Speciale/ Noterët, ja si do të lëshohet dëshmia e trashëgimisë

Publikuar më: 04/04/2013 7:40

Miratohen ndryshimet në Ligjin për Noterinë. Procedura që do të ndiqet për çeljen ligjore të testamenteve dhe veprimet që do të kryejnë të interesuarit. Ja si mund të kryhet ndreqja e gabimeve dhe ndryshimi i dëshmisë

  Publikohet projektligji i ri për noterinë. Qeveria, në mbështetje të neneve 81 dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi të propozojë projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 7829, “Për noterinë”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Kështu në mbështetje të neneve 78, 81 dhe 83 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi që në ligjin Nr. 7829, datë 1.6.1994, “Për noterinë”, të ndryshuar, të bëhen këto shtesa dhe ndryshime: Në nenin 37, pas pikës 9 shtohen pikat 10 dhe 11, me përmbajtje si më poshtë vijon: Administron Regjistrin Kombëtar të Testamenteve, në të cilin regjistrohen testamentet e nënshkruar prej noterëve, ndërkohë që në nenin 52 shtohet paragrafi i tretë me këtë përmbajtje “Noteri, pasi të ketë redaktuar testamentin, bën regjistrimin e tij në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve, pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë.”

Çelja e trashëgimisë

 Sa i takon projektligjit të ri përcaktohet se neni 53 ndryshon si më poshtë vijon:

“Noteri, pasi vihet në dijeni zyrtarisht nëpërmjet një kërkese të shkruar nga personat e interesuar: Kontrollon kompetencën vendore të tij në përputhje me parashikimet e Kodit Civil; Dërgon një kërkesë pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë, të cilës i bashkëlidh një kopje të kërkesës së personit të interesuar dhe një kopje të certifikatës së vdekjes së trashëgimlënësit. Pas marrjes së kërkesës, Dhoma Kombëtare e Noterisë kontrollon në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve dhe Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimit nëse trashëgimlënësi ka lënë një testament dhe/ose është bërë çelja e trashëgimisë ligjore apo testamentare nga ndonjë noter. Kështu, brenda tri ditëve pas marrjes së përgjigjes nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, noteri:

a) Drejton personin e interesuar tek noteri i cili ka çelur trashëgiminë ose pranë të cilit është redaktuar testamenti, nëse ka;

b)Procedon me çeljen e trashëgimisë ligjore/testamentare, në përputhje me parashikimet e Kodit Civil, dhe e regjistron atë në Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimit. Për rastet e trashëgimisë testamentare, noteri duhet të kontrollojë elementet e pavlefshmërisë, parashikuar nga Kodi Civil, dhe të lëshojë dëshminë e trashëgimisë vetëm në rast se asnjë prej këtyre elementeve nuk ka prekur testamentin. Në rastin kur testamenti preket nga një element pavlefshmërie, noteri, me vendim të arsyetuar, refuzon lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë dhe i dërgon palët përpara gjykatës kompetente për zgjidhjen e çështjes.”.

  

Dëshmia e trashëgimisë

 Pas nenit 53, shtohen disa nene të tjera me këtë përmbajtje “Dëshmia e trashëgimisë lëshohet nga noteri në përputhje me rregullat e caktuara në Kodin Civil si dhe në këtë ligj. Përveç elementeve të parashikuara në nenin 49, të këtij ligji, dëshmia e trashëgimisë duhet të përmbajë:

a) Bazën ligjore dhe elementet mbi të cilat noteri konsiderohet që ka kompetencë territoriale për të lëshuar dëshminë;

b) Të dhënat e kërkuesit: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa dhe marrëdhënia me trashëgimlënësin;

c) Të dhënat e trashëgimlënësit: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa në datën e vdekjes, data dhe vendi i vdekjes;

ç) Të dhënat e trashëgimtarëve: emri, mbiemri, gjinia, data dhe vendi i lindjes, gjendja civile, shtetësia, numri i identitetit, adresa;

d) Të dhëna mbi regjimin pasuror martesor të trashëgimlënësit;

dh) Të dhëna mbi padenjësinë ose heqjen dorë nga trashëgimi, nëse ka;

ë) Pjesët takuese të secilit prej trashëgimtarëve;

f) Çdo të dhënë tjetër të kërkuar nga legjislacioni në fuqi.

Noteri mban origjinalin e dëshmisë së trashëgimisë dhe i lëshon kërkuesit ose çdo personi që ka një interes të ligjshëm, një ose disa kopje të dëshmisë së trashëgimisë të njësuara me origjinalin. Noteri shënon në një regjistër të posaçëm, të dhënat e çdo personi të cilit i ka lëshuar një kopje të dëshmisë së trashëgimisë.

Ndreqja e gabimeve, ndryshimi ose revokimi i dëshmisë së trashëgimisë

 Noteri, kryesisht ose me kërkesën e çdo personi që ka një interes të ligjshëm, mund të ndreqë në çdo kohë gabimet e bëra në shkrim ose në llogari apo ndonjë pasaktësi të dukshme të dëshmisë së trashëgimisë. Noteri, me kërkesën e çdo personi që ka një interes të ligjshëm, mund të ndryshojë ose revokojë dëshminë e trashëgimisë në rast se çmon se dëshmia ose pjesë të saj nuk janë të sakta. Noteri njofton menjëherë të gjithë personat të cilëve u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë së trashëgimisë, sipas përcaktimeve të paragrafëve 2 dhe 3, të nenit 53/1, për çdo ndreqje gabimesh, ndryshim ose revokim të dëshmisë së trashëgimisë.

Ankimi në gjykatë

Pavarësisht parashikimeve të nenit 41, të këtij ligji, ndaj çdo vendimi të noterit për lëshimin, refuzimin e lëshimit, ndreqjen e gabimeve, ndryshimin apo shfuqizimin e dëshmisë së trashëgimisë, mund të bëhet ankim në gjykatë nga çdo person që ka një interes të ligjshëm, në përputhje me nenin 46 të Kodit të Procedurës Civile. Gjykata, në rast se çmon se dëshmia ose pjesë të saj nuk janë të sakta, ndreq, ndryshon ose shfuqizon dëshminë e trashëgimisë ose urdhëron noterin të ndreqë, ndryshojë a shfuqizojë dëshminë e trashëgimisë.

 Pezullimi i efekteve të dëshmisë së trashëgimisë

Efektet e dëshmisë së trashëgimisë mund të pezullohen nga:

a)Noteri, me kërkesën e çdo personi që ka një interes të ligjshëm, gjatë procedurës së ndryshimit ose revokimit të dëshmisë së trashëgimisë, sipas përcaktimit të paragrafit 2, të nenit 53/2;

b)Gjykata , gjatë shqyrtimit të padisë sipas përcaktimit të nenit 53/3.

Gjykata ose noteri, sipas rastit, njoftojnë menjëherë për pezullimin e efekteve të dëshmisë së trashëgimisë, të gjithë personat të cilëve u është lëshuar një kopje e njësuar e dëshmisë së trashëgimisë, sipas përcaktimeve të paragrafëve 2 dhe 3, të nenit 53/1, të këtij ligji. Në rast pezullimi të efekteve të dëshmisë së trashëgimisë dhe gjatë gjithë kohëzgjatjes së këtij pezullimi nuk mund të lëshohen kopje të tjera të dëshmisë së trashëgimisë.”.

 

Regjistri Kombëtar i Testamenteve dhe Regjistri Kombëtar i Çeljes së Trashëgimit

Pranë Dhomës Kombëtare të Noterisë krijohet Regjistri Kombëtar i Testamenteve, në të cilin noterët duhet të regjistrojnë testamentet e nënshkruar pranë tyre dhe Regjistri Kombëtar i Çeljes së Trashëgimit, në të cilin noterët regjistrojnë çeljen e një trashëgimie ligjore apo testamentare. Regjistri Kombëtar i Testamenteve dhe Regjistri Kombëtar i Çeljes së Trashëgimit administrohen nga Dhoma Kombëtare e Noterisë, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë. Rregullat e hollësishme për Regjistrin Kombëtar të Testamenteve dhe për Regjistrin Kombëtar të Çeljes së Trashëgimit miratohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.”Të gjithë testamentet e nënshkruar pranë noterëve përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të regjistrohen në Regjistrin Kombëtar të Testamenteve, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Aktet nënligjore

 Ngarkohet ministri i Drejtësisë që, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet e nevojshme nënligjore në zbatim të nenit 5 të tij. Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

OSMAN DEDJA

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.