Kualifikimi i mësuesve, shtesa në pagë që përfitohet

Publikuar më: 26/04/2013 14:40

Mësuesit e regjistruar në procesin e atestimit për këtë vit do të zhvillojnë nesër në Tiranë testin me shkrim për kualifikimin e tyre. Tashmë çdo gjë është bërë gati nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit për këtë provim, i cili do ti testojë mësuesit nga ana shkencore, pra për pjesën metodologjike dhe didaktike, si dhe për pjesën e dokumentacionit shkollor. Kështu është shprehur në një intervistë për Gazetën “Republika”, Tidita Abdurahmani, drejtoresha e Institutit të Zhvillimit Arsimor, e cila më tej thotë se  “Procesi i kualifikimit të mësuesve, siç e përmendët edhe ju, është një proces i përvitshëm, i cili zhvillohet për të gjashtin vit radhazi. Mësuesit të cilët janë në shërbim, apo që janë në funksion si të tillë, i nënshtrohen provimit të kualifikimit organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe Instituti i Zhvillimit të Arsimit. Testimi bëhet me qëllim që mësuesit të përditësojnë njohuritë shkencore, metodologjike dhe didaktike. Kështu, muaji mars ka qenë muaji ku mësuesit kanë paraqitur kërkesën dhe kanë plotësuar dokumentacionin pranë Drejtorive Arsimore Rajonale, për t’iu nënshtruar provimit të kualifikimit. Pra testimi ka dy pjesë: ka pjesën shkencore, pra pjesën metodologjike dhe didaktike, si dhe pjesën e dokumentacionit shkollor. Provimi për mësuesit nga e gjithë Shqipëria do të zhvillohet në mjediset e shkollave në Tiranë. Pas vlerësimit të testimit për kualifikim, mësuesit marrin në certifikatë këto rezultate: mjaftueshëm, mirë, shumë mirë dhe shkëlqyer. Mësuesit i nënshtrohen kualifikimit në vitin e pestë, në vitin e dhjetë, si dhe në vitin e 20 të eksperiencës së punës”. thotë drejtoresha e IZHA-s. Nga ana tjetër ajo shprehet në lidhje me shtesën që përfitohet nga atestimi

“Nuk mund të hyj në detaje financiare, por shtesa që marrin mësuesit është rreth 5 mijë lekë të vjetra për pesë vjeçarin, është afërsisht 10 mijë lekë të vjetra për dhjetë vjeçarin dhe 20 mijë lekë të vjetra për 20 vjeçarin. Gjithsesi, ajo që dua të them në këtë pikë është se rritja e pagës bëhet nga Dega Personelit në MASH dhe nuk përcaktohet nga Instituti”. Në lidhje me numrin e pjesëmarrësve në kualifikim, Znj. Abadurrahmani thotë  se “Duke u mbështetur edhe nga numri i pjesëmarrësve vitet e kaluara ky numër është luhatur nga 3300-3500 mësues. Edhe për këtë vit numri i mësuesve që do të marrin pjesë në atestim do të luhate rreth këtyre shifrave. Sa i takon shpalljes së rezultateve mund të them se kjo varet nga dinamika e vlerësuesve tanë. Ndodh që vlerësuesit korrigjojnë më shpjet, ndodh që vlerësuesit të korrigjojnë më ngadalë. Zakonisht shpallja e rezultateve bëhet një muaj nga data e zhvillimit te provimit për kualifikim” shprehet Drejtoresha e IZHA-s.

Ja se si është shprehur ajo gjatë kësaj interviste…

-Në një udhëzim të ministrit të Arsimit,  të publikuar në faqen tuaj zyrtare janë përcaktuar rregullat për kualifikimin e mësuesve. Konkretisht, cila është procedura që do të ndiqet për kualifikimin e mësuesve këtë vit?

Procesi i kualifikimit të mësuesve, siç e përmendët edhe ju, është një proces i përvitshëm, i cili zhvillohet për të gjashtin vit radhazi. Mësuesit të cilët janë në shërbim, apo që janë në funksion si të tillë, i nënshtrohen provimit të kualifikimit organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës dhe Instituti i Zhvillimit të Arsimit. Testimi bëhet me qëllim që mësuesit të përditësojnë njohuritë shkencore, metodologjike dhe didaktike. Kështu, muaji mars ka qenë muaji ku mësuesit kanë paraqitur kërkesën dhe kanë plotësuar dokumentacionin pranë Drejtorive Arsimore Rajonale, për t’iu nënshtruar provimit të kualifikimit. Ata dorëzojnë një dosje të tyren me projekte kurrikulare, me planin ditor, me planin e përgjithshëm, me certifikatat që ato kanë përftuar për tu vlerësuar për pikët e portofolit. Pra quhet pikërisht “portofoli”, pasi janë pikët që vijnë të përcaktuara në bazë të dosjes që paraqet mësuesi pranë drejtorive arsimore, ndërkohë pjesa tjetër është ajo e testimit që bëhet në Tiranë. Pra testimi ka dy pjesë: ka pjesën shkencore, pra pjesën metodologjike dhe didaktike,  si dhe pjesën e dokumentacionit shkollor. Provimi për mësuesit nga e gjithë Shqipëria do të zhvillohet në mjediset e shkollave në Tiranë. Pas vlerësimit të testimit për kualifikim, mësuesit marrin në certifikatë këto rezultate: mjaftueshëm, mirë, shumë mirë dhe shkëlqyer. Mësuesit i nënshtrohen kualifikimit në vitin e pestë, në vitin e dhjetë, si dhe në vitin e 20 të eksperiencës së tyre të punës, ndërkohë ata marrin një shtesë page në përputhje me vitet e përvojës së tyre.

-Cila është shtesa në pagë që marrin mësuesit pas vlerësimit nga kualifikimi?

Nuk mund të hyj në detaje financiare, por shtesa që marrin mësuesit është rreth 5 mijë lekë të vjetra për pesë vjeçarin, është afërsisht 10 mijë lekë të vjetra për dhjetë vjeçarin dhe 20 mijë lekë të vjetra për 20 vjeçarin. Gjithsesi, ajo që dua të them në këtë pikë është se rritja e pagës bëhet nga Dega Personelit në MASH dhe nuk përcaktohet nga Instituti.

-Vitin e kaluar mësuesit, ose kandidatët që hyjnë në këtë provim kanë edhe një shtesë pikësh për shkak të kualifikimeve, Masterave apo specializimeve që njihen si pikët bonus. Po këtë vit, çfarë është parashikuar në rregullore?

Pikët bonus do të jenë pjesë e vlerësimit edhe për këtë vit. Udhëzimi i kualifikimit i ministrit të Arsimit është i ri, por në të janë përcaktuar procedurat e viteve të kaluara. Një element shtesë tek pikët bonus janë certifikatat me kredite që mësuesit mund ti kenë marrë gjatë këtyre viteve. Pra pikë bonus japin Masteri që mësuesi ka kryer, dhe pjesëmarrja në kurse të certifikuara me kredite, etj…

-Cili do të jetë numri i mësuesve pjesëmarrës në kualifikimi dhe kur mund të shpallen rezultatet për kandidatët pjesëmarrës?

Duke u mbështetur edhe nga numri i pjesëmarrësve vitet e kaluara ky numër është luhatur nga 3300-3500 mësues. Edhe për këtë vit numri i mësuesve që do të marrin pjesë në atestim do të luhate rreth këtyre shifrave. Sa i takon pyetjes suaj për shpalljen e rezultateve mund të them se kjo varet nga dinamika e vlerësuesve tanë. Ndodh që vlerësuesit korrigjojnë më shpjet, ndodh që vlerësuesit të korrigjojnë më ngadalë. Zakonisht shpallja e rezultateve bëhet një muaj, nga data e zhvillimit te provimit për kualifikim.

-Si mund të bëhet ankimi për mësuesit që kanë pakënaqësi në vlerësimin e testit?

Nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit ngrihen komisione për vlerësimin e testeve të mësuesve. Rezultatet e testeve të mësuesve dërgohen pranë Drejtorive dhe Zyrave Arsimore ne rrethe ku bëhet edhe shpallja e tyre. Pesë ditë nga shpallja e këtyre testeve, nëse mësuesit kanë ndonjë ankesë e depozitojnë atë me shkrim pranë Drejtorisë Arsimore dhe testi rivlerësohet nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit,  por tashmë nga një komision tjetër, i ngritur për të shqyrtuar problemin e ngritur

 

Osman Dedja

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.