Paaftësia për punë, procedura për kemp

Publikuar më: 11/07/2013 13:05

IsshInstituti i Sigurimeve Shoqërore publikon kriteret për të përfituar invaliditet. Ky dikaster ka përcaktuar edhe procedurën që ndiqet për verifikuar gjendjen shëndetësore nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP-i). Në drejtim të ISSH-së qytetarët kanë shkruar për tu informuar në lidhje me procedurën e aplikimit. Konkretisht një person shkruan “Jam një qytetar dhe kam probleme shëndetësore. Plotësova dokumentacionin për të përfituar pension invaliditeti dhe u paraqita në KMCAP-in e rrethit, i cili më vlerësoi pa grup invaliditeti. Pas një periudhe kohe prej 4 muajsh nga vlerësimi i gjendjes shëndetësore nga KMCAP-i i rrethit, iu drejtova KMCAP-it Epror, pranë ISSH–së për vlerësim të gjendjes shëndetësore. Por kërkesa ime nuk u shqyrtua. Ju lutem më sqaroni se si duhet të veproj, për t’u paraqitur përsëri në KMCAP”-shkruan i interesuari. Nga ana e tyre specialistët e ISSH-së janë përgjigjur “Në nenin 35, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” është përcaktuar se personi që bëhet i paaftë, merr pension invaliditeti kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit. Invaliditeti caktohet nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë. Në vendimin e tij shënohen shkaqet e invaliditetit, koha e fillimit të tij, si dhe shkalla e humbjes së aftësisë në punë. Kundër vendimit të KMCAP–it të rrethit, personi mund të ankohet në KMCAP-in Epror pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, vendimi i të cilit për sa i përket caktimit të aftësisë për punë është i formës së prerë. Në pikën 10, të Kreut III, të Rregullores “Për organizimin, të drejtat, detyrat dhe funksionimin e Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë” është përcaktuar që kundër vendimit të KMCAP-it të rrethit, personi apelon në KMCAP-in Epror të specializuar. Kërkesa është e vlefshme kur ajo bëhet brenda 30 ditëve nga data e marrjes së vendimit nga KMCAP-i i DRSSH- së. Meqenëse ju keni paraqitur kërkesën pranë KMCAP-it Epror, përtej afateve ligjore për kundërshtimin e vendimit të KMCAP-it të rrethit kërkesa juaj nuk është shqyrtuar. Që gjendja juaj shëndetësore të vlerësohet përsëri nga KMCAP-i, mund të paraqitni përsëri kërkesën për pension invaliditeti pranë Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore, të shoqëruar me Fletë Drejtimi të re për në KMCAP, i cili është dokumenti kryesor që pasqyron gjendjen tuaj shëndetësore dhe që ju jep të drejtën për t’u drejtuar në organet e sigurimeve shoqërore.

Përfitimet nga dega e sigurimit të sëmundjeve

ISSH publikon përfitimet që jepen nga dega e sigurimit të sëmundjeve. E drejta për këto përfitime është përshkruar në Nenin 20; 21; 22; 23; 24; 25, i Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; rregullore nr. 37, e ISSH-së, datë 23.12.2004 “Për caktimin, administrimin dhe pagesën e përfitimeve afatshkurtra”; rregulloren nr. 494, e ISSH-së, datë 05.10.1993 “Për lëshimin e raporteve për paaftësi të përkohshme në punë”.

Kushtet e përfitimit

Kushtet e përfitimit:
a) Pagesë për paaftësi nga sëmundjet përfitojnë vetëm të punësuarit;
b) 14 ditshi i parë paguhet nga ana e subjektit ku punon përfituesi;
c) Mbi ditën e 14-të të raporteve, të cilat jepen nga Komisioni Mjeko-Ligjor (KML), raportet paguhen nga sigurimet shoqërore. Por gjithmonë llogaritjet bëhen nga subjekti;
d) Raporti mjekësor paguhet deri në 6 muaj gjithsej, duke përfshirë dhe pagesën prej 14 ditësh.

Dokumentacioni

Dokumentacioni që duhet dorëzuar është:
a) I punësuari duhet të dorëzojë pranë subjektit ku punon këto dokumente:
b) Raportet mjekësore;
c) Librezën e punës;
d) Formularin e bazës së vlerësuar të vitit paraardhës. (Ky dokument plotësohet nga sektori i financës së subjektit);
e) Sektori i financës së subjektit, mbështetur në dokumentet e pikës “a”, plotëson formularin tip-Listëpagesë e përfitimeve afatshkurtra, dhe e dërgon atë në ALSSH-në, ku ka aktivitetin subjekti;
f) ALSSH pasi kontrollon dhe verifikon dokumentet e sjella, i kalon pagesat në llogarinë personale të përfituesit, ose në llogarinë e subjektit.

Masa e përfitimit

Masa e përfitimit nga dega e sigurimit të sëmundjeve është
a) 70% e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik, kur i siguruari ka deri në 10 vjet periudha sigurimi;
b) 80% e mesatares ditore të bazës së vlerësuar të vitit të fundit kalendarik, kur i siguruari ka mbi 10 vjet periudha sigurimi.

Kushtet e përfitimit të invaliditetit

1. Personi qe behet i paafte, merr pension invaliditeti, kur ka plotësuar periudhën minimale te sigurimit dhe për çdo arsye, veç aksidentit ne pune ose sëmundjes profesionale. Ai e merr ketë pension kur behet i paafte:
a) Për çdo veprimtari ekonomike;
b) Kur ka gjymtime te forta dhe dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin).
Invaliditeti caktohet nga komisioni mjekësor i caktimit te aftësisë për pune (KMCAP).
Ne vendimin e tij shënohen shkaqet e invaliditetit,koha e fillimit te tij si dhe shkalla e humbjes se aftësisë ne pune.
Kundër vendimit te KMCAP-it te rrethit personi mund te ankohet ne KMCAP-in epror pranë Institutit te Sigurimeve Shoqërore, vendimi i te cilit për sa i përket caktimit te aftësisë për pune është i formës së prerë.
Rregullat për organizimin dhe funksionimin e KMCAP-ve caktohen me rregullore te ISSH dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit. Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa gjysma e diferencës së moshës së personit te siguruar në kohën që bëhet i paafte dhe moshës 20 vjeç. Personi, që është në kushtet e invaliditetit të plotë, por nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar, në masën që rezulton nga raporti periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti.

Osman Dedja

Komentet janë të mbyllura

Foto Lajme

Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij portali © 2013 Gazeta Republika | Designed by Keminet | Log in
Close
Ndiqni Gazeta Republika në Facebook
Informohuni mbi ngjarjet kryesore të ditës duke na ndjekur në Facebook.