Specializime në mjekësi, kritere të reja për kandidatët

Publikuar më: 07/04/2013 7:49

Me krijimin e Universitetit të Mjekësisë do të ndiqen rregulla të reja për specializimet. Kështu, aktualisht janë ngritur grupet e punës  që po punojnë për kriteret. Në një prononcim për media,  Rektorja e Universitetit të Mjekësisë Jera Kruja thotë se të gjitha mënyrat që përdoren për  të zgjedhur kandidatët  më cilësorë  janë të mira, por ky cikël duhet të jetë i përvitshëm dhe në bazë të një rregulloreje të veçantë dhe mos të bllokohet herë pas here për arsye që nuk shpjegohen nga strukturat përkatëse. “Nuk ka formë të përsosur. Janë futur elementë të rinj, si për shembull intervista që për mua qëndron. Diskutohet nëse është më i rëndësishëm përgatitja gjatë viteve të fakultetit në ciklin e parë dhe ciklin e dytë, pra mesatarja e famshme. Ka diskutime në rrethet tona mjekësore. Për konkursin e ri nuk kemi vendosur përfundimisht se çfarë do bëjmë. Po mendojmë dhe kemi grupe që punojnë në këtë drejtim. Mund të ketë 6-7 specializantë që mund të vijnë për çdo shërbim. Problemi është që nuk duhet ta bëjmë me hope, por në mënyrë të vazhdueshme që ta quajmë tamam cikël të tretë”- thotë Kruja.  Rektorja e Universitetit të Mjekësisë thotë se vitin e ardhshëm akademik, do të startojnë edhe disa fakultete të tjera. Ndërkohë që po rishikohen edhe kurrikulat. Për sa i përket ambienteve, Universiteti i Mjekësisë nuk do të ketë një godinë si institucionet e tjera, por të gjitha fakultetet do të jenë të shpërndara në  ambiente të ndryshme. “Do të kemi pesë fakultete. Janë edhe tre fakultete të reja të krijuar që është Stomatologjia- Fakulteti i Mjekësisë Dentare, Fakulteti i Farmacisë dhe Fakulteti i Shëndetit Publik. Të tjera këto pjesë kanë qenë pjesë e Fakultetit të Mjekësisë si departament. Nuk do të ketë një godinë sepse edhe më përpara Fakulteti i Mjekësisë kishte 10- 15 godina. Por rektorati do të ketë një godinë përkatëse dhe ne kemi zgjedhur një nga godinat më me histori të Fakultetit të Mjekësisë që është Auditoriumi ‘Galileo Galilei’”- thotë Kruja.  Universiteti i Mjekësisë publik pritet që të çelë dyert për herë të parë vitin e ardhshëm akademik, po ashtu edhe cikli i specializimeve në 36 profilet e tij. Aktualisht pritet vendimi i Këshillimit të Ministrave për miratimin e kuotave  të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë.

 

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.