Rozeta Shira: Objektivat e Shqipërisë Evropiane do t’i realizojë vetëm koalicioni i djathtë

Publikuar më: 22/05/2013 10:10

Rozeta-ShiraKa vendosur të sfidojë vështirësitë me të cilat përballet një grua, një e re, dhe të nisë rrugën e saj në politikë. Rozeta Shira, është kandidate për deputete e Partisë Republikane në Qarkun e Tiranës.
Me energji dhe plot pasion për ti shërbyer një komuniteti prej nga vjen, Znj. Shira duket e vendosur për tu përballur me kundërshtarët në zonën e Paskuqanit dhe Laprakës. Ajo fton të gjtihë banorët e kësaj njësie ta mbështesin në këtë garë duke u premtuar atyre se do të jetë zëri i tyre në parlament, në politikë dhe në ç’do angazhim publik të saj në të ardhmen. Rruga e një gruaje në politikë padyshim i duket e vështirë, por ndjehet shumë komode me hapësirën dhe mbëshetjen që Partia Republikane i ka dhënë në këtë rrugë të angazhimit të saj në politikë. Rozeta Shira është prezantuar pak ditë më parë si kandidate nga kryetari i Partisë Republikane Z.Fatmir Mediu. Në një aktivitet elektoral në amfiteatrin pranë Institutit Bujqësor në Kamëz, kandidatja Shira foli për angazhimin e saj në politikë dhe garën në këto zgjedhje. Duke falenderuar stafin që e mbështet në këtë beteje elektorale, Rozeta flet me siguri për një fitore në zgjedhjet e 23 Qershorit.

Cilat ishin arsyet që ju bënë të besoni se rruga e vështirë e politikës për një femër nuk është një mision i pamundur?

Pikësëpari është hapësira që kam gjetur si femër dhe kryesisht si e re në Partinë Republikane. Ndjehem komode dhe shumë e motivuar ndaj dhe vendosa ti përgjigjem pozitivisht dhe me të gjithë kapacitetin tim vlerësimit që më bëri Partia Republikene. Pra jam e vendosur të zhvilloj garën time në zonën e Paskuqanit dhe të Laprakës. Së dyti, familja ime dhe prejardhja e familjes sime janë një arsye e rëndësishme që më shtynë të hy në këtë garë. Specifika e zonës ku unë kandidoj është një arsye e rëndësishme që më bëri të jem pjesë e kësaj gare. Unë vij nga një familje dibrane, dhe jam e bindur dhe e përkushtuar të angazhohem publikisht për ti shërbyer njerëzve të kësaj njësie, të cilët po përpiqen çdo ditë e më shumë të përmirësojnë jetën e tyre në kryeqytet. Të gjithë bashkë do tia dalim të ndërtojmë të ardhmen tonë. Jam në këtë garë për të gjithë banorët e kësaj njësie, pasi jam e bindur se do të jem zëri i tyre në parlament dhe në të gjitha angazhimet e mija publike.

Cilat janë premtimet tuaja konkrete për banorët e kësaj zone?

Pikësëpari, dua të mbështetem në programin dhe qëndrimet e Partisë Republikane për të folur edhe për premtimet e mija si kandidate. Ne si Parti Republikane kemi bërë publik qëndrimin tonë për një prej çështjeve më problematike që shqetësojnë sot banorët e këtij komuniteti ku unë kandidoj. Legalizimi i shtëpive dhe pronëza\ve të tyre do të jetë një prej objektivave tona madhore në këtë mandat. Ne jemi bashkë me koalcionin qeverisës në këtë betejë me qëndrimet tona të përbashkëta përsa i përket kësaj çështje.

Por kjo duket se ka një problematikë që lidhet me thelbin e partisë tuaj, çështjen e pronave?

Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë. Legalizimi i shtëpive e pronave të zonave informale, duhet të kryhet dhe kjo ska më kthim prapa, por kjo do të ndodh paralelisht me procesin e kompensimit të ish-pronarëve të ligjshëm, pra kompensimin monetar të tyre. Ky është një ndër pikat thelbësore të Partisë Republikane, dhe sigurisht ne jemi të angazhuar që ish-pronarët të kompensohet plotësisht. Për këtë Partia Republikane ka luftuar jo vetëm në paralment por edhe brenda koalcionit qeveritar. Ne kemi bërë betejen tonë edhe me Partinë Demokratike, duke arritur disa marrëveshje të rëndësishme që shkojnë në funksion të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së pronave. Kjo pasi ne si Parti republikane jemi të bindur se pa zgjidhjen e çështjes së pronave nuk mund të ketë ndërtim dhe funsksionim të shtetit ligjor në Shqipëri. kryetari i Partisë Republikane Z. Fatmir Mediu theksoi edhe disa ditë më parë se PR do të mbështesë pa kushte çdo projekt-ligj, draft ose paketë ligjore të propozuara nga ana e shoqatave të ish-pronarëve, madje edhe ngritjen e çështjes së pronave në Senatin Amerikan, Komisionin e Helsinkit, Parlamentin Europian dhe Këshillin e Europës. Në kudër të këtij angazhimi, Partia Republikane ka vendosur dhe ka jetësuar projektin për përfshirjen në politikë të vetë shtresës së ish-pronarëve, nëpërmjet kandidimit të përfaqësuesve të tyre në listën e Partisë Republikane. Madje, si pasojë e lobimit të Partisë Republikane janë emëruar zyrtarë të larët të administratës shtetërore. Pra ne jemi të vendosur që krahas zgjidhjes së çështjes së legalizimit të zgjidhim përfundimisht edhe çështjen e pronave në Shqipëri.

Ku jeni përqëndruar më tej në angazhimet tuaja ndaj komunitetit në të cilin kandidoni?

Ne jemi angazhuar prej kohësh në këtë komunitet. Njohim mirë të gjithë problematikën që ekziston atje dhe natyrisht kemi hartuar tashmë projekte të cilat i japin përgjigje të gjithë problematikës së komunitetit që jeton në Paskuqan dhe Laprakë. Së pari kam kënqësinë të ndaj me ju një projekt konkret që lidhet me ngritjen e qëndrave sociale për moshën e tretë si dhe për personat me aftësi të kufizuar. Ne kemi nisur lobimin me të gjithë aktorët dhe faktorët e pushtetit vendor dhe atij qëndror për të mundësuar ngritjen e këtyre qëndrave. Ky është një problem serioz për banorët dhe ne jemi të angazhuar ta zgjidhim. Unë jam takuar personalisht me familjarë të personave me aftësi të kufizuar dhe kam parë nga afër probelemet mjaft seroze me të cilat ndeshën vetë personat me aftësi të kufizuar si dhe mosha e tretë. Ne jemi të vendosur të angazhohemi në zgjidhjen e problemeve të tyre.

Ku e mbështesni optimizmin tuaj për fitore në këto zgjedhje?

Pikësëpari e mbështes tek besimi se bashkëqytetarët e mi dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur. Ata më njohin sepse jam bijë e tyre, sepse familja ime rrjedh prej atje, sepse jam pjesë e traditës së tyre, dhe sepse unë do jem përcjellësi më i mirë i zërit në instancat më të larta të qeverisjes së vendit dhe do jem percjellëse e çdo problematike te ketij komuniteti tek ato dyer që mund tu japin zgjidhje. E mbështes besimin dhe optimizmin tim në fitore, tek investimi i Partisë Republikane në këto 22 vite pluralizëm në Shqipëri. Partia Republikane që më ka dhënë besimin të jem Kandidate e saj, është një ndër partitë kryersore në vend. Për 22 vite është parti parlamentare, që përfaqëson vlerat më të mira të shoqërisë shqiptare, Lirinë, Pronën, Familjen, Kombin. E mbështes optimizmin tim padyshim në sukseset e qeverisjes tetë-vjecare të koalcionit të djathtë. Ska se si të mos e mbështes këtë optimizëm në momentet kyce të këtij suksesi, anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave. Janë dy ngjarje të mëdha për kombin tonë, specifikisht për ne të rinjtë. Jemi tashmë të lirë si qytetar evropian, të barabartë mes moshatarësh, me më shumë të drejta për tu shkolluar në vendet e BE. Unë jam e bindur se objektivat e tjera të Shqipërisë Evropiane do ti realizojë vetëm koalicioni i djathtë, pjesë e të cilit është në mënyrë shumë dinjitoze Partia Republikane.
Dua të vecoj edhe një moment shumë të rëndësishëm. Në këtë garë, në këto zgjedhje, jemi më shumë të rinj, kemi më shumë hapësirë dhe kjo falë drejtuesve të Partisë Republikane dhe kryetarit të kësaj partie, dhe dëshirës së mirë dhe nevojës për të përfshirë sa më shumë të rinj në parti. Unë ju bëj thirrje të rinjve që të votojnë masivisht në këto zgjedhje, të jenë ata që përcaktojnë vet fatin e tyre dhe jo të presin nga të tjerët. Ti bashkohen dhe të përkrahin iniciativat e reja për të përmirësuar të ardhmen e tyre.

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.