Pensioni i pleqërisë, procedurat që duhet të ndjekin të interesuarat

Publikuar më: 14/05/2013 11:18

ISSHISSH zbardh skemën e përfitimit të pensionit për nënat që kanë shumë fëmijë. Lidhur me këtë fakt, Gazeta “Republika” publikon kriteret dhe dokumentacionin e plotë që duhet të plotësojnë të gjitha ato gra që janë në prag pensioni dhe që kanë shumë fëmijë. Kështu, në mbështetje të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; udhëzimit nr. 2, i ISSH-së, datë 05.10.2005 “Për llogaritjen dhe indeksimin e bazës së vlerësuar dhe pagës neto për efekt pensioni“; rregullore nr. 1, e ISSH-së, datë 19.10.2009 “Mbi administrimin dhe llogaritjen e pensioneve”.
Kushtet e përfitimit:
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përcaktuar disa nga kriteret të cilat duhet të përmbushin të gjitha të interesuarat.
a) Personat që kanë periudha sigurimi, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë kur:
b) Plotësojnë moshën 50 vjeç;
c) Kanë 30 vjet periudhë sigurimi;
d) Janë tërhequr nga veprimtaria ekonomike;
e) Kanë lindur 6 a më shumë fëmijë, të cilët janë të rritur mbi 8 vjeç;
f) Për periudhën e tranzicionit, për moshën e daljes në pension zbatohet neni 92, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë“, i ndryshuar.

Dokumentacioni:
Për të përfituar pension të plotë si nënë me shumë fëmijë përfituesi, ose i autorizuari me prokurë, paraqitet në ALSSH të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendjen civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit si nënë me shumë fëmijë. Përfituesi për pension si nënë me shumë fëmijë, ose i autorizuari me prokurë, së bashku me kërkesën duhet të paraqesë dhe dokumentat si më poshtë:
a) Dokumentat që vërtetojnë moshën dhe identitetin:
- Fotokopje e letërnjoftimit elektronik, ose certifikatë lindjeje me fotografi;
- Certifikatë e gjendjes familjare;
- Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra);
- Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, duhet të paraqitet edhe certifikatë e veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje, për fëmijët që nuk figurojnë në certifikatën e gjendjes familjare;
- Dy copë fotografi.
b) Dokumentat që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:
- Libreza e punës;
- Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj;
- Vërtetim për periudhën e sigurimit, e lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për punëdhënësit, të punësuarit, të vetëpunësuarit, të vetëpunësuarit në bujqësi dhe të siguruarit në mënyrë vullnetare, si dhe të siguruarit sipas VKM;
- Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (në se shikohet e arsyeshme);
- Vërtetim i vjetërsisë në punë për ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, para vitit 1992;
- Vërtetim i Degës Ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak (për kërkuesit meshkuj);
- Vërtetim – tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët;
- Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë për kërkueset femra (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).
Femrat që kanë vuajtur dënim me burg
Për personat që përfitojnë nga Ligji nr. 7514, datë 30.09.1991:“Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të Dënuarve dhe të Përndjekurve Politikë” duhen edhe:
- Vërtetim i gjendjes gjyqësore;
- Vërtetim për kohën e vuajtjes së dënimit, lëshuar nga Ministria e Rendit Publik;
- Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij, të lëshuar nga Komisioni i Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë;
- Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton qenien në punë.
Dokumentat që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:
- Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit tip (nëse ka punuar dhe ka derdhur kontribute për periudhat pas datës 01.01.1994);- Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.

Masa e pensionit të plotë të pleqërisë si nënë me shumë fëmijë:
Masa mujore e pensionit të plotë të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit iu jepet të gjithë personave të siguruar. Shtesa që iu jepet personave të punësuar është 1% për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive. Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shume se dyfishi i shumës bazë, ose 75% e pagës neto mesatare të 3 viteve rresht, në 10 vitet e fundit të punës të personit të siguruar, cila të jetë më e vogël. Pensioni bazë përcaktohet me VKM.

Veçoritë e pensionit të plotë si nënë me shumë fëmijë:
Gjatë llogaritjes së pensionit si nënë me shumë fëmijë duhet të kemi parasysh se pensioni si nënë me shumë fëmijë i fshatit ka këto veçori:
- Përfituesja e këtij pensioni në qoftë se ka punuar në shtet dhe në ish-kooperativat bujqësore, do të përfitojë pension pleqërie fshati, si nënë me shumë fëmijë;
- Me plotësimin e kushteve për pensionin si nënë me shumë fëmijë dhe në qoftëse plotëson kushtet për pension shteti, pra ka mbi 17 vjet e 6 muaj periudha sigurimi në shtet, ka të drejtë që të kërkojë pension pleqërie të plotë ose të pjesshëm, sipas rastit.

Edlira Mema

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.