Dritan Prifti: Rama nuk mbajti premtimin se e kushtëzoi Meta

Publikuar më: 04/05/2013 9:16

Deputeti Dritan Prifti ka bërë të ditur dje në media se do të kandidojë i vetëm në zgjedhjet parlamentare, më 23 Qershor. Prifti vlerësoi se kreu i PS, Edi Rama tanimë po drejtohet nga aleati, Ilir Meta ndërsa rrëfeu dhe bisedimet që kreu me Aleancën Kuq e Zi, duke mos fshehur dëshirën që të ishte pjesë e kësaj partie. “Ka qenë një odise e gjatë për ta marrë këtë vendim, por pa dashur të hyj tek odiseja e gjatë unë kam marrë vendimin të kandidoj si një deputet i zgjedhur nga zgjedhësit, jashtë çdo koalicioni, pra deputet i pavarur. E kam vendosur këtë në konsultim me zgjedhësit e mi që me shumicë më kanë zgjedhur prej 12 vitesh në Parlament. Do shkoj në KQZ të depozitoj kërkesën, mandatin e deputetit si një kandidat i propozuar nga zgjedhësit. Nuk kam pasur një propozim nga AK, janë spekulime.  Jo nuk ka asnjë ftesë, propozim, ka pasur diskutime me AK, por jo propozim. Pas ikjes nga LSI, u afrova me Ramën, por premtimi që mora nga Rama nuk u mbajt. Më pas pasi u afrua me Metën, ai nuk u kujtua më. Duhet t’ja ketë vënë si kusht Meta. Po besoj se po, sepse pesha që i është vënë nga Meta duhet të ketë qenë më e rëndë se pesha politike. Kam folur gjatë me Paskal Milon, Gjergj Kojen. Ardhja e LSI sipas tyre do të kontribuojë në humbjen e Berishës, por sapo flisja me Gjinushin, apo tek tjetri, telefonohej menjëherë Gjinushi dhe menjëherë i thuhej, nuk duhet të afrohet Prifti.

Kuptova së kryetar i PS nuk është Rama, por Meta. Dmth që brenda një force politike të majtë nuk më lejohet të votohem si kandidat sepse nuk do Meta.  Mendoj se doli më mirë. Unë do kem emrin tim, si Dritan Vlash Prifti në listat e deputetëve, dhe do të më kandidojnë zgjedhësit për kontributin që kam dhënë në 12 vjet në Parlament. Para se të nxirrja videon marrëdhënien me Ramën kanë qenë maksimale. Por me afrimin e z Meta në koalicion, ai nuk pati as burrërinë të më thoshte që ‘kjo që ndodhi, ndodhi tanimë dhe ti z Prifti gjej ndonjë rrugë tjetër’. Por ai kishte mirëkuptimin tim të plotë për tërheqjen e LSI në koalicion, por jo mirëkuptim, që veproi kështu”-nënvizoi Prifti.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.