Zyrtare/ Matura 2013, shtyhet plotësimi i Formularit A1.

Publikuar më: 26/03/2013 8:58

MASH publikon procedurën për plotësimin e formularit. Afati kur do të nisë plotësimi i formularit A1Z për kandidatët që e kanë mbaruar gjimnazin vite më parë   

Kandidatët e Maturës Shtetërore do të kenë afat edhe një javë për t’u bërë pjesë e procesit të provimeve. Kështu, Ministria e Arsimit ka shtyrë afatin për rreth 100 të rinj që nuk kanë arritur ta plotësojnë formularin A1. Një nga arsyet kryesore ka qenë mungesa e internetit pranë shkollave të tyre. Formularin A1 e kanë plotësuar rreth 34 mijë të rinj, çka do të thotë që tashmë zyrtarisht këta do t’i nënshtrohen provimeve të maturës dhe do të jenë kontigjent për student. Në një prononcim për mediat drejtori i AKP-së, Alfons Harizaj, thotë se  “Janë afro 34 mijë që kanë arritur të plotësojnë formularin A1, të pjesëmarrjes së tyre në provimet e maturës shtetërore 2013. Mbeten ndoshta mbi 100 që nuk kanë arritur ta plotësojnë dhe këtë javë ata do të kenë të mundur plotësisht ta përfundojnë plotësimin e formularit A1″,Këtë vit në sistem pritet të futen dhe rreth 5 mijë të rinj që duan të ndjekin shkollën e lartë, por që mund ta kenë përfunduar maturën ose që nuk kanë ndjekur një shkollë të lartë pasi kanë pasur provime për të shlyer.  Këta kandidatë do të plotësojnë formularin A1Z, duke filluar që nga data 15 prill. “Plotësimi i formularit A1Z do të nisë në datën 15, dhe numri i tyre në krahasim me aplikantët e formularit A1 është më i ulët, gati 5-6 herë. Maturantët që plotësojnë formularin A1Z janë maturantët që nuk janë të ulur në bangat e shkollës së vitit akademik, por që vijnë nga vitet e kaluara, ose maturantët që vijnë nga jashtë shtetit”, vijon Harizaj.

Plotësimi i formularit A1

Formularin A1 e plotësojnë vetëm maturantët e vitit shkollor 2012 – 2013. Plotësimi i Formularit A1 fillon në Portalin Qeveritar dhe përfundon në Portalin Matura Online në shkollën që caktohet nga DAR/ZA. Procesi i plotësimit të Formularit A1 ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”. Mbikëqyrësi pajiset me kodin përkatës të hyrjes në sistem. Vetëm pasi mbikëqyrësi fut kodin në sistem, maturanti mund të përfundojë plotësimin e Formularit A1. Lista me të dhënat e marra nga plotësimi i formularëve printohet, nënshkruhet nga maturanti, mbikëqyrësi dhe vuloset nga drejtori i shkollës ku plotësohen formularët A1. Listat ruhen deri në përfundim të Maturës Shtetërore 2013.

Procedura për plotësim

Të dhëna personale: Plotësohen nga maturanti.

- Tek pika 1, (numri personal i letërnjoftimit ID), maturanti shënon numrin e tij personal që ka në dokumentin e identifikimit.

Për të dhënat 2-5, pasi maturanti bën plotësimin, sistemi bën verifikimin e tyre dhe nuk lejon të vazhdohet aplikimi, nëse ka pasaktësi.

- Tek pika 6, maturanti shënon në fushat përkatëse, numrin e telefonit dhe adresën e e-mail-it, të cilat duhet të ruhen të pandryshuara deri në fund të Maturës Shtetërore 2013, me qëllim që ai (maturanti) të marrë informacion në faza të ndryshme të procesit. Nëse maturanti nuk ka telefon, ose nuk dëshiron të shënojë numrin e telefonit, atëherë shënon mbikëqyrësi numrin e tij të telefonit.

Të dhëna shkollore

Të dhënat shkollore do të plotësohen në bashkëpunim me mbikëqyrësin e sallës ku bëhet aplikimi. Për plotësimin saktë të kërkesave të këtij grupimi, maturanti dhe mbikëqyrësi duhet të marrin informacion të saktë dhe të plotë për rubrikat përkatëse:

Plotësohen nga maturanti.

- Tek pika 7, maturanti zgjedh nga lista “Prefekturën” që përfshin shkollën ku po studion.

- Tek pika 8, (emri i qytetit/fshatit), plotësohet automatikisht nga sistemi emri i qytetit/fshatit ku ndodhet shkolla ku po studion, në varësi të plotësimit të pikës 9.

- Tek pika 9, (emri i shkollës ku studion), maturanti zgjedh nga lista emrin e shkollës ku po studion.

Plotësohen nga “mbikëqyrësi”.

- Tek pika 10, (indeksi i profilit), plotësohet automatikisht nga sistemi në varësi të zgjedhjes së pikës 11.

- Tek pika 11, (emërtimi i profilit) mbikëqyrësi plotëson emrin e profilit/degës.

Plotësohen nga maturanti.

- Tek pika 12, maturanti plotëson klasën dhe paralelin e klasës ku po studion.

- Tek pika 13, maturanti zgjedh nga lista Po ose Jo.

Të dhëna lëndore

Plotësohen nga maturanti.

- Tek pika 14, maturanti zgjedh nga lista lëndët Z1 dhe Z2 që dëshiron të japë provim.

Zgjedhja e lëndëve Z1 dhe Z2 bëhet në përputhje me Udhëzimin nr. 35, datë 27.11.2012, në të cilin theksohet:

- Numri i lëndëve që do të zgjidhen duhet të jetë detyrimisht 2 (dy).

- Shuma e krediteve të dy lëndëve që zgjidhen, duhet të jetë jo më e vogël se 8 (tetë).

- Kur zgjidhet një lëndë bërthamë, nuk mund të zgjidhet e njëjta lëndë e thelluar (përjashtuar lëndët e detyruara).

- Çdo maturant mund të zgjedhë një ose dy gjuhë të huaja të ndryshme, me kusht që njëra do të trajtohet si gjuhë e huaj e parë dhe tjetra si gjuhë e huaj e dytë, pavarësisht nëse ka bërë ose jo në shkollë.

- Maturantët e shkollave artistike mund të zgjedhin vetëm njërën nga lëndët e grupit II: “Vetëm për shkollat artistike”.

- Maturantët e shkollave profesionale mund të zgjedhin vetëm njërën nga lëndët e grupit II: “Vetëm për shkollat profesionale”. Teoria profesionale është e zbërthyer në profile, sipas indeksit të shkollave dhe maturanti mund të zgjedhë vetëm një prej tyre.

OSMAN DEDJA

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.