Dibra e madhe do të mbetet gjithmonë e madhe

Publikuar më: 19/03/2013 16:27

Nga Ramiz Lushaj

Sot e kapërceva vargmalin e Korabit të Bardhë, e trupova Drinin e Zi. Vij për herë të parë në qytetin e Dibrës së Madhe. Vij si shqiptar i lirë i Shqipërisë së Vjetër, si qytetar i lirë i Botës së Re. Vij në këtë “festë libri”, sepse festa të tilla janë qytetërim, dinjitet, integrim, progres. Aq ma mirë kur të dy i kemi simbole: autorin e veprës – Azgan Haklaj dhe veprën e tij: “Edhe Zoti po flet Shqip”. Dibra e Madhe është “barometër” politik. Këtë privilegj etnohistorik ia jep pozicioni gjeo-strategjik i veçantë i saj. Qysh se nga koha e penestëve ilirë ka shtrirje vertikale në Luginën e Drinit të Zi, pothuaj në rrjedhën e mesme lumore të tij, e cila i ndan gati përmjet Malësinë Dibrane dhe Ultinën Dibrane tue i ujambledh rrjedhat horizontale të lugjeve e shpatinave të dy Dibrave” – asaj të Epërme dhe asaj të Poshtme. Përveç kësaj, Dibra në shtrirjen përgjatë vijës të kufinit të sotëm Shqipëri – Maqedoni ndahet në dy pjesë gjeopolitike – në Dibra e Madhe dhe në Dibra e Vogël me një unitet të prejkohshëm e të përjetshëm etnohistorik. Në dy skajinat e Drinit të Zi ky kufi shqiptaro-shqiptar ndahet ndërmjet disa shteteve ballkanike: kah jugu në kryeburim prej liqenit të Prespës keqndahet ndërmjet Shqipërisë, Greqisë e Maqedonisë dhe në rrjedhecjeje kah veriu para bigimit natyror me Drinin e Bardhë keqndahet ndërmjet Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Në mes këtyne ndamjeve tragjike, të thikta e çkyese etnike, jetnon e vepron në të gjitha stinët e kohnat Dibra – si lumë i mendjes dhe si mal i luftnave. Dibra e Madhe është një korridor i madh (ndër)kombëtar lidhnues ndërveti i shqiptarëve etnik qyshse nga kohënat pellazgo-ilire si në dy kahet vertikale jug-veri të Luginës të Drinit të Zi, po edhe në degëzime horizontale nëpër grykat e Setës e të Radikës dhe në qafat e Murrës e të Buallit. Ky korridor i ka lidhur vargmalet e Korabit me detet Adriatik e Jon (nga Ulqini në Durrës e në Vlorë) dhe me Egjeun (nëpërmjet Luginës së Vardarit). Ky korridor e ka lidhur Dibrën e Madhe (që një i huaj, Feliks Petani, në vitin 1502 e vlerëson si “një qendër e rëndësishme qytetare”) me gjithë ato kryeqendra historike, zyrtare e shpirtërore të shqiptarëve: Shkupin e Prishtinën, Tiranën e Ulqinin, Çamërinë e Toplicën, Pazarin e Ri (Sanxhak) e Preshevën. Dibra e Madhe do të bahet edhe ma e madhe me Rrugën e Arbrit. Kjo rrugë iliro-arbnore e karvajeve dhe e qerreve prej vitit 2008 në rreth 75 km të saj po ndërtohet si autostradë tue shembë male e tuj hap tunele; po dritëvjen si projekt madhor i Qeverisë Berisha. Kjo rrugë (ndër)kombëtare e zhvillimit ekonomik e kulturor dhe e bashkimit të dibranëve e të shqiptarëve do të shkurtojnë aq shumë distancat kilometrike e politike saqë një nga garantët besëtar të përfundimit të saj, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, lider i të ardhmes, artnon bukur në qytetin tuaj më 26 janar 2013 me thënien simbolike: “Dibra me Tiranën do të jetë vetëm një kafe larg”. Kjo Rruga e Arbrit është edhe “Rruga e Skënderbeut”, se realisht niston nga Monumenti i Skënderbeut në Tiranë dhe vijavjen deri tek Monumenti i Skënderbeut në Dibër të Madhe dhe mbasandejna nëpër grykën e ngushtë e të bukur të Radikës trupon në drejtim të Gostivarit e të Tetovës deri tek Monumenti i Skënderbeut në Shkup. Në të dy Dibrat shqiptare, universitetet e Tetovës e të Tiranës i kanë shtrirë krahët institucional të dijes, po vet Dibra e bardhë në të dy anët e Drinit të Zi është një “universitet popullor” me të nandë malet e krahina të saj si bajraku i Lurës, Topalltia, etj., me “odën dibrane”, me një popull elitar dhe me vigan të elitës kombëtare shqiptare. Në qoftë se ia filloj nga viti 1218, në mesjetë, me të parin e dinastisë princërore feudale të Gropajve, me sevasti Andrea Gropa i betejave historike, dhe vargavijmë deri tek koha e sotme e demokracisë me kryebashkiakun demokrat të metropolit shqiptar të Tiranës, Lulzim Basha – i vlerësuem përveçëm nga diplomatë, politikanë e media si “golden boy” (djalë i artë), “një yll në ngjitje”, një nga “princat e demokracisë, integrimeve e zhvillimeve shqiptare”, etj. më duhet të përmendi me dhjetëra e (pse jo) qindra emra të jehonshëm, që e lartangritën Dibrën në histori sa mali Korab e përndryshe: në gjeografi e kemi Korabin ma të madhin mal në trojet etnike shqiptare. Në koftë se do të përmendi emna emblematik familjesh dibrane më duhet të hulmoj një kohë të gjatë. Gazetari dibran në Amerikë, i palodhuni Beqir Sina, më vjen në ndihmë teksa shkruan se në Dibër të Madhe e kanë të skalitun emrin edhe në gurët e ndërtimeve tipike shumë familje si: Cami, Marku, Dema, Kolari, Mjeshtri, Papraniku, Erebeli, Pustina, Koleci, Ruci, Peliku, Fida, Shehu, Lita, Maqellara, Kosovrasti, Stercani, Kazani, Uruçi, Rusi, Dovolani, Kerçishta, Klloboçishta, Velia, Mirza, Duka, Ballanca, etj. Jo rastësisht, kohnat shqiptare e kanë vlerësuar Dibrën si “Universitet Popullor”, sepse i ka dhanë kombit shqiptar presidentë e kryeministra, dhjetëra ministra, qindra personalitete të shkencës, letërsisë, fesë, arteve, kulturës, etj.Jo rastësisht nga epoka e Mbretit Zog, deri tek e Sali Berishës, kemi disa ministra të arsimit nga Dibra e kryesisht nga Dibra e Madhe: Abdurrahim Dibra, Faik Shatku, Tefta Cami, Ylli Vejsiu, Myqerem Tafaj. Jo rastësisht Ismail Qemal Bej Vlora në Shpalljen e Pavarësisë më 1912 i pati në të dy krahët e tij dy atdhetarë dibranë: Haxhi Vehbi Agolli (Dibra) nga Dibra e Madhe – kryetar të Senatit (Pleqësisë) dhe Dom Nikollë Kaçorri nga Lura – nënkryetar i qeverisë së parë shqiptare. Etnografi e gjeografit francez Ami Bue (i lindun në Hamburg) në shek. XIX në veprën e tij shkencore për Shqipërinë dëshmon se populli i Dibrës është “i vyeshëm”, shprehimisht: ka vlera të larta. Lideri historik i Shqiptarëve, Prof. dr. Sali Berisha, e ka fjaladritë Dibrën si një vend “me histori të madhe”. Sot, në këtë festë të librit “Edhe Zoti po flet Shqip” të autorit Azgan Haklaj, në këtë “Odë Dibrane” të promovimit të këtij libri visaror nga “Art-Klub” dhe bashkia e Dibrës së Madhe, në këtë ditë kur policia sllave-maqedonase i përgjaku fëmijët e pafajshëm shqiptar në Shkupin dardan, një zë i vetëdijshëm iu jehon kohnave e brezave:

Dibër e Madhe kurrë nuk do të mbetesh e vogël! As Ne – Shqiptaria, o Dibër e Madhe, me Ty – kurrë nuk do të jemi të vegjël.

Kur hymë në Dibër të Madhe po e dvetsha si shpesh për vendbetejat e Skënderbeut poetin e kulturologun e mirënjohur Agim Doçi, që nuk e di a e mban dekoratën “Mjeshtër i Madh”, po shumëkush e dinë që është dhandër në Dibër të Madhe, i martuem me një zonjë të nderuar e të kulturuar, me Yllka Çaushollin, lobuese fisnike si kryetare e Komitetit të Rrugës së Arbrit. Betejat kundërosmane të Skënderbeut në treva dibrane janë të shumta. Dikush i numëron shtatëmbëdhjetë të tilla. Fortpërmenden ajo e Torviollit, Grykës së Radikës, Otonetës, Oranikut, Mireshit, Sfetigradit, etj. Dibra gjeo-administrative e etno-historike në veprat e bashkëluftëtarëve e historiografëve skënderbegian, Marin Barleci dhe Gjon Muzaka, ishte shumë e madhe, me dy rajone – Dibra e Epërme dhe Dibra e Poshtme – në brigje të luginës së Drinit të Zi, me shtrirje nga Tetova, në thellësi të luginës së Vardarit, në rrethina të Pellgut të Ohrit, etj. Krenari vitale të papërsëritshme e të përjetshme më jep vendlindja ime – Malësia e Gjakovës (Tropoja – Malësia e Mirë) në brigje të Drinit të Bashkuar e në shtatlartësi të Alpeve, veçse kur udhaeci në Dibër të Madhe nëpër vende ku ka rrugëtue, kuvendue e luftue Skënderbeu, është një ndjesi e krenari e rrallë që nuk e takon e provon gjithkund në hapësirat etnike shqiptare. Monumentin e Skënderbeut në Dibër të Madhe nuk e prekën fashistët e Luftës së Dytë Botërore, po e hoqën nga piedestali në vitin 1945 shovinistët sllavo-komunistë maqedonas. Në nëntor 2003 më rastisi në Amerikë me e pa Skënderbeun të derdhun në bronz kur dibranët atdhetarë të Staten Island të Nju-Jorkut e udhanisën përmbi Atlantik për në Dibër të Madhe. Sot e takova Skënderbeun në qendër të qytetit Dibër e Madhe, si edhe kohë ma parë në qytetin tjetër dibran, në Peshkopi. Dy Dibrat etno-historike në dy shtete kufitare me njëra-tjetrën kanë nga një Skënderbe – simbolin e vet kombëtar. Si askund tjetër në Shqipërinë e Vjetër, si në asnjë vend tjetër të planetit. Ky libri i sotëm “Edhe Zoti po flet Shqip” ka një fjalë palcore memoriale (fq. 191), të mbajtur në Dibër të Madhe nga Azgan Haklaj, si president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar (UAKSH), në festën e Flamurit, nëntor 2009. Aty prognozon me idealizëm e realizëm: “Tashmë, në të gjitha trojet shqiptare jemi të gjithë së bashku, është së bashku me ne shpata e Skënderbeut, gjoksi shkëmb i Mic Sokolit dhe pena e Samiut, është diplomacia e Ibrahim Rugovës, qëndresa dhe emblema shqiptare Sali Berisha. Në këtë festë kemi përjetuar nëntorin e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Adem Jasharit dhe të Ali Ahmetit. Së shpejti, do të kemi nëntorin e fundit kur ta realizojmë ëndrrën shekullore për të cilën shqiptarët luftuan me shekuj”. Në korrik të vitit 2010, studiuesi i themeltë, euriditi i heshtur, mr. Ruzhdi Lata, myftiu i Dibrës së Madhe, “Qytetar Nderi” i Peshkopisë, aktualisht kandidat potencial për kryetar komune i Dibrës së Madhe, kumton se Skënderbeu në trevën dibrane e mblodhi ma të parin kuvend, në mesin e muajit nëntor 1443, “Kuvendin e Dibrës” – me krerë vendas të dy Dibrave: të Epërme e të Poshtme, ku rishpalosi dhe nisi jetësimin e planit të veprimeve të tij politiko-luftarake.  Kjo e vërtetë historike e kumtueme nga njeriu i besimit e i studimit, Ruzhdi Lata, ka të bëjnë me kohën kur Skënderbeu, sanxhakbej i Nikopolit, pasi luftoi përkrah komandantit hungarez, Janosh Huniadit, me thyerjen në betejën e 3 nëntorit 1443, në Nishin etnik shqiptar, bashkë me qindra shqiptarë bashkëluftëtarë dhe nipin e tij, Hamza Kastrioti, u nis për ngritjen e Flamurit të Lirisë Shqiptare, Flamurin e Kastriotëve në Krujën historike më 28 nëntor 1443. Jo rastësisht i ra rrugës nga Prizreni dhe ndali disa ditë në Dibër të Madhe. Skënderbeu, pas Kuvendit të Dibrës, me një grup shqiptarësh u nistue drejt Krujës të merrte paqësisht e përdredhnisht postin e tij të mëparshëm si subash. Ndërkohë, Dibra e Madhe, dy Dibrat e historisë, futen nën zotërimin e vet skanderbegian territore nga kështjellat e Kalkandelenit (Tetovë) e në lindje kështjellën e Sobrit (Derven), në Ohër, etj. Skënderbeu lindi si udhëheqës pasi ishte princ i dinastisë së Kastriotëve, u përgatit si ushtarak në Stamboll, bani emën të madh në karrierë politike e në luftëra të rrepta, po me trevën dibrane ka lidhje historike të veçantë e të përjetshme. E para: nga Dibra e Madhe u nis si burrështetas shqiptar. E dyta, nga Dibra e Madhe nisi shteti historik i Skënderbeut rrugëtimin për tek Flamuri Shqiptar në Krujë dhe më 2 mars 1444 tek Besëlidhja Shqiptare në Lezhë. Kur erdha në Dibër të Madhe vetëlypa me u pikëpjek me rilindësin 39-vjeçar, Said Najdeni – Dibrani (Hoxhë Vokën). E gjeta përnjiherë tek “Sheshi Rilindësit”. Ishte i derdhun në bronz: busti i tij hijeshonte përkrah me atë të dibranit tjetër rilindës nga Reka e Epërme, Josif Bagerin. Nuk jam i pari dhe as i vetmi i kësaj dite e i kësaj kohe që vij në Dibër të Madhe dhe mirëdue me u takue dhe me e nderue Said Efëndi Dibranin, që ndonëse e thirrnin edhe “Hoxha i Vogël” ishte një burrë i madh i kombit shqiptar. Kaherë, burra të zotë të kombit shqiptar: Aqif Pashë Elbasani, Mytezim Këlliçi, Sadik Pasha, Islam Vrioni, Qenani Abdyli, dr. Ibrahim Temo, Prenç Xhelali, Dervish Biçaku, Dervish Hima, Hafëz Ali Korça e të tjerë, kur erdhën si delegatë në Kongresin e Dibrës (1909) i shkuan tek varri dhe i mbajtën tek kryet fjalime të zjarrta atdhetarie e mirënjohjeje. Njeriu mbetet i madh me krejt një jetë, vetëm me një akt, veç me një fjalë. Rilindësi dibran, Said Najdeni, mbetet i madh në histori për të tria njëherash dhe njëjtësisht, po due për me e veçue fjalën e fundit të shpirtit të tij, amanetin e tij të artë: “Pa fitue Shqipëria lirinë, mos më vini gurë mbi varrin tim. Pasi të fitohet liria të m’i vini gurët duke i shkruar shqip. Mbi ta të vini një flamur. “Dibra e Madhe e kreu këtë amanet të madh me vetëveprim e vetëfinancim kombëtar e qytetar të saj. Në mes të shumtëve po i veçantoj katër penestë të rinj të shek. XXI: Ali Ahmetin – ish komandantin e përgjithshëm i UÇK në Maqedoni dhe kryetar i partisë BDI në koalicion qeverisës; gjeneralin epokal, hero i gjallë i Dibrës së Madhe – Gëzim Ostrenin; kryetarin e bashkisë dibrane me arritje meritore, djalin emblematik të Dibrës së Madhe, doktorin e shkencave mjekësore – Argëtim Fida; myftiun e Dibrës së Madhe, misionarin e Zotit, kumtuesin e historisë shqiptare dhe tribunin e angazhimeve qytetare – Ruzhdi Latën. Secili me kaçikin e vet kombëtar, politik e kulturor, secili në linjën e mënyrën e vet ma të mirë atdhetare, zyrtare e civile, në bashkari me të tjerët, e ngritën në qytetin e Dibrës së Madhe një kompleks memorial të pazakontë, me emnin simbolik – Sheshi “Rilindasit”, ku gravitojnë, rrezatojnë e hyjnojnë Përmendorja “ABC” (e Kongresit të Dibrës – 1909), bustet e dy rilindësve të penës e të aksionit kombëtar: dibrani mysliman, Said Efëndi Najdeni dhe dibrani ortodoks, Josif Bageri.

Kulturologu i veprimit e poeti i meditimit, Minella Kureta–“Mjeshtër i Madh”, më açikon se në këtë përurim në ditë-festën e Flamurit – 2009 ishte i pranishëm e përshëndeti edhe Azgan Haklaj në cilësinë e presidentit të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar. Kjo më hulloi me krahasimue një paralele simbolike: Dje – rilindësi vizionar, iluminist e veprimtar, Said Najdeni Dibrani, pishtar i arsimit shqip, nga fundjeta e tij profetizonte: “edhe zogu e bilbili do të këndojnë lirisht shqip”. Sot – rilindësi modern e veprimtari kulturolog i bashkimit kombëtar dhe i integrimeve shqiptare, Azgan Haklaj, vjen për të disatën herë në Dibër të Madhe me fjalë e këngë shqipe, vjen edhe me veprën ma të fundit “Edhe Zoti po flet Shqip”. Tashti, realisht, për Shqiptarët e shek. XXI gjithçka po frymon Shqip: edhe Skënderbeu i madh, edhe rilindësit Said Najdeni e Josif Bageri, edhe zogu e bilbili në këto troje etnike, edhe Zoti lart në qiell e në Tokën e Ardhmërinë tonë dhe në këtë vepër publicistike të Azgan Haklajt. Rilindasi kombëtar Said Najden Dibrani që Ismail Qemal Bej Vlora në kujtimet e veta e cilëson “një nga miqtë e mi të vjetër shqiptarë” (kryen sëbashku misione kombëtare shqiptare në Romë e deri në Tripoli), ishte mik edhe i vllaznëve rilindës Naim e Sami Frashëri (në Stamboll), ishte mik edhe i tropojanit Haxhi Zekë Byberit (qyshse në burgun e Edrenesë në Turqi). Kreu studimet e larta teologjike në Edrene e në Stamboll. Meritoi tituj e grada fetare. Dinte shqip, frengjisht, turqisht e osmanisht. Autor i disa veprave si “Abetare e gjuhës shqipe ndë të folë gegënisht” (Sofie, 1900). Tri herë: më 1889, 1893 dhe 1900 (ri)hapi shkollën shqipe në Dibër të Madhe. Bashkidealistë veprimtarë rilindës, pas vdekjes së Said Najden Dibranit në moshën 39 vjeçare (v. 1903) ia thanë fjalët e mendjes e të zemrës: Shahin Kolonja theksonte: “Ishte shqiptarë i vërtetë, i stolisur me vetia të mira e me urtësi, me mish e me shpirt për mbarëvajtjen e Atdheut”, Nikolla Naço e cilësonte: “ushtari i palodhur i Shqipërisë”, Kristo Luarasi komentonte: “do t’i kish bërë shumë shërbime kombit sikur të kish rrojtur akoma”, Hafëz Ali Korça portretizonte: “I ndjeri Said pati qenë një nga idealistët e vjetër, është përpjekur tepër për shkronjat shqipe, pati shkruar edhe një libër… I mjeri ka vuajtur, por edhe ka vdekur i tuberkolizuar në rrugë të atdhetarizmit.” etj. Rilindësi Said Najdeni e ka varrin tek Xhamia e Sahatit në qytetin e Dibrës së Madhe, tek kjo xhami kompleks arkitekturor i veçantë, që myftiu i saj, historiani ynë, veprimtari i komunitetit qytetës dibran, Ruzhdi Lata, e cilëson si “qendër e dyfishtë – fetare dhe historike”, tek kjo xhami e ndërtueme si mirënjohje për tiranasit që iu hapën dyert e zemrat dibranëve të përzanë me gjak e flakë nga serbët në vitin 1913, tek kjo xhami harkavijë rrethatue me muri guri që shpreh forcën dhe me 100 dritare të hapuna që simbolizojnë 100-vjetorin e Pavarësisë, etj. Në përurimin e “Xhamisë së Sahatit” në Dibër të Madhe që i përngjet asaj të Et’hem Beut të Tiranës, kanë ardh bashkërisht edhe shumë nga “dibranët e Tiranës”, me kryebashkiakun e kryeqytetit, Lulzim Basha, me kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Njazi Kosovrasti (që ishte dhe foli në Gjakovë në promovimin e këtij libri të Azganit), gjeneral Xhemal Gjunkshi – shef i Shtabit të Ushtrisë Shqiptare; Prof. dr. Petrit Bare – një nga të paktët “Qytetar Nderi” i Dibrës së Madhe; Faruk Borova – kryetar i Shoqatës “Bashkësia Dibrane” në Tiranë; Flamur Gjymyshka – drejtor i Përgjithshëm i Doganave; Florent Pustina – drejtor i Infrastrukturës në Tiranë; Yllka Çausholli – kryetare e Komitetit për Rrugën e Arbërit; Hysen Xhara – kryetar i njësisë bashkiake nr. 4 në Tiranë, etj. Me fol në kuvendim në Dibër të Madhe është privilegj, me fol si redaktor i librit të Azgan Haklajt “Edhe Zoti po flet Shqip” është kënaqësi. Po ky libër visaror që e keni në duart tuaja fletahapet me parathënien time me titull: “Azgan Haklaj po ecë në kambë…” (fq. 5-13), parathanie që mban nënshkrimin tim si drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike në Tiranë, prandaj nuk po i rithem edhe një herë këto, sepse mos me e përsërit vetveten para jush besoj se është matuni e mirëpritun. Diku-diku i kam ra gatë e gatë fjalës teme si referues kryesor, po me e lexue po e lexoj edhe vertikalisht, sa ma shkurtas, pasi plotor ka me dalë në gazeta e në faqe interneti. Para disa ditësh, lexova në shtyp se personaliteti i njohur shqiptar, mr. Ruzhdi Lata, dha dorëheqje si myftiu i Dibrës së Madhe dhe iu fut politikës direkte dhe së shpejti, pas 24 marsit 2013 (siç parathonë opinionet, anketat e takimet në “tri Dibrat”) do të jetë i votëbesuem masivisht si kryetar i komunës të Dibrës së Madhe. Ky është një akt i lartë atdhetarie, civilizim bashkëkohor, ndjenjë e lartë qytetarie, që nuk lenë vend e rend me diskutue nga askush se ku ndahen e bashkohen ndërveti kryekomunari e myftiu i juaj. Vetë Dibra e Madhe e ka dhanë para njëqind vjetësh shembullin e vet: I madhi Hoxhë Vehbi Agolli (Dibra) i dhanun pas teologjisë, historisë, përkthimeve, krijimtarisë, etj., djali i myftiut të Dibres së Madhe, Ahmet Efëndiut, kur ishte Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, u zgjodh kryetar i Senatit (Parlamentit) dhe përkohësisht edhe z/kryetar i qeverisë, kur Ismail Qemalit iku me mision diplomatik kombëtar në Europë. Prapë Dibra e Vendit, në anën tjetër të Drinit të Zi, në bajrakun e Lurës, na e jep një shembull tjetër: I madhi Dom Nikollë Kaçorri, ipeshkv i Durrësit, me dekorata nga Papa për veprimtari kishtare, shkoi në Vlorë si politikan atdhetar dhe u zgjodh nënkryetar i qeverisë shqiptare. Fan Noli u rrit njëjtësisht në Amerikë si peshkop ortodoks shqiptar dhe si politikan shqiptar, gjersa u zgjodh deputet i Kolonisë Shqiptare të Amerikës në Parlamentin e Shqipërisë (1921-1923 dhe 1923-1924), ministër i Jashtëm në Qeverinë e Xhafer Ypit (1922), kryetar i Partisë Popullore Shqiptare, pastaj edhe kryeministër i Shqipërisë (qershor-dhjetor 1924), etj. Është e njohun thania e ish-kryeministrit britanik, mikut të madh të shqiptarëve, Tony Blair: “Si politikan u bëra mbasi kam njohur Zotin dhe jam bërë besimtar”. Dibra, jo krejt rastësisht, ka një traditë të lartë fetare kombëtare. Shteti i pavarun shqiptar ka pas kryetar të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë si dibranin Muharrem Mullaj (në vitet ’30), dibranin Selim Muça (prej vitit 2004), etj. dhe Kryemyfti të Shqipërisë dibranin Hoxhë Vehbi Agollin (Dibra) në kohën e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare në Vlorë, dibranin Sali Hoxha në fillimet e demokracisë pluraliste shqiptare, etj. Ajo çka i ka shërbye historisë dhe i duhet kohës së sotme është edhe fakti se Dibra kurrë nuk i ka paragjykue apo mënjanue fetarët e vet me tituj e grada të larta fetare kur i kanë hyrë politikës. Përkundrazi edhe kur i kanë sulmue armiqtë e kombit tonë si Hoxhë Said Efendi Najdeni (Dibrani) kur hapi shkollat shqipe e merrej me politikë kombëtare i thoshin “ka dalë nga feja”, etj. dhe e burgosën në dhëna të huaj, dibranët i morën në mbrojtje, iu dhanë nderime të larta, i skaliten në histori.

 

 

(vijon)

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.