Marrëdhëniet mësues – nxënës në konfiguracionin e kohës

Publikuar më: 20/02/2013 10:10

Nga FRAN GJOKA

Marrëdhëniet mësues – nxënës në konfiguracionin e kohës

Shkolla është një institucion dinamik që po ndryshon shumë në parametrat e saj të së kaluarës. Megjithatë, ende nuk mund të thuhet se procesi i ndryshimit nëpërmjet reformimit është realizuar plotësisht. Nuk do të ishim të sinqertë, nëse nuk do të pranonim se ende në shkollat tona ndihet influence e parimeve të vjetra, tendencave edukative paternaliste, për të frenuar apo penguar të rinjtë në aktivitetet individuale apo kolektive qofshin ato. Në këto 20 vjet, koha ka qenë me ta. Asnjë pengesë nuk ka qenë e mundur të ndalë prirjen konstante të të rinjve për progres, përpjekjet e tyre, të vendosura e të pathyeshme, për të ridimensionuar jetën personale, por dhe atë sociale, në përputhje me zhvillimin demokratik dhe sipas perceptimit të mënyrës së të jetuarit e të shkolluarit të tyre. Paternalizmi i mësuesit, mbivlerësimi i rolit të tij dhe nënvleftësimi i personalitetit të nxënësit, është njeri nga shkaqet, në mos kryesori, që sjell shkelje të rënda psiko-pedagogjike në marrëdhëniet midis tij dhe nxënësit në shkollë.

Kur flasim për këtë raport pedagogjik delikat, për këtë relacion dinamik, midis dy figurave qendrore dhe të vetme të edukimit në shkollë, siç janë mësuesi dhe nxënësi, duhet të mendojmë se nuk kemi përballë dy “qenie të zbrazura” apo “njerëz të kulluar”.

Mësuesi dhe nxënësi janë dy “identitete njerëzore”, “identitete sociale” të ndryshme. Kjo do të thotë se këto janë dy figura të ndryshme, që kanë mendimin e tyre për njeri tjetrin, të kondicionuar, natyrisht, nga relacionet sociale të jetës së sotme në vendin tone, në kontekstin e të cilës “bashkëjetojnë” mësuesi dhe nxënësi. Ata, në kushtet e shkollës moderne, nuk duhet të jenë “rival” por partner, që kanë një mision të përbashkët. Në një farë mënyre, ajo që po ndodh në shkollat e sotme, është fakti që këto marrëdhënie tentojnë drejt një partneriteti intraktiv, funksionues dhe të barabartë. Në çdo kuptim që ta shikojmë shkollën, ajo është e do të jetë një institucion i madh jo vetëm pedagogjik, por edhe i marrëdhënieve të demokratizuara midis mësuesit dhe nxënësit. Shkolla është vatër e madhe e “demokracisë së vogël”. Aty ndërrohen marrëdhëniet midis dy subjekteve që e dëmtojnë hierarkinë e tyre, duke respektuar lirinë, identitetin dhe “rolet” e njeri-tjetrit.

Demokratizimi i marrëdhënieve mësues-nxënës nuk është terren për anarki pedagogjike, por as shkak për të trembur mësuesin që nuk komunikon demokratikisht, apo në favor të nxënësit rebel. Në këtë kontekst, shkolla, si çdo institucion tjetër social, ka parime ndërtimi dhe rregulla e rregullore funksionimi që garantojnë marrëdhënie të drejta, lirinë “pozitive” dhe “negative” të mësuesit e nxënësit. Kjo do të thotë që nxënësi dhe mësuesi janë të lirë të ndërtojnë marrëdhënie produktive, duke u nisur nga parimi demokratik e pedagogjik, sipas të cilit në shkollë “liria e nxënësit” mbaron aty ku fillon e “drejta e mësuesit”, dhe anasjelltas, e drejta e mësuesit mbaron atje ku fillon liria dhe e drejta e nxënësit për të gjykuar, menduar dhe vepruar. Në tërë këtë hapësirë lirie, nuk ka arsye pse të kemi përplasje midis nxënësit dhe mësuesit.

Këto relacione nuk ndërtohen me mentalitetet dhe paranojat e pedagogjisë së vjetër autoritariste, që nuk respekton të drejtën dhe liritë e nxënësit për të qenë figurë aktive në shkollë. Koha kërkon që “hapësirat respektive”, të mësuesit dhe nxënësit, për të luajtur rolin e tyre si mësues dhe nxënës, të jenë të qarta. Normalisht, liria pedagogjike dhe demokratizimi i marrëdhënieve mësues-nxënës, nuk mund të realizohen duke ndërhyrë padrejtësisht në hapësirat e njeri tjetrit, duke krijuar anarki pedagogjike, marrëdhënie kaotike, të paqarta, që sjellin konflikt midis tyre.

Këto situata zgjidhen jo me paragjykime të vjetra pedagogjike, as me mentalitete paranojake reciproke, midis mësuesve dhe nxënësve. Mbase ka ardhur koha për të riparë këtë relacion në të dyja drejtimet kryesore të demokratizimit të shkollës dhe marrëdhëniet mësues- nxënës. Kjo kërkon që nga njëra anë të ridimensionohet koncepti për “autoritetin e mësuesit”, duke e forcuar dhe demokratizuar “jo si autoritet të jashtëm”, që sjell autoritarizëm dhe konfiktualitet në marrëdhëniet me nxënësit. Por, nga ana tjetër, nuk duhet asnjë lëshim në konceptin që liria e nxënësit në shkollë është pozitive, që do të thotë që është i lirë të mësojë dhe edukohet duke respektuar prirjet, dëshirën dhe personalitetin. Por ajo është edhe “liri negative”, në kuptimin që sjellja e nxënësit është e detyruar të jetë e përputhur me rregullat, rregulloret, parimet pedagogjike të shkollës, si institucion social. Ndërkaq, mësuesi është i detyruar që me mjeshtri, përvojën e aftësinë pedagogjike, të bëjë kushte normale dhe atë “situatë pedagogjike”, në të cilën nxënësi të ketë mundësi të zgjedhë alternativa veprimi e kulturimi në përputhje me dëshirat, aftësitë dhe prirjet personale. Kjo liri pedagogjike nuk ka pse të jetë e huaj për shkollën tonë moderne, në se mësuesi dhe nxënësi dinë të respektojnë njeri-tjetrin, duke luajtur secili rolin e vet. Me fjalë të tjera, ka ardhur koha që në shkollë të punojmë që, duke e demokratizuar atë dhe marrëdhëniet midis mësuesit dhe nxënësit nga njëra anë, po kaq seriozisht të mendojmë për një “rikonceptim të roleve” dhe statusit të secilit, si mjet për mbarëvajtjen e punës dhe të procesit mësimor-edukativ.

Çështja e njohjes dhe respektimit të statusit të mësuesit dhe nxënësit ndikon në krijimin e një atmosfere të veprimit të “hierarkisë shkollore”, e cila është e domosdoshme për një institucion të tillë dhe mision social dhe pedagogjik, siç është shkolla.

Nëse do arrijmë që në shkollë të kemi përfytyrime të drejta të statusit dhe kodin etik të mësuesit dhe nxënësit, duke respektuar të drejtat institucionale të secilit, atëherë kemi për ta pasur një atmosferë marrëdhëniesh dhe mirëkuptimi reciprok. Kjo është ajo që i duhet shkollës, për të pasur efiçensë dhe efikasitet social-pedagogjik, rezultate të prekshme dhe gjurmë të thella të relacioneve shpirtërore midis mësuesit dhe nxënësit. Nuk ka pse të ngatërrojmë shkollën me koncepte të skajshme konservatore, arkaike, apo anarkike, te pedagogjive të vjetra e të reja, që janë provuar se kanë qenë dhe janë kundërproduktive, të panatyrshme për shkollën moderne shqiptare në stadin e sotëm. As nxënësit, por as mësuesit, nuk janë ata që kanë qenë dikur, as marrëdhëniet e tyre nuk ndërtohen mbi parime të vjetra që ngatërrojnë “statuset reciproke”, që dëmtojnë punën e shkollës. Shkolla nuk është vend “pavarësisë së nxënësit” nga mësuesit, por as fushë beteje për të treguar “unin”, apo egocentrizmin pedagogjik të këtij mësuesi. Natyrisht, mësuesi është në një situatë të veçantë, sepse është i detyruar të komfortojë “sjelljen dhe unin” e tij me nxënësit, që janë në të njëjtën kohë “grup”, ”tërësi kolektive”, që duhet njohur, punuar, respektuar, si grup, por dhe individualisht. Natyra e profesionit dhe e marrëdhënieve të tilla kontradiktor, të punës, me “grupin” dhe “individin” në të njëjtën kohë, është ajo që e bën të vështirë, delikate, me përgjegjësi, dhe të lodhshme punën e mësuesit në shkollë.

Ndaj është aq shumë e respektuar puna e mësuesit të vërtetë, të cilën nuk mund ta bëjë kushdo. Ai është mjeshtër për të gjetur “masën” midis lirisë dhe disiplinës, që duhet respektojë nxënësi në shkollë. Kjo do të thotë që duhet me kujdes të shikojmë atë raport delikat të të drejtave dhe lirive të natyrshme që ka nxënësi (liria pozitive), me atë të drejtë që ka shkolla dhe mësuesi për nxënësin që të respektojë rregullat dhe parimet e ndërtimit dhe të funksionimit të shkollës (liria negative). Midis këtyre “dy lirive”, midis mësuesit dhe nxënësit, është ajo situatë që ndikon në përcaktimin e statusit të tyre, është pikërisht ajo gjendje që mundëson funksionimin ideal të marrëdhënieve, pa cenuar dhe nëpërkëmbur të drejtat e njeri-tjetrit.

Shkolla është institucion dhe natyrisht që ka nevojë për “hierarki” vlerash dhe njerëzish, që kanë role të ndryshme bashkëpunuese. Por, nuk mund të ndërtohet shkolla e re e demokratizuar, me mësues që kanë në mendje idetë dhe konceptet e shkollës së vjetër totalitariste që e shtypte lirinë e nxënësit. Shkolla është vendi i parë ku nxënësi kërkon të afirmojë personalitetin dhe identitetin e vet të dallueshëm. Kjo kërkesë dhe dëshirë e natyrshme e nxënësit, nuk ka pse të cenojë personalitetin e mësuesit “të lëkundur”, i cili, ngaqë mund të mos jetë i aftë të përballojë këtë kërkesë legjitime, trembet, e kap paniku dhe nervozizmi pedagogjik. Dëshira e nxënësit për të afirmuar personalitetin, nuk cenon aspak, nuk e vë në krizë autoritetin e mësuesit të talentuar, që di të kuptojë këtë aspiratë të nxënësit, duke ndërtuar, ndërkaq, marrëdhënie të mira ndikuese me të. Nuk është e drejtë frika, që kanë disa mësues për “kufijtë” e cenuar të autoritetit të tyre. Pavarësisht proceseve demokratizuese që kanë përfshirë shkollën tonë, ka për të qenë kurdoherë e pranishme dhe e diskutueshme pyetja e mësuesit se “deri ku duhet të shtrihet autoriteti” i tij. Por, ndërkaq, edhe nxënësi ka po aq të drejtë të pyesë, se “deri ku janë kufijtë e lirisë” së tij. Kjo situatë dikotomike midis “autoritetit të mësuesit” dhe “lirisë së nxënësit”, është dhe do të jetë problem i përjetshëm ekzistencial i shkollës. Asnjëherë shkolla nuk është normale, në se nuk ka të kristalizuar misionin, qëllimin, funksionin dhe, natyrisht, statusin dinamik të dy figurave të përjetshme të saj: mësuesit dhe nxënësit.

 

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.