneve dhe neurotransmetuesve të rinj. Duhet thënë se hekuri i bimëve nuk asimilohet nga organizmi po aq mirë sa ai i ushqimeve shtazore, megjithatë asimilimi i hekurit të majdanozit favorizohet nga prania e vitaminës C. Majdanozi i dehidratuar dhe majdanozi i freskët janë burime të mira vitamine K për gratë dhe thjesht burime vitamine K për burrat. Kjo vitaminë është e nevojshme për sintezën e proteinave që luajnë rol në koagulimin e gjakut. Ajo ndihmon gjithashtu në formimin e kockave. Përveç përmbajtjes së saj në ushqime, vitamina K prodhohet edhe nga bakteret e zorrëve, prandaj rrallëherë ka mungesa të kësaj vitamine në organizmin e njeriut. Majdanozi është i pasur në vitaminë C, një vitaminë që përveç efekteve antioksidante, ndikon në shëndetin e kockave, kartilagjeve, dhëmbëve dhe mishit të dhëmbëve. Për më tepër, ajo mbron edhe ndaj infeksioneve, ndihmon asimilimin e hekurit të bimëve dhe shpejton mbylljen e plagëve.

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.