Tremujori i katërt, INSTAT-i: Papunësia ra në 13.26 për qind

Publikuar më: 06/03/2013 10:38

Në tremujorin e katërt të vitit 2012, INSTAT-i ka raportuar një rënie të shkallës së papunësisë. Sipas shifrave zyrtare, papunësia ka rënë në 13.26%, niveli më i ulët për vitin e kaluar. Sado që ekonomia shqiptare është prekur nga kriza dhe po rritet me ritme mjaft modeste, nga statistikat e INSTAT-it rezulton se papunësia ka rënë dhe punësimi është rritur.

Numri zyrtar i të punësuarve në tremujorin e katërt 2012 arriti në 927 mijë, afro pesë mijë më shumë se në tremujorin e tretë. Sipas INSTAT-it, rritja e punësimit ka ardhur e gjitha nga sektori privat jobujqësor, ndërsa punësimi në sektorin publik ka rënë me rreth 400 individë. Punësimi në bujqësi nuk ka pasur ndryshime që nga tremujori i mëparshëm. Po t’u referohemi të dhënave për sektorin privat jobujqësor, numri i të punësuarve është rritur me rreth 7 për qind gjatë gjithë vitit 2012. Por, ecuria pozitive e punësimit që raporton INSTAT-it për vitin, në fakt, bie ndesh me anketat tremujore pranë ndërmarrjeve, në të cilat shumica e sektorëve gjatë vitit 2012 kanë raportuar ecuri negative të punësimit. Ndërkohë, numri i të papunëve të regjistruar ka pësuar një rënie të lehtë me rreth 100 individë dhe në fund të tremujorit ishte 141,755 vetë. Në tremujorin e katërt, paga në sektorin publik u rrit lehtë me 0.4 për qind, ndërsa pagesa e papunësisë dhe ndihma ekonomike nuk kanë ndryshuar. Pagesa për një të papunë është 6,850 lekë, ndërsa ndihma ekonomike e plotë 4,195 lekë.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.