Aksidentet në punë, përfitimet nga skema e sigurimit

Publikuar më: 26/06/2013 10:55

aksidentete-ne-punePublikohen nga Inspektorati Shtetëror i Punë të dhënat e fundit për numrin e aksidenteve në punë dhe për personat që janë diagnostikuar për herë të parë me sëmundje profesionale. Kështu, mbështetur në të dhënat deri në fund të vitit 2012, janë regjistruar 95 aksidente në punë, nga të cilët 26 punëmarrës kanë humbur jetën. Klasifikimi i aksidenteve sipas llojit të aktivitetit renditet si më poshtë: Në miniera numri i të aksidentuarve është 19, 5 me pasojë vdekjen; në Ndërmarrjen Prodhuese 24 të aksidentuar, në Elektricitet, Gaz dhe Ujë numri i të aksidentuarve është 7, me pasojë vdekjen 3, në aktivitete që lidhen me Tregtinë numri i aksidenteve është 3, me pasojë vdekjen 2, në Sektorin e Ndërtimit numri i të aksidentuarve llogaritet të jetë 18, 13 me pasojë vdekjen; në sektorin e Telekomunikacionit numri i të aksidentuarve llogaritet të jetë 2, me pasojë vdekjen 1; në aktivitetet që lidhen me Financën dhe Shërbimet numri i aksidentuarve për vitin 2012 ka qenë 20, 2 me pasojë vdekjen, ndërsa në aktivitete të tjera numri i të aksidentuarve është 2, me pasojë vdekjen 0.

Sektorët më problematikë

Duke i klasifikuar aksidentet sipas llojit të aktivitetit, sipas ISHP-së rezulton se për vitin 2012, sektorët më të prekur janë:
-Sektori Ndërmarrjeve Prodhuese
Shkaqet kryesore të aksidenteve në këtë sektor janë: mos zbatim i rregullave të sigurimit teknik, mos marrja e masave mbrojtëse kolektive, rënia e zjarrit, dëmtimi në makineri etj.
-Sektori Financë, Shërbime
Shkaqet e ndodhjes të aksidenteve në këtë sektor përgjithësisht nuk janë të lidhura direkt me punën, pasi 5 prej tyre janë vlerësuar si aksidente rrugore. Shkaqe të tjera janë: rënia nga lartësia, rrëshqitjet, mos zbatim i rregullave të sigurimit teknik.
-Sektori Miniera, Karriera
Shkaqet kryesore të aksidenteve në këtë sektor janë shembje materiali, shpërthimi i minave, mos zbatim i rregullave të sigurimit teknik etj.
-Sektori Ndërtimit
Shkaqe kryesore të aksidenteve rezultojnë: rënie nga lartësia, rënie nën tension, mos përdorimi i mjeteve mbrojtëse personale, përdorimi i makinerisë nga punëmarrës të pakualifikuar etj.
-Sektori Elektricitet, Gaz, Ujë
Shkaqe kryesore rezultojnë; rënie nën tension dhe rënie nga lartësia.
-Sektori Telekomunikacion
Shkaqe kryesore rezultojnë; mos përdorimi i pajisjeve mbrojtëse personale.
-Aktivitete te tjera
Të dy rastet e aksidentit të regjistruar me aktivitet të tjera, janë vlerësuar si aksidente rrugore.

Qytetet me numrin më të lartë të aksidenteve

Sipas të dhënave të Inspektoratit Shtetëror të Punës, rajonet Elbasan, Tiranë, Dibër, Fier, Vlorë rezultojnë me numrin të lartë të aksidenteve. Sa i takon Tiranës, Vlorës dhe Fierit janë rajone me përqendrimin më të madh të numrit të subjekteve që ushtrojnë aktivitet në krahasim me rrethet e tjera. Gjithashtu nga të dhënat rezulton se:
-Punëmarrësit e aksidentuar sipas gjinisë janë 90 meshkuj dhe 5 femra.
-Në aksidentet me pasojë humbje jete, të aksidentuarit janë të gjithë meshkuj, me moshë mesatare 55 vjeç, me pozicion pune përgjithësisht punëtor apo minator.

Sëmundjet profesionale

Numri i punëmarrësve te deklaruar me sëmundje profesionale, të diagnostikuar për herë të parë në vitin2012 është 22, ndërkohë që numri total i personave me këtë shqetësim është 100. Sipas të dhënave të Inspektoratit Shtetëror të Punës, numri i punëmarrësve që punojnë në vende pune të rrezikshme është 34853; numri i punëmarrës që punojnë me substanca të rrezikshme është 5846. Ndërkohë subjektet me shërbim mjek në ndërmarrje është 1520.

Përfitimet nga dega e sigurimit të aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale

Specialistët e Instituti të Sigurimeve Shoqërore kanë përcaktuar edhe përfitimet që mund të merren për shkak të aksidenteve në punë dhe për sëmundje profesionale. Kështu, i siguruari, që për shkak të aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale, humbet aftësinë për punë, do të përfitojë:
A. Të ardhura për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë, apo sëmundja profesionale.
B. Të ardhura për invaliditet të përhershëm nga aksidenti në punë, apo sëmundja profesionale.
C. Të ardhura për invaliditet të pjesshëm të përhershëm nga aksidenti në punë, apo sëmundja profesionale.
D. Të ardhura për paaftësi të përhershme në masë të vogël, nga aksidenti në punë apo sëmundja profesionale.

Ligjërimi i përfitimit

Të ardhurat për paaftësi të përkohshme nga aksidentet në punë apo sëmundjet profesionale janë të përcaktuara në Ligjin Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar; VKM-në Nr. 788, datë 14.12.2005 “Për përcaktimin e aksidentit në punë ose për shkak të punës”; VKM nr. 396, datë 28.06.2007 “Për përcaktimin e sëmundjeve profesionale”; Rregulloren nr. 37, e ISSH-së, datë 23.12.2004 “Për caktimin, administrimin dhe pagesën e përfitimeve afatshkurtra”; Rregulloren Nr. 494, e ISSH-së, datë 05.10.1993 “Për lëshimin e raporteve për paaftësi të përkohshme në punë”; Udhëzimin nr. 1, i ISSH-së, datë 24.09.1993 “Për kriteret e caktimit të aftësisë për punë të invalidëve nga aksidentet në punë”; Rregulloren nr. 7, e ISSH-së, datë 16.06.1994 “Për kujdes mjekësor shtesë dhe aftësim për dëmtim të vogël dhe zhdëmtime në masë të arsyeshme”.

Kushtet e përfitimit

Specialistët e ISSH-së përcaktojnë edhe kushtet e përfitimit të cilat janë:
a) Pagesë për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë ose sëmundjet profesionale, përfitojnë vetëm të punësuarit;
b) Ky raport jepet nga Spitali ose KML, deri në 12 muaj.

Dokumentacioni dhe masa e përfitimit

Dokumentacioni që duhet dorëzuar është:
a) Raportet mjekësore për aksident në punë;
b) Proces-verbali tip i aksidentit në punë, i cili plotësohet nga subjekti dhe konfirmohet nga Inspektorati Shtetëror i Punës;
c) Formulari i bazës së vlerësuar të tri viteve të fundit të punës. (Ky dokument plotësohet nga sektori i financës së subjektit);
d) Sektori i financës së subjektit, mbështetur në dokumentet e pikës “a”, plotëson formularin tip-Listëpagesë të përfitimeve afatshkurtra dhe e dërgon atë në ALSSH, ku ka aktivitetin subjekti;
e) ALSSH, pasi kontrollon dhe verifikon dokumentet, i kalon pagesat në llogarinë personale bankare të përfituesit, ose në atë të subjektit. Ndërkohë masa e përfitimit është 100 % e mesatares ditore të bazës së vlerësuar, të tri viteve të fundit kalendarikë. Kjo masë përfitimi vazhdon deri në 12 muaj.

Osman Dedja

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.